Zbulohet një përbërje e rrallë në “Mona Lizën” e Da Vinçit

Kultura

Zbulohet një përbërje e rrallë në “Mona Lizën” e Da Vinçit

Më: 17 tetor 2023 Në ora: 19:26
Mona Liza

CNN - Leonardo da Vinci ishte një piktor, shpikës dhe anatomist, të cilat janë vetëm disa nga talentet e tij - dhe tani, mes këtyre talenteve mund të shtoni edhe ‘kimist inovativ’. Rezulton se artisti mjeshtër ishte më eksperimental me "Mona Lizën" e tij të njohur sesa mendohej - dhe ka të ngjarë të ishte krijuesi i një teknike të parë në veprat e krijuara një shekull më vonë, sugjeron një studim i ri.

Duke përdorur difraksionin me rreze X dhe spektroskopinë infra të kuqe, një ekip shkencëtarësh në Francë dhe Britani ka zbuluar një përbërje të rrallë minerale që është përdorur në pikturën ikonike. Sipas studimit të botuar së fundmi në Journal of the American Chemical Society, zbulimi ofron një pikëpamje të re se si u pikturua vepra nga fillimi i viteve 1500.

Së bashku me pigmentin e bardhë të plumbit dhe vajin, përbërësi - i njohur si “plumbonacrite” - u gjet në shtresën bazë të bojës. Një studim i publikuar në vitin 2019 e kishte identifikuar mineralin në disa vepra të shekullit të 17-të nga Rembrandt, por studiuesit nuk e kishin hasur në vepra nga Rilindja Italiane deri në analizën e re të pikturës së Leonardo da Vincit.

“Plumbonacrite” formohet kur oksidet e plumbit bashkohen me vajin. Përzierja e këtyre dy substancave është një teknikë që artistët e mëvonshëm si Rembrandt e përdorën për të ndihmuar në tharjen e bojës, sipas studimit.

Zbulimi i përbërjes së rrallë në "Mona Lisa" sugjeroi se Leonardo mund të kishte qenë pararendësi origjinal i kësaj qasjeje, tha Gilles Wallez, një autor i studimit të fundit dhe një profesor në Universitetin e Sorbonës në Paris, i cili gjithashtu ishte bashkautor në raportin e vitit 2019.

"Mona Lisa", si shumë piktura të tjera të shekullit të 16-të, u krijua në një panel druri që kërkonte një shtresë të trashë bazë, tha Wallez. Studiuesit besojnë se Leonardo kishte bërë përzierjen e tij të pluhurit të oksidit të plumbit me vaj liri për të prodhuar shtresën e trashë të bojës që nevojitej për shtresën e parë, duke krijuar pa e ditur përbërjen e rrallë.

Në ditët e sotme, studiuesit nuk lejohen të marrin mostra nga kryevepra, e cila ndodhet në Muzeun e Luvrit në Paris dhe është e mbrojtur pas xhamit, tha Wallez. Megjithatë, shkencëtarët ishin në gjendje të analizonin bojën duke përdorur një makinë të teknologjisë së lartë të quajtur “sinkrotron” e cila i lejoi ekipit të studionte përbërjen e grimcave në një nivel molekular.

"Këto mostra kanë një vlerë shumë të lartë kulturore," tha Wallez.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat