Vargje që artistikisht pasqyrojnë bukur manifestimin e jetës shpirtërore

Kultura

Vargje që artistikisht pasqyrojnë bukur manifestimin e jetës shpirtërore

Nga: Xhavit Çitaku Më: 15 tetor 2023 Në ora: 10:48
Kopertina e librit

Poezitë e Imri Demisait në librin e tij më të ri i titulluar “Jam strugan” vërtetë janë intriguese, të cilat kanë lidhje me kohën e rinisë ku pushpuriteshin ëndrrat dhe stilimet e përjetimit të asaj kohe e mbushur me plot të bukura, por ndonjëherë edhe ca hidhërime djaloshare. Duke lexuar 55 vjershat e këtij poeti mërgimtar shqiptar vërehet se ai nuk mund t’i anashkalonte ngacmimet që e nxisnin për të provuar atë që vlonte brenda tij duke treguar qartë dimensionet e tij morale e kritere intelektuale, pa të cilat një poet nuk mund të rikrijon në letërsi. Ai, pra, së pari e dashuron fort idenë dhe si të thuash e ndien një lloj urgjence për të dhe shih për këtë poezitë e tij dalinë të mira dhe pelqehen nga lexuesi. Thënë konkretisht, ky krijues, sikurse edhe shumë të tjerë në mërgatën shqiptare, nuk mund të mbetët indiferent për asgjë që është motiv i reflektimit dhe shtytjes për të bërë diç që atë që e mundon ta shpreh në letër dhe kësisoj ai vihet në qendër të veprimit për të mbajtur të ndezur shkëndijen e atij veprimi që e gjallëron dhe e forcon shpirtërisht për aksione praktike që aq mirë i pret lexuesi dhe publiku. Në këtë libër poetik zëri i këtij krijuesi nuk del si një i thjesht e pakuptim, por ëshë një kontrapunkt i vërtetë ku vrujojnë në të njëjtën kohë dhimbje e rënkime për vendlindjen sipas intensitetit të frymës dhe të vlerës artistike, që shkon krahas formimit të vetë krijuesit në ngjarjet e së kaluarës, përkatësisht të jetës kur ishte në vendlindje dhe mallit të madh që tash ndien kur gjendet larg atdheut. E veçanta që e dallon Imriun në këtë art letrar është se duke lexuar vargjet e tij vërejmë se ai në mërgim ka formuar individualitetin e vet në modelet e letërsisë evropiane. Ja se si lëngon dhe shfaq ndjenjat e tij përmalluese për qytetin e Strugës në vjershën “Struga ime”:

Strugë moj,

Aorta ime,

Që lind Drinin

Shtegtar

Ti je burimi

i kësaj rime,

Je malli im

gjer në varr.

Ajo që i cilëson këto vjersha është zakonisht toni nostalgjik dhe dëshira e madhe për të parë e vizituar folën ku kishte lindur dhe siç thotë edhe vetë se ka shumë mall për të dhe se gjithëherë mendjen e ka tek ajo dhe atje dëshiron të rri. Imri Demisai në vargjet e tij përshkruan aq mrekullueshëm edhe bukuritë e natyrës së atdheut, kujtimet fëmijërore, që janë motive të vjershave të këtij autori. Këto vjersha, pra, kanë parasysh përçasjen e gjendjes shpirtërore të shkrimtarit të mërguar, të realizuar me përpikëri me një dozë të realitetit të asaj gjendjeje. Në poezinë “Koha e gurit” ai shprehet:

Unë e lashë fëmijërinë

Brenda mureve të gurit

E dola ta zbuloj botën.

Ky shkrimtar i vyer në poezitë e tij krijon një paraftyrim të qartë për vendlindjen e bukur e të begatshme, të pasur me fusha e lumenj, të kurorëzuar me male të larta, të përshkruara me tingëllimin e zamareve të shoqëruara edhe me këngë të zogjëve , të stërpikur me tallase oqeani, ku bëjnë jetë të gjatë turma blegtorësh e bujqish dhe shumë të tjerë të pasionuar me veprimtaritë e tyre. Demisai me një mjeshtri krijuese tëhollon ndjenjën për gjithçka që i sheh syri dhe dëgjon për vendin e tij. Ai, po ashtu, pastaj ngacmon edhe pikturimin me anë të vargjeve të bukurisë mahnitëse të tërë atyre pjesëve ku u lind e ku u rritë dhe kësisoj poeti jep konnturat e një gjendjeje pikture që plotëson, ilustron dhe përseritën më pastaj si lajtmotiv në tërë poezinë e tij mallemgjyese në librin “Jam strugan”.

Në këtë libër poetik dominojnë vargjet për vendlindjen, atdhedashurinë, për mallengjimin, për mërgimin, dashurinë ndaj prindërve, që më nuk i ka, gjyshërit, motrave, shokëve, miqëve, bukuritë natyrore në trungun shqiptar. Shihet qartë nga vargjet se ky autor vërtetë është shkëputur me fërshëllimë rrëqethëse nga harku i kohës, por meqë është një krijues dhe studiues i mirëfilltë i përballoi të gjitha stuhitë e errëta të kohës. Laryshia e temave është e gjerë dhe tërëheqëse, sidomos, janë poezitë për vendlindjen, për jetën që herë- herë është një tortur në mërgim, por edhe vargje për të bukurën, për dashurinë djaloshare. Autori i këtij libri nga kujtimet e rinisë bartë me vete dashurinë që me vonë me nder ia kthen borxhin, duke i mbledhur me kujdes e përmallshëm në vargje. Sa herë është duke medituar para valëve të liqenit, krahët e kujtimit i kthen në vendin e tij të preferuar në vendlindje dhe na dhuron fizionomin e njerëzve tanë, na i dhuron edhe tingujt e çiftelisë e të lahutës dhe të instrumenteve tjera, tinguj këta që i mbajnë gjallë poetët. Ndaj, nuk është vështirë të kuptohet e shihet se disa shprehje dallendyshja, gjumi, zëri bartin ndjenja skofiare të buta, të përvajtshme që e veçojnë këtë autor me një lidhje të tij emocionale. Dhe shi për këtë, ai poezisë i jep një ndieshmëri artistike dhe gjithsesi përmes këtyre vjershave dhe në përgjithësi në mjedisin ku ai jeton, e zgjeron, e pasuron dhe i përgjithson prurjet në këtë fushë magjike në letrat shqipe. Imri Demisai me vargjet tij të bukura sikur dëshiron t’ua bëj me dije të tjerëve se atë nuk mund ta ndalin ta vizitoj Drinin, malin e Poumit, Kalishten dhe të ngjtet lartë mbi Ladorisht sepse një gëzim të papërshkruar e ndien në zemër që i mbushën mushkëritë dhe diçka që i sjell veç dritë. Edhe në Belicë të Sipërme nëpër shekuj do të endërroj dhe liqenin e bukur ta shikoj. Në vjershën “Sikur të isha sot atje”, ku varkat presin varg e varg, ai atje dëshiron të flladitet në Dri dhe të mos i mbetët fjala në letër si kukavajka në Mal të Thatë.

Poeti Imri Demisai, i cili premton shumë për të ardhmën, pasqyron me ndjenjë që buron nga shpirti edhe dashuritë e tij të mëdha që i ka në jetë, figurën madheshtore të prindërve, duke imunizuar figurën e tyre të shtrenjtë për të gjithë njerëzit e këtij planeti:

Jeni ju,

Prindët e mi,

Dy zemra

Një shpirt

Fisnik

Me emocione të larta përmes vargjeve pasqyron dhimbshëm mallin që ndien për lënien e Burimit, arat, gështenjat, shtëpinë e vjetër, livadhet, Krasten, malet, kalin e lodhur, Drinin, Ohrin dhe liqenin, dashurinë e parë, Livadhinë, Poumin, shaminë, Shen Naumin. Edhe Kosovës, Fakultetit të Mjekësisë, ku i kreu studimet, Prishtinës i kushton një vemendje me anë të shprehjeve emocionale poetike. Autori si një vjershatar i mirëfilltë, talentin e tij në fushën e krijimtarisë poetike mëton ta sublimoj duke shtjelluar tema, të cilat pikësynim kanë fatin e njeriut të mërguar që njëherit ka të bëj edhe me fatin e shqiptarit në përgjithësi, i cili është i mbytur në thellësi harrese e largësie. Vargjet e tij janë të skalitura me kujdes nga një figuracion i zgjedhur artistik dhe përmes tyre ky autor shfaqet si një poet i meditimit, por edhe i përjetimit të thellë artistik.

Lexuesi do të përjetoj ndjenja të bukura për shkak se të rrëmbëjnë poezi kaq të këndshme, të cilat sikur hedhin valle në përftyrimet tua si lexues dhe shpalosin para teje peisazhe me cicërima, me zhurmë përrenjsh, me gjelbrim, me freski e me gurgullim shpirti. Me këso ngjyrime vjen vjersha e titulluar “Pëllumb i bardhë”:

Zbrit pak në korije,

Në logje me hije,

Posht’ nëpër lëndina

Te flem’ mbi dafina

Dashuria e parë djaloshare ende e ngacmon nëpër damarët e gjakut dhe në disa poezi dhimbshëm përshkruan humbjen e saj, të cilën gjithsesi e ka përjetuar rëndë dhe asesi ta harroj, ndaj ai shkruan:

Nuk e di

Si u ndamë

Atë vit!

Të dritarja

e madhe

mbeshtetur

të dy.

se poezia e Imri Demisait është në nivelin e duhur të kritereve dhe vlerave artistike dhe kësisoj ajo bëhet e fort dhe parimore në pikëpamje të koncepteve të tërësishme të këtij motivi që reflektohet aq shumë nga ndjenja e tij e dhimbshme, e vuajtjes dhe mungesës së pranisë së tij në vendin e lindjes. Pra, ai artistikisht pasqyron bukur manifestimin e jetës shpirtërore, jo vetëm të autorit, por edhe të shumicës së mërgimtarëve tanë të shpërndarë në të gjitha kontinentet.

Imri Demisai ka lindur në Zagraçan të Strugës. Ka kryer studimet për mjekësi në Universitetin e Prishtinës në vitin 1988. Specializimin në fushën e psikiatrisë dhe mjekësisë familjare i ka bërë në Suedi. Nga viti 2012 punon si mjek privat në Göteborg të Suedisë. Poezia është pasioni i tij i hershëm. Vëllimin e parë poetik i titulluar “Nervi i jetës” e ka botuar në vitin 1999. Ka gati për botim edhe dy libra debati mbi shëndetin mendor dhe për psikiatrinë në Suedi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat