Krasta: Edicioni i parë i Festivalit të Këngës vjen si festë

Kultura

Krasta: Edicioni i parë i Festivalit të Këngës vjen si festë

Më: 23 tetor 2023 Në ora: 15:13
Foto nga vendi i ngjarjes

Drejtori i Festivalit të Këngës në RTK, Adi Krasta, në konferencë për media me organizatorët e tjerë ka treguar detaje të edicionit të parë.

Krasta ka thënë se ky organizim vjen si festë, ndërkaq ka bërë publike emrat e jurisë profesionale. Ai ka pohuar mbështetjen e “Euro Song” dhe EBU-së për organizimin e këtij festivali, teksa ka dhënë detaje të transformimit të sallës.

Krasta shpalos jurinë e Festivalit të Këngës

“Juria e festivalit kthen në skenën televizive dhe jo vetëm, një prej artisteve më në zë të Kosovës e Shqipërisë, Alma Bektashi. Ajo jo vetëm që kthehet si kryetare e jurisë, por do të vij me një performancë artistike që neve na jep gëzim sa herë që e shohim në prova”, ka thënë Krasta gjatë prezantimit të jurisë.

Në juri është edhe një prej emrave që ka përfaqësuar Suedinë në ‘Eurovision’, Ulja Sjostrom. 

“Në juri është një nga personazhet më të rëndësishme të ‘Eurovisionit’ dhe fitoreve të Suedisë, një drejtuese e një prej organizimeve më të rëndësishëm muzikor atje, Ulja Sjostrom, e cila ka një depërtueshmëri shumë të lartë të jetës muzikore të Suedisë”, ka thënë Krasta.

Anëtarët e tjerë të jurisë do të jenë këngëtari Alban Nimani, kompozitori nga Tirana, Adi Hila dhe artistja e arteve pamore, Zake Prelvukaj. 

“Kënga fituese e festivalit do të marrë një kupë të cilën e ka dizajnuar një dizajner i Prishtinës, është punim që unë e kam shumë për zemër dhe që quhet në të folurën tonë ‘diamanti blu’ e cila është Kosovë që shkëlqen. Fituesi ndryshe nga festivalet e tjera do të marrë një dhuratë të konsiderueshme, që është një medaljon, një shqiponjë e flamurit të shqiptarëve që ka 500 diamante”, ka treguar Krasta.

Festivali i Këngës në RTK është rezultat i një memorandumi të nënshkruar në shkurt të këtij viti nga kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini dhe ministri i Kulturës Hajrullah Çeku, i cili parasheh mbështetje për organizmin e festivalit edhe për dy vite të tjera. 

Realizimit të festivalit i ka paraprirë një punë disa mujore e angazhimit të strukturës drejtuese të RTK-së, Bordit dhe menaxhmentit të cilët juridikisht kanë ndërtuar themelet e festivalit, ndër të tjera duke e krijuar rregullativën e nevojshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat