Gjon Frroku, mjeshtër i të kënduarit të baladave tona të moçme

Kultura

Gjon Frroku, mjeshtër i të kënduarit të baladave tona të moçme

Nga: Gjon Marku Më: 20 shtator 2023 Në ora: 16:30
Gjon Frroku

Rrëfimi, por edhe narracioni letrar, si tregim i shkurtër, me të cilin jepen legjendat tona të kahmotshme në të shumtën e rasteve vijnë, si një mallkim i stërlashtë, sa herë protagonisti ndodhet në krah të një dashurie të vjetër apo të re, e sidomos, kur kjo dashuri duhet flijuar, përballë dashurisë për vendin, mbijetesën apo për vazhdimësinë e jetës. Rrëfimi hapet dhe mbyllet me një kureshtje të madhe për tiranin e faktorëve të jashtëm mbi popullin e këtij vendi. Teksa i mendon apo i vështron “legjendat e legjendave” siç janë ajo e Kostandinit dhe e Doruntinës apo legjenda e Rozafes, të duket se je i mbështjellë në një mjegull e nëpër të, ndërdyzash, qoftë tek vajza e murimit por dhe tek balada e Kostandinit dhe Doruntinës edhe pse është në të vërtetë një trill narrativ, befasohesh. Rrefehet një vdekje e vetme dhe ringjallje mitike, e kjo vjen në shërbim të lirisë. Ndërsa tek gruaja e murimit pikon qumështi i saj për të rritur të birin, ndërsa ajo qëndron e murosur nën themel. Vdekja vjen dhe si veprim i faktorëve të jashtëm por edhe si dashuri për jetën dhe vazhdimësinë e saj, si të jetë e përcaktuar nga trinia e shenjtë:”Në emër të atit e të birit e të shpirtit të shenjtë”. Ndërsa Kostandini ngrihet prej varri i pluhurosur, që të mbaj fjalën e dhënë. Vdekja vjen prej luftës për të mbrojtur këtë vend dhe këtë truall, e në të dyja rastet vdekja dhe zhvillimi i ngjarjeve brënda strukturës së legjendës është njësoj i frikshëm e vijnë si rezultat i tiranisë e me shumë vjen si dramacitet.

Teknika e përkryer e narracionit mitologjik hedh dritë mbi mitikën e këtij populli të stërlashtë e na kthjellon apo na mjegullon njëherësh për vetë magjinë nëpër të cilën kalon narracioni artistik i cili vjen nga e kaluara në të tashmen ku e kaluara është balada, që sjell me vete mjegullën e flakjes tutje të vdekjes ndërsa e tashmja është njeriu dhe vazhdimësia e jetës së tij.

Baladat tona nuk janë vetëm këto kryebalada. Ndër baladat mjaft prekëse dhe të spikatura janë dhe baladat e kënduara apo kërcyera që zënë vend në memorien e popullit tonë sidomos në Veriun e Shqipërisë.

Kështu kantautori Gjon Frroku është një mjeshtër i denjë, e krenar i gjinisë së të kënduarit të baladave, e qysh herët, atyre ju jep jetë dhe i ngulit në kujtesen e brezave, si gurë të qënsishëm e të rëndësishëm memoristik. Këngëtari rrjedh nga ai konak ku mbeti si lajtmotiv një shprehje e të zotit të shpisë: “ Kush ka vak, pi kafen time”. I shkuan miq në shtëpi e nga dritarja sa një frengji e oxhakut të varfër, Ai kundroi kallma pishe të ndezura, prej larg. E kuptoi se miqëve u është zënë pritë.

- A je tu e pjek or mik at’ kafe?

- Kush ka vak pi kafen time - thotë Frrok Vigu.

Kështu la gjurmë fjala, kafja e Frrok Vigut. Ngjarja u bë këngë e kënga mbeti si baladë, në çdo odë shqiptare: “Ven e hiq gjevzen mbi prush/ Fik at zjarr që ndez dikush/ Shujë at sherr sa pa marrë flakë/ Pa kris pushka në pesë bajrakë/ E prej motit, mbeti një fjalë/ Kafja e zezë faqen ta zbardh…

Po të ndalemi në “këngën e Gjarprit”, apo Ago Ymerit por dhe në baladat e tjera, rrëfimtari aktual tronditet dhe përmes një grotesku therës rrëfen për këdo tjetër së njeriu ka brenda botën e jashtme dhe botën e brendshme.

Ja çfarë rrëfen, Ai:

“Baladat, të cilin e kam redaktuar, marrë nga Fishta dhe kënduar në variantin tim, është pranuar më të njëjtin motiv nga muzikantët të cilët ishin profesionistë në Radio-Televizionin Shqiptar dhe është thënë prej tyre që ky është varianti më i pranuar nga të gjitha trevat shqiptare. Edhe kjo, Ago Ymeri(Ymer Agë Ulqini) është shtatë minuta dhe tridhjetë sekonda, duke e veçuar si baladat më të gjata bashkë me këngën e gjarpërit, në fonotekën e muzikës shqiptare...”

Gjuha e rrëfimit në baladat tona ngjizet si e mjegulluar, kur akti i merr tonet e një monologu dramatik në pikën kur protagonisti dhe narratori bëhen përfundimisht një person i vetëm me një ndërgjegje të përbashkët.

Në aktin e dehjes ka një lloj tymnaje që përrreth të duket e mjegullt. Është ky stacioni rrëfimor që i paraprin atij procesi, që tashmë është i kapur në një luftë midis besimit dhe arsyes.

I lidhur ngushtë me kuptimin mitologjik është supozuar se ekziston një dhe vetëm një, realitet njerzor, në të cilin përputhet dhe funksionon i gjithë rrëfimi, i cili lind ndoshta nga aftësia dhe tendenca për të njohur botën materiale dhe atë shpirtërore. Kështu baladat e kënduara nga Gjon Frroku nuk e mjegullojnë të kuptuarin e tekstit gjatë leximit apo në rastin e të kënduarit dhe të dëgjuarit. Ato prej kreut e deri në fund janë një poemë e ngjeshur, ku epika tragjike dhe lirika, gërshetohen me njëra-tjetrën, po aq natyrshëm sa vdekja dhe dashuria.

Gjoni i ndjek me kujdes baladat tona dhe si një gjenerator idesh krijuese, por dhe si një artist i dalluar në rrëfime por dhe si një njohës i mirë i forklorit dhe traditave tona, di të përzgjedhë e të veçojë ato që i duhen. Prandaj Ai harmonizon në një mënyrë krejt origjinale dhe të pa përsëritëshme muzikën me interpretimin, që është e pa ndarë në tërë krijimtarinë dhe institucionalizimin e personalitetit të tij krijues. Ai gjurmon dhe i përjetëson këto balada në memorien e një grupi të gjërë. I zgjedh ato me kujdes e përpunon vargun dhe nëpërmjet interpretimit të tij pasi organizon melodinë e mbështetur në rregulla tradicionale e këndon atë i intonuar në një artikulim të kuptueshëm e kështu e naltëson fabulën. Për baladën: “Në Bigë të Shalës ka dalë Kuçedra”, Ai thotë:

“Në karakterin e të kënduarit tim mendoj se ka rritur vlerat që kënga mbart në brendinë e saj. Kjo këngë lidhet jô vetëm me luftën kundër Serbo-Malazezëve, por dhe me lidhjen e fiseve shqiptare të veriut, përfshirë në këtë luftë, Duke filluar nga Kelmendi deri në Orosh të Mirditës. Vlera e kësaj kënge është vlera e komunikimit ndëretnik dhe prezencës së fiseve në çdo rast kur Kombi kishte nevojë, përfshi edhe luftën e Malësisë së Dukagjinit për të cilën kënga bën fjalë”.

Dashuria mbetet hyjnore për njeriun dhe për qenien e tij shoqërore, ndërsa vdekja në shumë raste mbetet akti i flijimit për të.

Realja vjen si tymnajë dhe pse nuk është e tillë por e përshkruhet si i tillë ku nuk mungon ironia përtej tension dhe dramës që mbart me vete balada. Ai sekret apo ajo e fshehtë, që mbart fort balada që nga Konstandini me Doruntinen apo dhe te ajo e Rozafës që mbeten kryebaladat tona por dhe në baladat e kënduara dhe interpretuara nga këngëtari Gjon Frroku mbartin me vete edhe atë të fshehtë që i kthen ato në dramatike, që rrit dramacitetin por jep dhe një mesazh të fuqishëm.

Esat Ruka ne librin e tij “Dukuri, Fenomene Kulturore, dukuri krijuese” pohon se: “Gjon Frroku me baladat, që kanë vlerë madhore të traditës dhe të ralitetit tonë jetësor, me qëndrimin dhe ndihmesën e tij qytetare, ka çartifikuar përjetësinë e tij në kujtesën artistike të breznive të ardhëshme”

Vetë liria shpaloset si koncept i cunguar, për atë që e rrëfen ngjarjen nga distanca kohore dhe ende e mbart në kujtesë peshën e fajit në emër të ideales, njerëzores, dashurisë.

Gjymtimi fizik siç është rasti i gjarpërit nuk e zbeh dhe nuk e mund virtytin e brendshëm njerëzor. Përçasja në ndërtimin e situatave arrin pikën kulminante në përshkrimin e atmosferës. Monologët, dialogët e klithmat vijnë gjithashtu si prej një tjetër bote, përballë këtij deti të paanë të ndërgjegjes ku vendoset figura e një personazhi të vetëm: “Djalit Gjarpër”.

Rrafshi legjendar është përçartje e personazhit përballë turmës që ka humbur kthjelltësinë për shkak të pushtimit të nëndërgjegjes, por përballë lexuesit dhe të vetë personazhit përballë vetes, nuk është tjetër veçse përçartje alegorike.

Thënë ndryshe, krijimi i një realiteti paralel, ku rrëfimtari, edhe si personazh kryesor arrin të kthjellohet, nuk realizohet në po atë realitet ku vërtitet në gjendje amorfe (herë si vete reale e herë si hije e vetvetes), por ndodh në një realitet paralel, me hyrjen "reale" në pragun e baladës.

Është pikërisht ky prag që i dërgon kumte dhe i’a ruan protagonistit sakrifikimin e nëndërgjegjes, kur përçartja kolektive është përhapur anembanë si epidemi.

Gjon Frroku i njeh dhe baladat e tjera, natyrisht, ai e njeh dhe e ka dëgjuar dhe baladën ku fuqishëm vargu “Mbeçë more shokë mbeçë/Përtej urës së Qabesë" i vijnë ndërmend rrëfimtarit, si për ta shenjuar për të shpëtuar nga vetja, në mesin e gjithë asaj turme të marrësh.

Gjon Frroku në mënyrë po kaq madhështore këndon baladën “Lamtumirë vendet e mija”. E ky personazh është i ndryshëm ai mbart mallin për Atdheun e vet që i lë lamtumirën.

Balada si truk i ngjizjes së një realiteti paralel është një nga teknikat narrative më të përkryera të legjendave tona.

Baladat e kënduar dhe interpretuar nga Gjon frroku nuk kanë gjë të përbashkët bie fjala me baladat e thuruara nga Petrit Ruka me motive nga foklori ynë i Jugut “Hanko mos qaj nëpër varre” është krejt magjike por me një dallim të madh me këngë baladat e kënduar nga Gjon Frroku, ashtu siç kanë tjetër stukturë dhe ndërtim dhe këngë kërcimin apo me interpretimin koreografik ku këmbët rrihnin fort tokën, ndërsa krahët dhe zërat synonin qiellin. Dukej se trupat dhe shpirtrat përpëliteshin për t’u liruar nga një peng shekullor, nga një faj që nuk e lan dot një jetë njeriu, por shtegëton nga një brez në brezin tjetër, siç ndodh kur thirrja më tepër vajtuese, se kënduese e referenit: “Ç’deshe ti në Kamenicë”

Kur vallja mbaronte, burrat e moçëm dukeshin krejt të çliruar dhe në fytyrat e tyre ulej një tis pafajësie, sipas një procesi ekzorcizmi. Kurrë nuk e mësova tekstin e kësaj valleje të kënduar, kurrë nuk e mora guximin të pyesja përse bën fjalë, ndoshta nga nga frika për të mos thyer magjinë që krijonte ajo skenë e mbartur nga kohëra të moçme, që, sa herë e kujtoja, më përthithte në një tjetër kohë, në një tjetër melodi gjuhe e zërash, deri kur lexova këtë krijim mjaft të bukur, me motivin e asaj kënge, të ndërtuar mjeshtërisht nga poeti i ndierë Petrit Ruka. Ndjeva një lehtësim në kujtesë. Aty mësova se vargu i famshëm “Hanko mos më shko ndër varre”, nuk është vetëm fillesë e një romance për bukurinë e vashës shqiptare, por edhe fillesë e një balade dhimbjeje.

Gjon Frroku në të kënduarën e tij, mbështetur fort te balada arbërore, sjell një tekst ngjethës, risjell skena rrëqethëse. Kënga e endur në pëlhurën e kohës me fije dhimbjeje vjen te ne nëpërmjet zbulimit dhe restaurimit të mozaikut të pluhurosur nga koha, por falë mjeshtërisë së rrallë të Gjon Frrokut, ky tekst është ngritur në ligjërim brilant si një gëdhendje e pazakontë poetike dhe interpretuese.

Në baladë Gjon Frroku, krahas dhimbjes, ndalet edhe të bukuria e saj, që verteton edhe ekzistencën e një motërzimi të tekstit në formë romance. Në tekst nënvizohet forca e bukurisë, efekti i saj, që kurrsesi nuk matet me efektet që shkakton dhimbja. E bukura shndërron objektet rreth e rrotull saj, shdërron edhe veten nga dhimbja.

Edhe kur flet pë bukurinë e djalit gjarpër, autori nuk largohet për asnjë çast nga dhimbja, si shenja themelore semantike e këtij teksti. Ja çfarë thotë Ai:

“Unë fillova të këndoj që në moshën 15-vjeç, por gjithmonë deri në vitin 90-të, ishte e veçantë përzgjedhja, që bëja, ngaqë fabulat vinin nga Homeri i veprave shqipe, At Gjergj Fishta dhe mendova ti këndoj në një variant tjetër, të cilin në vitin 1990-të e intepretova në radio- Televizorin Shqiptar, ku bashkë me këngën e Ago Ymerit, u bënë shumë të kërkuara nga publiku, po kështu ndryshoi dhe jeta në karrierën time artistike. Theksoj se për ta sjellë këtë këngë në vëmendjen e dashamirësve të artit tim dhe të specialistëve të kësaj fushe ishte redaktimi i vargjeve duke përmbledhur në tetë minuta e tridhjetë sekonda, duke sjellë dhe melodinë në natyrën e karakterit tim verior e veçanërisht, ajo jo vetëm u pranue, por është kthyer në një diskutim nga yjet e muzikës shqiptare si Çesk Zadeja, Tish Daia, Marita Zykaj, Tonin Çobani, Esat Ruka,etj etj, të cilët janë shprehur nëpërmes mikrofonit të televizionit dhe Radios për bashkatdhetarët”. Autori përveç këngëve të pashkruara, në oda, në skena dhe ballkone natyrore, ka botuar dhe dy libra me këngët e tij:” Për Atdhe Kënga Nuk Ndalet” dhe “ Lajmëtari i Baladave”

Bukuria nuk e shndërron dot dhimbjen, ndërsa dhimbja ka forcën e madhe për ta ngrirë atë, për ta murëzuar, duke u përcjellë te lexuesi si dhimbje të bukur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat