Mesazhe hyjnore me buzëqeshje arbërore

Kultura

Mesazhe hyjnore me buzëqeshje arbërore

Nga: Baki Ymeri Më: 28 shtator 2023 Në ora: 12:46
Foto ilustrim

Poeti është profeti që hap portat e parajsës kurse poezia e vërtetë fillimisht lind në frymën hyjnore, pastaj zbret në perandorinë e muzave dhe mund të pushtohet vetëm nga ata që janë të destinuar për pavdekësi. cMonda Hamitaj është një zë i dalluar i diasporës shqiptare. Poezia e saj nuk lind nga dhimbja, por nga gjendja e kërkimit, e shndërrimit të së pamundurës në të mundshme, nga etja për monolog në një kohë të dialogu të pamundur. Monda shpërndan mesazhe, detaje për jetën, në të cilat trazohet bota njerëzore, përmes meditimeve të universit lirik. Ajo na ofron vargje të ndjeshme dhe të thella përmes autenticitetit dhe sinqeritetit të shprehjes së emocioneve në një regjistër stilistik të zgjedhur. Për të regjistruar vendin e saj në bashkëkohësi, duke e regjistruar mes poeteshave të rralla që i japin një pamje të re lirikës së ditëve tona.

Poeti shëmbëllen me fshirësin e pluhurit të yjeve, sidomos kur në ce tij shpërthen metafora dhe fluturimi në qiell. Shpirti, ëndrrat, heshtjet, mallëngjimet, dhimbjet, meditimet mërgimtare, dashuria ndaj familjes dhe atdheut, janë disa nga subjektet që trajton Monda Hamitaj në korpusin e poezive të saj. Poetja na rekomandon t’i kultivojmë kujtimet dhe ëndrrat. Si e ndjen veten njeriu kur flet heshtja? Ka momente kur në vargjet e saj heshtja është një dhuratë hyjnore. Duke lexuar poezitë e saj, konstatojmë se ato kanë diçka hyjnore dhe misterioze në përmbajtjen e tyre.

Duke e përdorur shprehjen shpirt, autorja e këtyre vargjeve hyn me sukses në botën magjike të fjalëve, duke I hapur portat e Parajsës me një “këmishë gazmore”. Dashuria dhe pavdekësia fshihen në tekstet e saj. Monda është një ëndërrimtare e ndjeshme, sublime dhe e sjellshme. Poezia është stina e pestë në të cilën pranvera përzihet me të gjitha lulet, puthjet dhe ndjenjat. Këtu është një mesazh i pastër për hyjnitë! Njerëzit e mirë janë si engjëjt. Çdo ditë e jetës së tyre është një dhuratë nga Zoti. Bota e fëmijërisë është bota e poezisë, bota e shpirtit të hapur. Vargjet kërkojnë shenjtorë dhe martirë që shihen jo vetëm si do relike për t'u adhuruar.

Cila është bukuria hyjnore në poezinë e Zonjës Monda Hamitaj? Është mjalti i shpirtit, shpirti i fjalëve dhe sharmi i tyre. Viktor Eftimiu, një shkrimtar i famshëm rumun me origjinë shqiptare, ka thënë në librin „Magjia e fjalëve” (1942): „Nuk mund ta dërgosh librin të luftosh i vetëm, siç u dërgua ushtari rumun në vitin 1916. I duhet artileria e madhe e prestigjit kombëtar, mitralozat e reklamës, çimentoja e vazhdimësisë, urat e harkuara që lidhin bregun me breg, njeriun me njeriun, njerëzit me njerëzit.” Monda Hamitaj errdhi në botë për të sjellë gëzim dhe bukuri. Nëpërmjet bukurisë hyjnore në poezitë e saj, ajo i përfiton zemrat, simpatinë dhe entuziazmin e të gjithë krijuesve dhe adhuruesve. Poezitë e saj përfaqësojnë një ishull paqeje, plot dashuri. Poetja shkruan për dashurinë si një dhunti e bekuar që vjen e shkon, që të lumturon dhe s’të harron: „Më rrëmbeu e bekuara / Më rrëmbeu si çdo çast/ Flakëroi në shpirtin tim/ Më dha krahë, më bëri flakë./ Më degdisi në marrëzi ,/ Atje ku shpirti dot s’duroi/ Nëper borë dhe nëpër shi / Shpirti zemrën e pushtoi.”

Herë pas here, rima është buzëqeshja e vargut. Nuk duhet t'ua lëmë bukurinë vetëm artistëve, moralin fetar priftërinjve dhe ushtrimin e drejtësisë vetëm juristëve. Jeta kalon dhe fjalët mbeten. Autorja vjen përmes rrugës magjike të frymëzimit. Gjithçka është dashuri në botën e saj. Mirazhi i poezisë i jep jetë dhe fuqi, të drejtë qytetarie, çdo lloj arti. Vargu i Mondës është i thellë, i rrumbullakët dhe i ndritshëm si një kokërr margaritari me tinguj e jehonë: “Zbres sytë në rrugicat e heshtura/ Atje ku vraponte një kalë i bardhë/ Krifa e tij tundej dhe shkundej/ Mua më zgjoi të fshehtin mall./ Ashtu si ai, zemra ime e harlisur/ Dashuroi si e çmendur në erresirë/ Dridhej prej prekjeve e prangosur/ E mbajti në dryn shpirtin e lirë.”

Cilat janë kodet artistike të poetes Monda Hamitaj? Koncepti i afirmimit të gjuhës së bukur poetike bëhet fenomen dhe domosdoshmëri shpirtërore, jo vetëm e krijuesve, por edhe e lexuesve anembanë planetit. Kjo domosdoshmëri e ka misterin e saj në nënvetëdijen e sotme, e cila në tërësinë e saj ka shtresëzimin kultivues në gjuhën e shpirtit krijues, që vjen si një jehonë bashkimi. Që nga kohërat e lashta, poeti ka sjellë dhurata hyjnore për njerëzimin në të gjithë botën. Fjala poetike, më shumë se çdo artikulim tjetër komunikues, arriti të deshifrojë ndjenjat njerëzore, në universalitetin e tyre, përmes konotacionit të fjalëve: “Mos ndalo se të kam harruar/ Vargut i them që mos të qajë për ty/ Si rreze drite më shfaqet rruga/ Ku zemra e braktisur gjen qetësi.”

Në këto deshifrime të kodifikuara të shpirtit njerëzor, lirizmi, si harmonizimi më i përsosur i botës shpirtërore,

përmes forcës dhe virtuozitetit të nënkuptuar nga fjala poetike, njeh shpërthimet dhe turbulencat shpirtërore, duke shpalosur një universalitet unifikues të mallit, dhimbjes, dashurisë, përmes misticizmave ekzistenciale, duke zbuluar magjinë dhe fuqinë që zotëron fjala dhe tingulli i mesazhit poetik. Kjo lirikë e komunikimit, në thelbin e saj të gjenerimit komunikues, shpaloset në shpirtin e njeriut, pa ndarje gjuhësore, fetare, në mbarë botën, sa më e madhe të jetë në hapësirë, aq më afër harmonive dhe tingujve të botës poetike dhe shpirtërore.

Simbioza e lirizmit shumëdimensional nuk është vetëm boshti qendror i poezive të Zonjës Monda Hamitaj, por edhe meridianet dhe paralelet e planetit të saj poetik. Autorja arrin në një vallëzim paksa transcendental në rrugën magjike të frymëzimit, nëpërmjet risive moderne. Në këto shkallë monolite të poezisë, magjia poetike vjen me digresion si jetë, si brez, si e drejta gjuhësore e metaforës babilonase, për të parë përtej horizonteve të reja. Ky shpirt i lirë poetik vjen nga thellësia e detit shpirtëror, shkëlqen si një margaritar, me vezullimin, forcën dhe tingullin që sjell jehona e një guacke, që buron nga thellësia e shpirtit, duke u shumuar me tinguj e jehona të reja me zjarrin e zemrës.

Titulli i poezive, i zgjedhur nga autorja e këtyre vargjeve të frymëzuara, interesante dhe mbresëlënëse, në simbolikën dhe metaforën e tij, është çelësi i tokës poetike që hap dritat e angazhimit dhe vargëzimit poetik, brenda botës shpirtërore të unitetit lirik në horizontet kombëtare dhe ndërkombëtare. Në poezitë e saj, autorja na paraqitet përmes një vështrimi të filozofisë së jetës nga pikëpamja psikologjike, përmes një digresioni shpirtëror duke shpallur poetikisht mendimet e saj: “Sot zemra ime ka shumë mall/ Nje gotë me verë ta pijë por jo me ty!/ Dhe do të thonë se u çmend prej saj/ Dhe pranë asaj shpirti i kumboi/ U dashurua me atë si e marrë/ E piu me fund se fort e dashuroi.”

Në disa vargje poetesha arrin të na japë një amalgamë të misterit dhe ambientit të saj. Në të tilla trajtime poetike, jo tema, por subjektiviteti poetik, është shembulli më domethënës, ku Monda i servir shpirtin poetik lexuesit në një pjatë argjendi. Në këto kontekste, në nëntekst, si përkufizime të dialektikës, mohimi, nëpërmjet përballjeve të të kundërtave, nxit zhvillimin shoqëror ku shqetësohet nga tingujt që kalërojnë me katër këmbë mbi zhavorret e panjohura për të nesërmen. Në këto mistere të modernitetit poetik, kur e rrëmben dashuria, autorja hap derën e kodekseve poetike, që hapin dyert e amalgameve poetike: “Më rrëmbeu e bekuara/ Më rrëmbeu si çdo cast/ Flakëroi në shpirtin tim/ Më dha krahë, më bëri flakë./ Më degdisi në marrëzi ,/ Atje ku shpirti dot s’duroi/ Nëper borë dhe nëpër shi/ Shpirti zemrën e pushtoi.”

Në kodikun e parë, struktura stilistike monolitike e ngjit dhe e zbret lexuesin në trillimin poetik, porsi kulla e Babelit, duke i hapur çdo lexuesi horizonte të reja udhëtimesh novatore, nëpërmjet metaforave. Duke ndërthurur vetveten poetike me atë shoqërore, autorja nxjerr në pah aftësinë për ta vënë lexuesin në rolin e protagonistit, duke e bërë atë të ndihet sa metaforik, në botën e dukshme dhe të padukshme të universit emocional. Ajo e kupton këtë duke çmitizuar mitet dhe legjendat. Kështu, poetja shpall prioritetin e personazheve poetikë duke i barazuar me substanca të reja, si një fenomen i ri socializimi. Në këto kontekste, produkti poetik në tërësi i ngjan një mozaiku, ku poezitë në veçantinë e tyre janë mikrongjarje, ide, figura, mesazhe, të cilave autorja e transmeton dhuntinë dhe atmosferën e bukurisë poetike.

Kjo është një dhuratë që ka një mision: të nxjerrë në pah protonizmin dhe vitalitetin e shpirtit njerëzor. Në kodikun e dytë, nën tingujt e një Paso Dople, çelësi i vetmisë poetike na sjell notat e një lirizmi filozofik dhe sentimental, si paradigmë e një simbioze epiko-lirike, përmes konceptimeve të reja moderne. Brenda kësaj valleje poetike, lexuesi ndjen botën epiko-lirike në kontekste të reja, ku fryma lirike vjen përmes tingujve shpirtërorë të violonçelit të të dashuruarve që ndjejnë bukurinë e jetës. Ndodh kështu pas një stuhie dhe një eklipsi, kur dielli shkëlqen dhe natyra bëhet e gjallë. Pra, në botën shpirtërore të lexuesit, si në një kinematografi, shfaqet ylberi i poezisë, aq i nevojshëm sot në shoqërinë konsumatore.

Thonë se kur në dashuri mbizotëron heshtja, është fundi i gjithçkaje apo është vetëm fillimi! Me paqën e shpirtit tim dhe në heshtje, thot autorja me fjalë të tjera: Kishim zemrat e mbushura me dashuri. Poetesha kërkon rrugët e zemrës, kurse heshtja është privilegj i njerëzve të matur dhe të mençur. Ka momente kur ajo flet më shumë se çdo britmë që do shkatërronte çdo gjë të bukur. Në rrugicat e heshtura heshtja të krijon mundësi për të reflektuar dhe për të zgjidhur në kohë çdo mosmarrveshje. Heshtja është arti i mendimit dhe pragu i çdo zgjidhjeje. Ka apo nuk ka heshtja edhe anën e kundërt të medaljes? Pse jo! Po ia japim fjalën: Si shtojzavalle u ule prej qiellit/ Mbi liqenin e dashuruar u ndale/ Fustanin e shëndritshëm e flake tutje/ Trup zhveshur në liqen u ndodhe atë çast./ Mes valëve deheshe, trupin e freskoje/ Flokët e arta i krehje me dorë/ Në gjoks të liqenit zhyteshe dhe rendje/ Matanë bregut mua më le të pagojë.

Gjithmonë, në poezi, në pikturë, në muzikë, në kuptimin e njeriut, muzgu ka qenë momenti më poetik, më melankolik, apo madje, më nostalgjik i ditës. Tek-tuk, në spektrin e frymëzimeve të autores fanitet bota magjike e ëndrrave. E inspiruar nga ora simbolike e mallëngjimit, Monda Hamitaj u jep shprehje sentimenteve dhe mendimeve të mbështetura mbi botën që e rrethon, përmes bukurive të saj dhe diversitetit të saj të çuditshëm: “Në oazin e thellë të mendimeve, / Zhytem dhe dhimbjet i lexoj / Atje përhumbet filli i kujtimeve / Vrapoj t’i gjej, rrugën e ngatërroj. / Çuditërisht një rreze drite hapet / Shohë lotin që laget në shi / Pranë një peme me lule veshur / Kërcen syshkruara krahëhapur atje. / Tek i shikoja ashtu mendueshëm/ Lotin dhe vajzën atje larg/ Më pushtuan sërisht mendimet e stisura/ Që si diell e shi ngujuar më mbajnë.”

Ja loti i fjalëve dhe buzëqeshja e tyre! Pse bre aq fshehur po vjen, pyet autorja, dhe vijnë mendimet njëri pas tjetrit, Po i japim si prozë poetike: Ditët ngrysen mbi dallgët e dhimbjes. Koha përmbytet pak e nga pak. Ku vall t’ia gjej fillin ditës. Lamsh po më duket gjithëçka. Vargjet e Mondës krijojnë botën në mënyrë harmonike, duke i ndjerë dhimbjet, pa tendenca vetëmburrjeje apo egoizmi, pa i ngarkuar vargjet me rima klasike, duke na e dhuruar hijeshinë e botës dhe vlerat e atdheut, që janë krijuar ekskluzivisht për njerëz.

Në kuadrin e mesazhit, në nëntekstet, në fakt duket imagjinata krijuesepër lexuesit me një synim të përbashkët: dëshira për të motivuar të gjithë për të zbuluar rrënjët e tyre në botën e brendshme me misticizmin e tyre. Në këto kodifikime të disa risive moderne, të shprehura poetikisht nga Zonja Monda Hamitaj, ka vargje autentike në përmbajtje dhe universale në kozmopolitizëm. Si në një film estetik, vërejmë në poezitë e saj një fjali që përcakton Luis Brilante: “Estetika është e qartë, po aq e drejtpërdrejtë dhe e papërcaktuar, si dashuria, si shija e një fruti, si uji. Poezinë e ndiejmë njësoj siç e ndiejmë afërsinë e gruas apo aromën e maleve apo të thellësive të detit.” Monda Hamitaj nuk është poetja e habisë apo e heshtjes. Ajo është poetja e lumturisë, një engjëll i adhuruar dhe një dhuratë hyjnore me buzëqeshje arbërore.

GRUA

Në labirintet e shpirtit të dashuruar

Je ti që universin me puthjet e zgjon

Fshinë lotët prej dhimbjeve të shpirtit

Buzëqeshë serishtë si më i bukuri meteor.

Kush nuk u shashtisë prej hireve të tua

Dhe në dallgët e dhimbjes u zhytë me dëshirë

Kush s’u përhumbë prej syve të saj të shkruar

Dhe s’u çmend prej helmit të dashnisë?

Në kilometra zgjatuar Ajo ecë

Mes erës dhe sufferinës, në Shi

A ka rrufe që t’ia ndali hovin që i lëshon buzëqeshjen

Me rrezatimin e saj risjellë pranverën mes dimrit të ngrirë.

Ajo grua që me dhelet e saj gjynjëzoi malet

Hodhi prej fronit me qindra perandorë

Pushtoi mbretëritë me dashuritë e saja të fshehta

Tronditi universin tokësor kur zëri i saj gjëmoi.

Grua, tronditja e gjithpushtetshmja

Shpirtluaneshë e dashurive hyjnore

Pjalmimi më i shëndetshëm në universin e përjetësisë,

Rezonanca më apstrakte e shpirtit të pakompozuar

Që prej shekujsh i mban mbërthyer të gjitha dashuritë.

PUTHJET E TUA!

Si shtojzavalle u ule prej qiellit

Mbi liqenin e dashuruar u ndale

Fustanin e shëndritshëm e flake tutje

Trup zhveshur në liqen u ndodhe atë çast.

Mes valëve deheshe, trupin e freskoje

Flokët e arta i krehje me dorë

Në gjoks të liqenit zhyteshe dhe rendje

Matanë bregut mua më le të pagojë.

U shfaqe sërish mes ujërave të praruara

Pudrosje me ar’ valët e tij

Tek rizhyteshe sërisht mes tyre unë mekesha

Malli dhe dashnia më vlonte në gji.

S’në vjen turp të them së ato çaste i xhelozova

Kur valët e liqenit i puthje plot zjarr

Kur trupin e zhveshur i fale atij.

Në sytë e mi si i vetmi dëshmitar.

Prita më kot të më shikoje

Një puthje që larg të ma nisje ti

Dashnia të dyve na kishte rrëmbyer

Dhe unë sypërlotur që s’isha ai.

U largova trishtuar drejt territ të natës

Se drita jote s’ishte atje lart

Prej reve derdhej sinfonia e mbrëmjes

Që pritjet e mia i shtyu larg, shumë larg.

Tek ecja ashtu mes hapave të mpleksura

Provova që ta shoh sërisht atje

Ajo me fustanin e artë po ngjitej lart

Drejt qiellit syrin ma shkeli si për të thënë:

Po ngjitem të ndriçoj përreth!

PASARELA MENDIMESH

Në oazin e thellë të mendimeve,

Zhytem dhe dhimbjet i lexoj

Atje përhumbet filli i kujtimeve

Vrapoj t’i gjej, rrugën e ngatërroj.

Çuditërisht një rreze drite hapet

Shohë lotin që laget në shi

Pranë një peme me lule veshur

Kërcen syshkruara krahëhapur atje.

Tek i shikoja ashtu mendueshëm

Lotin dhe vajzën atje larg

Më pushtuan sërisht mendimet e stisura

Që si diell e shi ngujuar më mbajnë.

Zbres sytë në rrugicat e heshtura

Atje ku vraponte një kalë i bardhë

Krifa e tij tundej dhe shkundej

Mua më zgjoi të fshehtin mall.

Ashtu si ai, zemra ime e harlisur

Dashuroi si e çmendur në erresirë

Dridhej prej prekjeve e prangosur

E mbajti në dryn shpirtin e lirë.

Dhe thonë se prej kujtimeve shpirti meket

Dhe brenda tyre me një murgeshë ngjason

Une mendueshem u them pa frikë

Kujtimet si trëndafil shpirtit bulëzojnë.

Atje në pasarelen e mendimeve

Mbyll syte një çast, thellë frymoj

Shpirti më gufon, i dehur në gji

Shall të trëndafiltë më hodhi pranvera

Parfumuar në aromën dehëse të buzëve

Që pranverën e tundojnë.

NJË GRUA NË SYTË E TIJ

Lumë që rrjedhë pandalur në shkretëtirë

Cicërima e jetës që mëngjeset i zgjon

Oaz i pafund dashurie zhurmuese

Një kordhele e kuqe mbi flokët e ujëvares.

Buzëqeshje pranvere parfumuar nga puthjet

Kompozim i një kënge të pakënduar kurrë

Ninullë e spërkatur me qumshtin e gjirit

Ekuacion i mistershëm i pa zgjidhur kurrë.

Shpërthim i pranverës mes akullnajave polare

Muzë lirike që shpirtin e trazon

Nje lot i fshehur netëve te gjata

Një klithmë dhimbjeje që jetën e zgjon.

Dashuri engjëllore e qëndisur me ar’

Simbiozë e shpirtit në fluturim

Shi dhe furtunë ku thyhen rrufetë qiellore

E paimagjinueshme, vullkan

Nëse ia ke prekur dashurinë.

MË RRËMBEU, AH DASHNIA!

Më rrëmbeu e bekuara

Më rrëmbeu si çdo çast

Flakëroi në shpirtin tim

Më dha krahë, më bëri flakë.

Më degdisi në marrëzi ,

Atje ku shpirti dot s’duroi

Nëper borë dhe nëpër shi

Shpirti zemrën e pushtoi.

S’ndjeja ftohtë nga bora jashtë

Që mbi flokë më qëndronte

Që rreshqiste mbi gjoksin tim

Dhe të tërën më pushtonte.

S’kisha ftohtë prej prekjes së saj

Sepse zjarrin kisha në gji

Që më bënte zog me krahë

Rrebelonte shpirtin tim.

Më rrëmbeu ah, dashnia

Dhe me mua nisi të luaj,

Unë e bindur aq sa s’thuhet

Brenda saj zemra prush.

Më shndërroi në vullkan

Me llavë shpirtin ma pushtoi

Edhe pse dimri ishte nën këmbë

Zemra digjej, puthjet s'ndalonin.

TROKITJE NË SHPIRT

Në pasarelën e mendimeve harruar

Ti shfaqesh dhe gjumin ma trazon

Vërtitesh rreth meje pa trokitur

Mos të lutem mos mu afro!

Ka vite që ajo rrugë eshte mbyllur

Tretur ndër vite, pa zjarr në gji

Coptuar prej unit të vrazhdë prej teje

Lënë si jetime plot dhimbje në shpirt.

Unë e kryqëzova dhimbjen e shpirtit

E degdisa larg se shpirti s’e duroi

Si një oqean i qetë bregut flladitem

Ndaj të lutem këtu mos u ndalo!

Mos ndalo se të kam harruar

Vargut i them që mos të qajë për ty

Si rreze drite më shfaqet rruga

Ku zemra e braktisur gjen qetësi.

Atë qetësi që kurrë pranë teje s’e gjeta

Se suferinë dhe akull kishe në shpirt

Sot zemra ime ka shumë mall

Nje gotë me verë ta pijë por jo me ty!

Dhe do të thonë se u çmend prej saj

Dhe pranë asaj shpirti i kumboi

U dashurua me atë si e marrë

E piu me fund se fort e dashuroi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat