Tre poetë të një stine

Kultura

Tre poetë të një stine

Nga: Ndue Dedaj Më: 3 nëntor 2023 Në ora: 13:21
Viktor Gjikolaj

Ata janë secili individualitet krijues, ani se ndonjëherë duam t’i shohim “bashkë”, renditur sipas kriterit të moshës. Poetët Viktor Gjikolaj (1953), Preng Maca (1955) dhe Zef Bardhi (1959), të tre nga Mirdita, të vlerësuar me çmime letrare, të përfshirë nëpër antologji etj. Kundrimi kësisoj nuk është diçka e re në poezinë shqipe, e jo vetëm. Mund të sillnim si shembull për këtë “trinitë” e poetëve nga Lezha, Tropoja apo Tepelena e viteve ’70, që nuk ishin domosdoshmërisht nga tre. Ashtu si dhe në rastin tonë, që mund të ishin e mund të jenë më shumë. I cilësuam tre poetë të një stine poetike, duke pasur parasysh kohën kur debutuan, arealin gjeografik nga vijnë, frymën e poezisë lirike, si një shkëputje me poezinë rapsodike të trevës. Ata u afirmuan me cikle poetike sidomos në vitet ’80, edhe pse i kishin librat poetikë në dorëshkrime që atëherë. Të jetë e rastit që në vitin 2021 shtëpia botuese “Muzgu” boton në shqip e rumanisht një librin poetik “Qiell për pëllumba” (Cer pentru porumbei), që mban firmën e këtyre tre autorëve? Përbashkësia e tyre në këtë botim nuk i “njëjtëson” si profile, por shpall unitetin poetik të lirikës së tyre, shkruar në më shumë se 40 vjet. Poetë mirditorë paraardhës të tyre janë: Gjok Beci, Preng Cub Lleshi dhe Pal Përlala, krahas dramaturgut Bardhok Sulejmani. Peizazhit letrar i mungonte novelisti Gjon Mark Ndoj, që krijimtarinë e tij e kishte në syrtar, për shkak të ndëshkimit politik, proza të shkruara gegnisht në burg, që do të botoheshin pas 90-ës në disa libra.

Teksa po hynim në dhjetëvjetëshin e fundit të sdhekullit XX, po trokiste dhe poezia e më të rinjve: Mark Marku, Zef Zefi, Elinda Marku, Nikollë Loka etj. Qëllimisht përdorëm metaforën e “stinës poetike”, që sipas nesh pati një të tillë pas dimrit të ashpër të plenumit IV të KQ (1973), që solli poetët Preç Zogaj, Mimoza Ahmeti, Ilirian Zhupa etj. Të tre poetët e shenjuar në këtë sprovë, në krijimtarinë e tyre, kryesisht në poezi, kanë të përbashkët lulezojën e vendlindjes; Gjikolaj edhe si lëvrues i poezisë së këngës e i eseve kulturologjike, ku spikasin “Barra e vrame”, “Selemi” etj., rreth disa qasjeve dokësore krejtësisht të veçanta; Bardhi për shkak të muz(ik)ës së të folmes gege; Maca edhe për subjektet e tregimeve (libri “Vite pa stinë”) e sidomos të romanit “Një zemër e kursyer”, që sjell përmes një rrëfimi origjinal Kurbneshin e viteve ‘70.

Para se të përvijojmë përkitazi profilet e tre poetëve të sipërthënë, le të themi dy fjalë për një prozator bashkëkohës e bashkëtrevas me të tre, Ndue Gjikën, që në krye të herës qe shfaqur si piktor e veç kur u pa në faqet e shtypit letrar me tregime, derisa doli me librin e parë “Dilema të pabraktisura” (“Eurorilindja”, 1996) e pastaj me libra të tjerë në prozën e shkurtër dhe të gjatë, pa harruar dhe ndonjë përkthim të tij në prozë. Gjika ishte njëlloj udhërrëfyesi i krijuesve të rinj mirditas në vitet ’80 etj. dhe në miqësi me letrarët që kishin ardhur nga rrethet e tjera si mësues në shkollat e Mirditës: poetët Ruzhdi Gole, Odise Çërkezi, Vaid Hyzoti, Durim Çaça, Grigor Jovani, prozatori Durim Taçi etj.

Kohë pas kohe, në Mirditë, kishin banuar dhe Kol Jakova e Tonin Miloti në vitet ’50, Dhimitër Shuteriqi në vitet ’60 e Vath Koreshi në vitet ’80.

Viktor Gjikolaj - vezullimet lirike dashurore të Urakës

Kemi ngahera poetë të Vjosës e poetë të Drinit, poetë të Rrafshit të Dukagjinit e poetë të Bregut jonian. Vjershëria e Gjok Becit, poetit të Valmorit, ishte këngë epiko-lirike, e bjeshkëve që zgjohen, e zambakëve të bardhë në gur, e motiveve që rrjedhin në këngë e ligjërime etj. Kurse poezia e sivëllaut të tij selitas, Viktor Gjikolaj, është më së shumti lirike, e njëjtësuar me Urakën, lumin bjeshkëtar të atyre anëve dhe kullën e të parëve të tij aty në breg, si një fole autenticiteti arbnor. Se ç’ka një magji ajo bjeshkë, që i kanë kushtuar poezi disa poetë. Ndërkohë, atij vendi aq poetik diktatura i pati bërë pëshqesh një qendër internimesh, ndaj atje do të salvoheshin politikisht profesori kosovar i letërsisë Ymer Llugaliu, piktori Arben Theodhosi, historiani Gani Ratkoceri etj. Është e habitshme, por të gjithë krijuesit e Kurbneshit, si të internuarit, si të lirët, kishin kaluar nëpër dënime absurde, përfshi dhe Gjokën e Viktorin. Atje kanë kaluar vite të fëmijërisë së tyre dhe botuesi Fatmir Toçi e publicisti Luan Rama, aq i dhënë pas shqiptimit të poezisë së mirë. Viktori u formua si audodidakt, ngaqë ishte i privuar për shkak të biografisë të vijonte studimet e larta, që i kreu vetëm pas 90-ës. Ishte njëri ndër poetët e festivaleve të Gjirokastrës, po që krijimet e tij kishin nënshkrimin e anonimatit, “Populli”.

Nëse të gjithë poetët duan kohë që ta krijojnë shtratin e vet poetik, duket se te Viktori ky shtrat ishte i përcaktuar që në krye të herës, ku ai do të shfaqej sa si një bard i lirikës popullore, sa si poet i kultivuar, ku natyrisht këngët dhe poezitë e tij japin e marrin së brendshmi, por pa u “ngatërruar” me njëra - tjetrën, ashtu si te Hamit Aliaj e të tjerë poetë të njohur. Kjo e bën të veçantë profilin poetik të Gjikolajt, ku spikat lirizmi, poetizimi i lumit, malit, luleve, krojeve dhe sidomos i dashurisë. Ai është një poet i mbrujtur me vlerat e etnisë, po ku ndihet parapëlqimi për lirikët e njohur, si Gëtja, Pushkini, Bërnsi, Lasgushi etj.

Viktor Gjikolaj ka botuar librat poetikë: “Kam shtëpinë e vogël” (1998), “Shira dhe ylbere” (2010), “Amanet” (2017) dhe “Atlasi i plagëve”, (Prishtinë 2023, përzgjedhur nga poetët Dan Ibrahimi e Lan Qyqalla, me redaktor Alket Bushin). Po marrim në shqyrtim këtë të fundit, që e përfaqëson poetin. Arkitektura e poezisë viktoriane, siç parapëqejnë ta quajnë miqtë e tij poetë, ngërthen disa motive, që nuk kemi për qëllim t’i analizojmë, por më shumë t’i ravijëzojmë, që lexuesi, veçanërisht ai shkollor, ta ketë më të lehtë qasjen:

Motivi i vendlindjes: Poezitë “Gryka e Selitës”, “I kam thënë të bardhës nënë”, “Meditim buzë lumit Urakë” (Nëse ti rrjedh gjithmonë tatpjetë / Unë ngjitem e ngjitem në jetë), “Te Suka e Gjollëve”, “Fund vjeshte në Lëkundë”, “Kroi i Bardhë”, “Zana e Virgjër” etj.

Motivi i dashurisë është dhe kryemotivi i tij lirik, që jo rastësisht zë vëllimin më të madh të librit, aq sa mund të thuhet se është, një libër brenda librit. Veçojmë poezitë: “Para vajzës me profilin bjond”, “Nga pullazi i shtëpisë fluturoi një pëllumb”, “Natë e largët”, “Tani jam më pak se vetëm”, “Biblike”, “Kur iki larg”, “Për ty”, “Rekuiem”, “Sonte”, “Trendafil i bardhë” etj. Lirikës së dashurisë të këtij poeti i ka kushtuar një ese të thuktë Luan Rama, duke nxjerrë në pah vlerat dhe tiparet e saj origjinale.

Motivi i lirisë dhe i fatit të njeriut: Poezitë “Plagë, “Jam arbër”, “Pesha”, “Qendresa e fajit”, “Brishtësi”, “I bukur”, “Përralla të vërteta për tim bir”, “Krishtërimi i fjalëve”, “Për kuajt”, ku në këtë të fundit kemi një si piaskamë të brendshme:

“Kalorës që krekoseni mbi kuaj shaluar

Se u varën këmbët, s’qaj dertin tuaj,

Çuditëm me kuajt, si munden me duruar

Pa iu shembë përdhe – çuditëm dhe vuaj”.

Kurse në poezinë “Fati im, përmes një metafore të rrallë: “Një poçe dheu e pjekur në shi” dhe një imazhi poetik krejt të veçantë, poeti krijon statujën në lëvizje të njeriut që nuk e ka në dorë fatin e tij:

Në udhëkryqe provinciale u lage

Dhe u tere në ikje – kthim,

Një poçe dheu pjekur në shi

Ti fati im.

Poezia “Prometeu im” përmban dramën e individit fatbjerrë: “U trand (muri) dhe sot / E një gur u pik prej majes së tij: / Me rropamë ra / Në fund të qenies sime”. Poezi të tjera të këtij motivi janë: “Në qiellin e zymtë të fatit”, “Pa këngë e pa legjenda”, kjo e fundit me vargun emblematik “O sa herë jetën e nisa nga e para!...”, apo “Dhurata”, ku “Gënjeshtrat i lë të grindën fort / E të përgënjështrojnë veteveten”.

Poezi me motive legjendare dhe balada: “Zana e virgjër”, “Përroi Mall”, “Ka njëqind vjet”, “Rënia e minatorit”, “Gjeniu”, “E di, oj motër, e di”, ku veçohet për fantazinë dhe brumin artistik poezia do të thoshim antologjike “Zana e Virgjër”:

Gojëdhanës për Gurin Gjon,

Nga vetja i shtova një trill,

I vërtetë është emri i gurit

Dhe lulezonjave që çelin në prill!

Nuk është për t’u habitur, që një bard që mund të thotë përmendësh vargje pafund, përfshi dhe këngë të “Lahutës së Malcis”, të mësuara herët në “ilegalitetin” e së djeshmes, na shfaqet si një poet modern i mirëfilltë, si në poezitë: “Klithma e heshtjes së bardhë”, “Protozot”, “Të jetosh sa për të vdekur”, “Në Shëngjin”, “Është një mollë në Kurbnesh”, “Dritë ferri”, “Episodike” etj.

Në poezitë me të bukura do të shënonim: “Shira dhe ylbere”, “Qendresa e fajit”, “Zana e virgjër”, “Çudi me ty”, “Sfidë pijetari”, “Biri i Horrit”, “Më grish një shpellë”, “Laureshë” etj. Drithëron poezia gjithë sarkazëm “Nekrologjia e tim eti”, me vargjet befasuese të një kujtesë të trishtë:

“Vdiq me dyzet varra në zemër

Në dyzetvjetorin e çlirimit...”

Së fundi, nëse poezia “Kam shtëpinë e vogël” është poezia viktoriane himn e mbijetesës shqiptare, poezia “S’ka si Shqipëria” është një testament poetik atdhetar.

Preng Maca - “Dritare” e një lirike dashurie dhe meditative - filozofike

Në rrugëtimin e gjatë poetik të Preng Macës, ciklet e botuara që nga vitet ’80 në shtypin letrar të kohës, do të pasoheshin nga librat me poezi: “Letra pa adresë” (2000), “Koha mes nesh” (2008), “Duke të pritur ty” (2010), “Ëndrra të vizatuara në qelq” (2015), “Frymë” (2018), “Zjarr në eshkë” (2020); për të mbërritur te vëllimi i fundit poetik “Dritare” (2022), një dritare nga e cila ai sheh botën dhe të tjerët e shohin atë. Poezia e këtij poeti të afirmuar ka ardhur te lexuesi në formën e “letrave pa adresë”. Në njërën nga poezitë ai shkruan: “kur shkruaj poezi / me ngjan se po nis / një letër drejt teje / të cilës nuk i mungojnë kurrë fletët...” Poezia është simbiozë e poetit me muzën e tij, ndaj ai thotë: “kur ulem ta shkruaj këngën besoj se është e imja/ kur e mbaroj këngën e shoh se jam i saj!” Poeti i stërvitur me fjalën artistike, vargun, rimën, metaforën, kumton të vërtetën e tij, që është poezia: “Më pushtoi / dhe jam i saj gjithë jetën! E zbulova / duke zbuluar…veten!” Kjo kredo shtjellohet bukur dhe himnizohet në poezinë tjetër “Histori Dashurie”, nga më të veçantat poezi kushtuar poezisë, ku poeti deklaron me një solemnitet artistik se poezia është “e dashura ime e përhershme”, çka vërtet i shkon natyrës së tij poetike.

Nëse do të rrekeshim të përcaktonim disi stilin e këtij poeti të etur për vargun, mund të thuhet se poezia e tij karakterizohet nga spontaniteti i procedimit poetik - edhe kur motivi e ka shoqëruar gjatë, gjetja poetike e spikatur, koloriti gjuhësor dhe origjinaliteti i shprehjes artistike, imazhi fluid, sinteza e kumtit poetik, ironia etj.

a - Poezia e Preng Macës ka ardhur gjithnjë e me shumë duke e gjetur veten si lirikë dashurie: “Ah dashuria ime e madhe,/ Sa të vogël ma ke lënë dritaren”, ndërsa diku tjetër thotë “dashuaria ime janë dritaret”. Kjo është vazhda e tij poetike edhe në librat e mëparshëm, por dhe në poezitë që publikon në rrjetet sociale. E gjitha ngjan me një poemë dashurie, të pafundme, të përditshme, të pamoshë. Disa nga lirikat e dashurisë së këtij libri janë: “Flirt”, “Sekrete”, “Çadër”, “Urbane”, “Dëshmi, “Dashuria”, “Mbi hirin”, “Ikja në vjeshtë”, “Inside”, “Të pambrojtur” etj. Poezia “Pastaj” është njëlloj dëvize e tij e dashurisë, që ndonëse e thënë krejtësisht thjeshtë, përbën një kulmim të poetikës se këtij poeti: “deri atë çast / pak shihja, / dëgjoja pak, / ndjehesha pak, / pak isha... / pastaj erdhi dashuria / dhe ndryshuan të gjitha”.

Ai thotë se ka fluturuar për te dashuria, sa i duket se “akoma i fsheh flatrat nën lëkurë”. Dashuria më shumë se çka tjetër është endërr, ndaj poeti shkruan:

nëpër ëndrra

kopshtin e hireve të tua

bredh vend për vend!

Kur më del gjumi

mbes pa... mend.

Poezia “Letra për dashurinë”, që e huazuam nga një publikim tjetër i autorit, është dhe njëfarë himni i këtij poeti për dashurinë, nga e cila po shkëpusim disa vargje:

Ti je shkak kënge…

e një kënge

që kurrë nuk mërzitem me e ndigjue

e që më huton përditë,

me tingujt magjikë,

më ban me kuptue më qartë,

çfarë ndodh përjetësisht

në këtë jetë të përkohshme,

njerëzore.

Image
Viktor Gjikolaj

b - Lirika qytetare meditative e këtij poeti, që në dy dekadat e fundit ka njohur shpërthimin e saj të plotë, ka bërë të sajën formën e sentencave filozofike, shpesh përmes një satire të mprehtë:

“Nuk ishe zog qielli, e kuptova

e vuajta botën pa ty

ndryshe nga sa isha mësuar

me jetën mes tokës e qiellit...”

Ndër poezitë më të bukura është “Kërkimi”, ku heroi që poeti kërkon është iluzor... nuk ka një hero, jeta ka monotoninë e saj që e thyen ndonjë puthje të dashuruarish; pasagjerët “e një jete pa sens” udhëtojnë “me motorin e fikur të shpresës”: “qielli është i bukur / i kthjelltë si mendimi / po toka sërish mbetet... zbulimi”.

Poezia e tij është gjithëhapsinore, herë-herë alegorike, si ajo me titullin “Shi”: “ndoshta shumë njerëz në botë dolën sot pa çadër / por askund në botë nuk bie tjetërkund si ky shi”.

Poezia e Preng Macës e ka arritur atë stad, që njihet dhe nëse nuk vihet emri i autorit, por ajo kulmon në lirika moderne si “Busull”, “E para ishte fjala”, “Shfletim libri”, “Gjendje”, “Frikë nga parajsa”, që më mirë sesa t’i komentosh, është t’ia rekomandosh lexuesit, për frymën që mbartin si lirika dashuria apo të mendimit.

Edhe pse shkruan poezi prej motesh, prapë zemreku i poezisë së tij është ëndrra si metaforë, çka e bën kalorsiake poezinë e tij:

“Prej harkut tënd fluturoi shigjeta

Thonë humbi në qiell, disa thonë ra poshtë,

Por ti e di fare mirë se si është e vërteta

Atë shigjetë fshehtë, e mbaj unë në gjoks”.

Libri “Dritare” ka dhe një tufë poezish sociale të shpërndara nëpër libër, që fshikullojnë veset e bashkëkohësisë gjithë sarkazëm.

Në poezinë “Thjeshtë” poeti përmbyll: “Vetëm vdekja/ vesh petka të reja”. Vdekja nis e troket në poezi, sidomos kur njeriu mbart disa dekada jetë, por ka mënyra për ta mbajtur larg dhe kjo është vazhdimësia e jetës tek pasardhësit, ndaj poeti i drejtohet nipit:

“ti je lulja që më bën të harroj

se fundi është diku

dhe gëzoj fillimin e jetës”.

Shumë nga poezitë e autorit janë sekuenca, shkurtima, aforizma të urtësisë shqiptare e universale, si “Besim”, që ka veç dy vargje fort domethënëse: “Zoti sheh / Me sy fëmije”, apo distiku kushtuar Nexhmije Pagarushës: “Ti ma kujtove / Se janë gjysmëperëndi njerëzit” etj.

Po e nesërmja? “E nesërmja është nocion pa ngjarje, / ne prekim veç të tashmen”, na thotë ai. Te ky poet është gjithnjë e gjallë fryma e krijimit që e bën atë të thurë vargje pareshtur dhe në fakt ai është një djaloshar i poezisë. Shfaqet kudo ajo dritarja e tij poetike, si një optikë që është vetëm e tija. Përvoja e gjatë mbi tryzën e shkrimit e ka bërë Preng Macën, njërin nga poetët e njohur bashkëkohorë, që kaq ardhur gjithnjë duke e përsosur mjeshtrinë e të shkruarit, çka vërehet dhe në ciklin “Shpëtimi i zogjve”, botuar pak kohë më parë në “ExLibris”, ku të mbeten në mendje si margaritarë poetikë lirikat: “Liria”, “Anësi në Trojë”, “Ditë”, “Flijimi”, “Ngjarje e parashikuar”, “Vezë” etj., çka e bëjnë atë të jetë një poet në antologji.

Zef Bardhi - poezi me mushtin e gjuhës amë

Image
Zef Bardhi

Zef Bardhi është njohur shpejt si poet në trevën e tij, pastaj dhe shumë më gjërë. Poezia për të nuk ishte një godinë me shkallë për t’u ngjitur lart, por një përshpirtje e tij për njerzit dhe kohën. Por ka do kohë që vokacioni i tij poetik ka pësuar një “metamorfozë”, si duket i lodhur nga poezia si gjithë të tjerët, ai krijoi poezinë e gjuhës... në Gegnishte, në pamje të parë duke e vështirësuar komunikimin me publikun, në njëfarë mënyre duke shkuar vullnetarisht drejt “Fishtës” në këtë qasje. Por ai që ka dëgjuar recitimet e paradokohshme të poezive të Zefit nga poeti i ndjerë Demir Gjergji, me siguri ka ndjerë sa e freskët, origjinale dhe bashkëkohore është poezia e këtij poeti që rron prej një çerek shekulli në Itali, teksa ka jetuar e punuar gjatë në Mirditë, por që ka lindur në Delvinë dhe 5-6 vitet e para të jetës i ka kaluar atje mes flladit të Jugut.

Si një poet i dallueshëm i brezit të vet përfshihet në antologjinë e autorëve të rinj “Prelude poetike” (1990). Vëllimin e parë poetik, “E paharruar”, e boton më 2015, kurse librin e dytë “Pylla s’bâ hie” më 2019, që vetë poeti e konsideron “një sprovë në Gëgnishte”.

Zef Bardhi nuk rend pas librave, ai kërkon ta maturojë çdo ditë poezinë e tij dhe rrjetet sociale, në rastin e tij, janë një mënyrë për ta testuar te lexuesi poezinë ndryshe që ai shkruan, ndonëse në në hulli me poetë si Ledia Dushi, Entela Tabaku, Donika Dabishevci, Erenestina Halili etj., që do t’i quaja poeteshat e gegnishtes dhe modernitetit.

“Pylla s’bâ hije” është një libër i poezisë moderne, endur nëpër avlemendin e një gjuhë të vjetër, çka tregon fuqinë e ndërsjelltë të tyre. Shumë prej tyre mbajnë siglën e dekadës së fundit, çka dëshmon se në këtë kohë ai do t’i kushtohej kretësisht poezisë në gegnishte.

Bardhi, ngado që shkon e kudo që vete, s’rri dot pa u kthyer në vendlindje:

“Sa e kam dashtun cirkatjen e strehëve t’gurta

t’kullës n’katund,

tretun kohnave t’egra, ec e’ja udhnajve t’ujsueme

Ndërfanë - Fushë Lumth,

npër mjegulla t’vorbullta veriu, t’thurme si rregja mitesh,

pa krye e pa fund...”

Poezia “Zalli em” mbart trishtimin elegjiak të poetit, kur sheh se lumi i tij nuk është më ai që ka qenë:

“Tash, kur e pashë, curril, hollue tuj hjekë!

Memze shqiptonte emnin e lashtë, Fan

Pa za, pa gjallni e shkulm, thue ka dek...”

Ai i drejtohet me një ndjesi të epërme Mamdheut, duke iu rrëfyer atij si një bir, se “ernat e idhnueme”:

“N’travajë të helmta, ma tresin zemrën

E ftyrën ma ndezin, sa njimijë flakrime”.

Është një “kangë nane” sublime që sfidon të keqen, të pafetë, të pabesët, meskinët, rrenacakët:

“Tan botën e pjalmon me gaz’shendin tand,

Njerzisë mbarë, i fal me zemër dritë e të buzqeshun,

O gurr’ e pandalun dashnie, shpirtin ma trand”.

Edhe ose poezia e tij të ndërmend poetët lirikë që shkruan në gegnishte herët (e ndonjë si Camaj dhe vonë), ajo është një shqiptim i sotëm i saj, si një pasurim i gegnishtes letrare. Duket se te poeti ka lënë gjurmën e vet të pashqitshme e folmja ndërfandore, mirditase e në tërësi ajo veriake, sidomos duke mbart në poezi një leksik gati të rrallë e të harruar. Lexuesit me e kuptue e shijue këtë poezi u duhet nge, durim e përkushtim, pasi ajo në asnjë rast nuk është sipërfaqësore, si poezia Atdheu em s’po duket, “Nji kullë”, “Farë”, “Kujtime të thyeme”, “Baj çudë me ty”, “Të fluturojsh natën”, “Fajin e kishte era”, Si za lahute”, “Ishte pranverë”, “E, jetë!”, “Dëshirë e lagun” (ku ndihet dhe ferri dhe parajsa), “Tatëgjyshit”, “Pentagram”, “Fllanxa”, “Hana derdhte statuja” etj.

Lirika e dashurisë te ky poet vjen përmes përjetimesh, por dhe arsyetimesh e kumtesh dashurore, ku ndër më tërheqëset është poezia “Ylberit i shtohet nji nuancë”:

“E prapë dashninë tonë kemi me i pikrrue, si mjalti ndër hoje”.

Do të mjaftonte nganjëherë qoftë dhe një poezi e vetme për të kuptuar origjinalitetin e një poeti, si “Kulaçi natës”. Fabula: gjyshja mbas darke linte një kulaç në një lëpizë matanë dritarës, që ta hanin “t’unshmit qi natës ishin tuj hecun...”

“Kur e kishim pyetun për këto kuleç të çuditshëm,

A për t’tan njerëzit pa strehë e orët e malit,

qi ruejn përnatë dromcat e mbetuna për zogjt’

qi qillës të fluturojnë ngishëm...”

Fëmijnia e poetit ka mbetur atje larg, por jo kujtesa e saj e pabjerrë që i jep poezisë moderne të tij një fletë pentagrami të munguar:

“E tash, e tash qi gjyshnit e prindja janë ba dhé e hi

Andrrës më dalin kuleçën të verdhë, tuj avullue n’sy hane…”

Bardhi nuk është vetëm një poet i malit, kullës, lahutës e shenjave të tjera malcore, por dhe një poet i detit e përtejdetit. Fantazia e tij sheh një kulshedër që nuk pi veç gurrat ndër kreshta, por dhe “dete e qielle” – poezia “Kthema detin!”. Ai parapëlqen herë herë distikun, tërcinën e të tjera forma të vagëzimit. Poezia e tij ka kurdoherë thënie, edhe kur ajo është krejt intime, si “Hija jote asht lari”, që ka një dritë pavdekësie në çdo varg e fjalë, ku ati kuvendon me bijëzën e tij “hala njomzë”, edhe mbas njëzet e pesë vjetësh “pa e pa njiherë”, ku lari (dafina) “shkund cirka t’sermta loti”. Poezia e tij shpesh ka kumte të mprehta sociale, apo kombëtare:

“Me flatrue n’kreni t’Arbnit, t’lirë si njiherë vakut,

Zogjve t’ri, mos t’ju vijë marre prej rrajve t’gjakut...”

Libri mbyllet me poezinë “Po nesër!?” Dhe poeti Zef Bardhi e ka një përgjigje për poezinë e tij:

“Nesër, kur kupa e qiellës, ta pije dritën e njati ylli

Baj gjurmë, tuj kërkue voglinë, hupun mrizit t’nji pylli”,

që do të thotë se poezia e tij sërish do të rrjedhë në të njëjtën gurrë, që sapo e ndjemë si gurgullon... brenda nesh.

*

Post scriptum. Tash lexuesi mund të thotë e si mund të rrinë “bashkë” tre poetë të talentuar, aspak të ngjashëm me njëri-tjetrin, sa i përket procedimit poetik, stilit etj. Po, nëse në vitet ’80 i bashkonte “stina” e shpërthimit, me rënien e diktaturës poezia e tyre njohu një stinë tjetër, atë të modernitetit. Poezia e secilit nga tre poetët meriton analizë më vete, parë në rrafshin e poezisë bashkëkohore shqiptare, e cila siç dihet këto kohë ka prekur majat. Veçse, e lirë nga ana ideologjike, jo gjithnjë është e tillë nga vetja, ku ndër dobësitë e saj mund të përmendën: përsëritja e motiveve, që e kufizon dhe varfëron shprehjen artistike; prozaizmi (në emër të vargut të lirë!) që e humbet ndjeshmërinë poetike; njëfarë hermetizmi që nuk ka të bëjë me stilin ungaretian, por më tepër si lojë fjalësh pa kuptim e kontekst - shtoju këtyre dhe mungesën e redaktimit, ku autorët dhe këtë “censurë” të domosdoshme ia besojnë vetes, shpesh duke i hedhur poezitë në rrjetet sociale, pa vramendje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat