Ndërroi jetë profesori i shquar universitar dhe kritiku letrar, Prof. Dr. Hysni Hoxha

Kultura

Ndërroi jetë profesori i shquar universitar dhe kritiku letrar, Prof. Dr. Hysni Hoxha

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 19 tetor 2023 Në ora: 12:41
Autori Gjekë Gjonaj

Këto ditë vdiq profesori i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe nga Ladorishta, fshati ilir në rrethinën e Strugës, Prof. Dr. Hysni Hoxha, i cili pa u përkulur kurrë, tërë jetën e tij, edukoi dhe arsimoi gjenerata e gjenerata mësues të Gjuhës Shqipe në Kosovë e Maqedoni.

Adhurues i Ulqinit

Vdekja e tij më kthen kujtesën në fillimet e njohjes dhe ditët e kaluara së bashku gjatë sezonit turistik në Ulqin, ku ai shpesh kalonte pushimet e verës vetëm apo me bashkëshorten e tij. Po ashtu kujtoj shëtitjet tona të përbashkëta rrugicave Kalasë së Ulqinit, freskimin nëpër Pyllin e Pishave në Pinjesh , ecjet buzëmbrëmjeve përgjatë Plazhit të Madh dhe vizitat Kepit të Gjeranës dhe qytetit antik të Shasit .

Image
Prof. Dr. Hysni Hoxha

Këto kujtime nuk janë të plota pa çastet që i kaluam me profesorin në banesën time në Ulqin, pa ato bisedat e gjata e të ngrohta vëllazërore, për përpjekjet e tij dhe pedagogëve të tjerë shqiptarë, të cilët u keqtrajtuan dhe u larguan nga puna nga pushteti i kohës serbë e maqedonase, për mbylljen e shkollave dhe universiteteve shqiptare në Kosovë e Maqedoni, ku ka punuar dhjetëra e dhjetëra dekada e tema të tjera nga fusha e kulturës e arsimit , duke mos anashkaluar as temat aktuale politike që kanë të bëjnë me fatin e popullit shqiptar në përgjithësi.

Misionar i arsimit kombëtar

Bëhet fjalë , jo thjesht për një mik timin të vërtetë , por për një intelektual të përmasave kombëtare, një njeri mendjelartë, dijetar, krijues, kritik letrar, studiues i mirëfilltë i cili i qëndroi besnik formimit të tij kulturor , duke i përkthyer mendimet dhe bindjet e tij nga dije në besim, në guxim për të folur dhe vullnet për të vepruar. Falë përkushtimit dhe sakrificës së tij dhe pedagogëve të tjerë si ky, të cilët janë arsyeja kryesore që shqiptarët në Maqedoni e Kosovë ia dolën të themelojnë dhe të çojnë përpara institucione të arsimit të lartë në gjuhën shqipe.

Prof.Dr. Hysni Hoxha i takonte plejadës së artë të intelektualëve shqiptarë, të cilët me punën dhe profesionalizmin e tyre , siç janë: Prof. Dr. Fadil Sulejmani, Prof. Dr. Lutfi Istrefi, Prof. Dr. Agni Dika, Prof. Dr. Vullnet Ahmeti, Prof. Dr. Bajram Pollozhani, Prof.Dr. Abdulla Ali, të cilët ishin edhe pjesë e Universitetit të Tetovës, lanë gjurmë të pashlyeshme në arsim, kulturë , letërsi e shkencë. Këta dhe jo pak mësimdhënës të tjerë universitarë shqiptarë nga Struga dhe viset e tjera shqiptare, ishin ata që hodhën edhe gurët e parë në themelimin dhe zhvillimin e Universitetit të Tetovës, i cili tashmë është shndërruar në qendër të mirëfilltë edukimi e arsimimi , jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rajon. Gjatë rrugëtimit kohor të Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Hysni Hoxha dhe kolegët e tij, u ballafaquan me vështirësitë nga pala që donte të vazhdojë errësirën qindravjeçare, për të penguar zhvillimin e arsimit , edukimin , kulturën, artin dhe shkencën shqiptare. Me guximin e tij intelektual bashkë me kolegët e tij pa asnjë hezitim u bënë shtylla më vitale e çerdhes së arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni në periudhën më të vështirë lindjes dhe ngritjes së Universitetit të Tetovës , më 1998- 2002, në detyrën e Prorektorit për Arsim.

Puna e palodhshme dhe sakrificat që dha ky misionar i arsimit bashkë me pedagogët e tjerë shqiptarë në kohërat shumë të vështira, të ndjeshme dhe vendimtare të arsimit të lartë të lartë në Maqedoni nuk duhet të harrohet kurrë.

Si shumë intelektualë të tjerë shqiptarë Prof. Dr. Hysni Hoxha, të cilët ideal kishin përparimin e kombit, punoi pa reshtur deri në frymën e fundit për përparimin e arsimit shqiptar, i cili ka rolin kryesor në zhvillimin e kombeve, vlerave kulturore dhe historike .

Studiues serioz edhe i simboleve kombëtare

Ky personalitet i jashtëzakonshëm ka botuar disa vepra dinjitoze me vlera kombëtare nga fusha e letërsisë shqiptare dhe botërore si dhe studime dhe ese edhe në gjuhën maqedonase, serbokroate, sllovene, italiane, rumune dhe hungareze. Ndër to është edhe libri i tij “ Simbolet kombëtare”. Autori Hoxha me këtë vepër me peshë në studimet albanologjike dhe jo vetëm, u rreshtua në mesin e atyre intelektualëve shqiptarë që kontribuuan me rastin e shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Studiuesi Hoxha pohon se shqiptarët shqiponjën e konsideronin shpend të shenjtë, bamirës dhe shton se të tillë e konsideronin edhe në krijimtarinë tonë poetike, në tekstet e konkursit për himnin kombëtar më 1937 ( fq. 51). Ai, duke e analizuar poezinë tonë gojore dhe të shkruar , respektivisht himnet e poetëve tanë, vjen në përfundim se fati i kombit shqiptar identifikohet me flamurin tonë kombëtar, simbolin e shenjtëruar nga gjaku i trimave atdhetarë, që u flijuan për çlirimin e trojeve tona etnike. ( fq. 65)

Profesor Hoxha nuk pajtohet me flamurin e imponuar shtetëror aktual të Kosovës pa karakteristika etnike të shqiptarëve shumicë ( me pëlhurë të kaltër me gjashtë yje, me ngjyrë të argjendtë të një pjese të pëlhurës që përfaqësojnë gjashtë etnitë prej të cilave shqiptarët përbëjnë 90 për qind të të gjithë banorëve, dhe pesë etnitetet e tjera së bashku 10 për qind) , dhe as me himnin gjysmak të shtetit të Kosovës, “ Evropa” vetëm me një melodi , pa tekst poetik, të kompozitorit kosovar Mehdi Menxhiqit.

Sipas Xoxhës simbolet kombëtare në Kosovë duhet të përcaktohen me kritere artistike dhe jo politike. ( fq. 148), kurse Kuvendi i Kosovës ka përgjegjësinë historike të mos pranojë himnin e cunguar pa tekst i cili do të fyejë Kosovën, popullin e saj dhe qenien tonë kombëtare që jeton jashtë Kosovës. ( fq. 155).

I përhershëm qoftë kujtimi ynë për profesor Hysni Hoxhën !

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat