Asgjë e re dhe e papritur nga çifti Kadare!

Kultura

Asgjë e re dhe e papritur nga çifti Kadare!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 19 nëntor 2023 Në ora: 09:50
Xhevat Mustafa

Sipas Helenës “ Ismaili është i bindur se Shqipëria po jeton vitet më të mira të saj...”, ndërsa në të vërtetë e në jetë, shumica e shqiptarëve përjetojnë ndër më të këqijtë...?!

Më 18 nëntor 2023, në Panairin e Librit, duke iu përgjigjur interesit të disa gazetarëve në media proqeveritare, çifti i mirënjohur në Botën Shqiptare e përtej saj, në arenën ndërkombëtare, Ismail dhe Helena Kadare u tregua ai që njihet prej rreth 60 vitesh...

Sipas Helenës " Ismaili është i bindur se këto vitet e fundit(domethënë në "epokën Edi Rama") Shqipëria po jeton vitet më të mira të saj..."! Nënkuptohet logjika apo nënteksti i deklaratës së saj fare të freskët publike apo mediatike: për deri sa ne shqiptaro- francezët Kadare jemi të përmbytur nga përfitime shumëformëshe çiftore dhe familjare, duhet të jenë dhe ndjehen si ne, “të lumtur dhe mirënjohës ndaj partisë, qeverisë dhe kryeministrit të zemrës” edhe shumica e shqiptarëve, që vazhdojnë të jetojnë akoma apo do të mbeten deri në frymën e fundit në Shqipëri...!

Domethënë apo shqip fare, edhe ata rreth 1 milionë vetë me paga e pensione mujore në rreth 150-250 euro, kur çmimet e shumicës së ushqimeve të konsumit jetik të përditshëm, janë në rreth 25-50% më të shtrenjtë edhe se në Francë, Gjermani...

Edhe ata rreth 500-700 mijë vetë, shqiptarë përgjithësisht në mosha të reja, që kanë ikur emigrantë në vende të Perëndimit gjatë këtyre 10 vjetëve! Edhe ata dhjetëra mijëra shqiptarë Shqipërie që mbushin trotuaret apo anët e rrugëve si shitësa ambulantë, nga mëngjesi deri afër mbrëmjes...Edhe ata mijëra që rrëmihin, jo rrallë bashkë me qentë dhe minjtë, nëpër koshat e plehrave...!

Kuptohet edhe SHQIPTARËT në Kosovë, Maqedoninë e Veriut. Luginën e Preshevës, në Diasporën Shqiptare..., që këto vitet po paguajnë shumëfish më tepër për 7-15 ditë pushime verore në plazhet e Shqipërisë së Edi Ramës! Por, edhe pse kur u duhet dhe presin mbështetje nga qeveria dhe shteti amë i Tiranës, në të shumtën e rasteve kanë marrë ose heshtje, ose deklarata kontraverse dhe përçarëse; ose veprime që nëpërmjet fotografive të freskëta Rama- Vuçiç, mund t'u kujtojnë "rilindjen e vëllazërisë së parë e të flaktë” Enver- Tito...!

Të mirëkuptohemi e mos keqkuptohemi: duke komentuar këtë deklaratë të Helena Kadaresë, lëshuar më shumë si nënë se sa si shkrimtare, si grua se sa si intelektuale, nuk po vihet në diskutim madhështia e Ismailit si shkrimtar. Nga vetë Helena, me gojën e saj para shumë mikrofonëve dhe kamerave, u dha për pragmatizëm apo mirënjohje ndaj atij lart fare e as 100 metra larg, një fakt i ri për "vogëlsinë" e njohur prej shumë dekadash të Ismailit, si njeri!

Njihen dhe dihen "borxhet" dhe arsyet e mirënjohjes së Ismail Kadaresë, rrjedhimisht edhe të Elenës ndaj Edi Ramës, kryesisht për detyrat shtetërore të vajzave dhe për ca akte të tjera nderimi në Gjirokastër, Tiranë e gjetiu...!

Por, nëse do të ishte po aq i madh sa është shkrimtar edhe si njeri, mund t’ia shprehte dhe shprehë mirënjohjen edhe në të ardhmen, sa herë të dojë, në intimitet dhe jo publikisht! Kaq pak po i kërkohet Ismail Kadaresë si njeri, si qytetar shqiptar dhe francez...!

Kështu, më në fund, shmang fakte dhe arsye të reja për të vazhduar të qarkullojë në media shprehja e hershme dhe jo lehtësisht e kundërshtueshme: “Ismail Kadare është i madh si shkrimtar, por i vogël si njeri...!”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat