Përurohen punimet në kishën e Kuvendit të Arbrit në afërsi të Lezhës

Kultura

Përurohen punimet në kishën e Kuvendit të Arbrit në afërsi të Lezhës

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli Më 20 nëntor 2023 Në ora: 15:59
Dom Nikë Ukgjini nismëtari dhe organizator i rinovimit dhe punimeve në Kishën historike katolike të Shën Gjonit afër Lezhës ku është mbajtur Kuvendi i Arbërit (320-vjetë më parë – Janar 1703) nën përkujdesjen e Papës me origjinë shqiptare, Klementit të XI-Albani

Sipas nismëtarit të këtij projekti të madh por edhe shumë të tjerave në ato anë, Dom Nikë Ukgjinit dhe bazuar në informacion nga rrjetët sociale, të shtunën me 18 Nëntor, 2023 në Mërci të Lezhës u zhvillua ceremonia e përurimit të punimeve në Kishën e Kuvendit të Arbërit. Ky Kuvend Kishtar Arbëror është mbajtur aty me 14 e 15 Janar, 1703, i organizuar me porosinë nga Papa shqiptar, Klementi i XI - Albani. Frank Shkreli: Papa Klementi i XI me origjinë shqiptare – mbrojtës i identitetit kombëtar të shqiptarëve | Gazeta Telegraf

Nën përkujdesjen e të palodhoshmit Dom Nikë Ukgjinit, të shtunën u zhvillua ceremonia e përurimit të punimeve përfundimtare -- në Kishën e Shën Gjonit ku 320-vite më parë është mbajtur Kuvendi Arbërit në Mërci të Lezhës -- punime të cilat kanë filluar kohë më parë për rehabilitimin e kësaj kishe historike – me vlera të mëdha fetare e kombëtare për të gjithë shqiptarët pa dallim – të rëndësishme për mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe ruajtje së gjuhës shqipe. Frank Shkreli: Kanë filluar punimet për rehabilitimin e Kishës së Kuvendit të Arbërit afër Lezhës | Gazeta Telegraf

Përurimi i punimeve të shtunën që kaloi në Kishën e Shën Gjonit – Kishën e Kuvendit të Arbërit, është një tjetër projekt i përfunduar në rrethin e Lezhës, nën përkujdesjen e Dom Nikë Ukgjinit, Në ceremoninë e përurimit morën pjesë personalitete kishtare dhe vendore nga Shqipëria, Kosova por edhe nga vende të largëta si Dalmacia, Kroacia, Bosnja e Mali i Zi.

Image
“Populli em u ba rob, se nuk pat dien” -

Nga trojet shqiptare dalloheshin, ndër pjesëmarrsit në këtë aktivitet, Arkipeshkvi i Shkodrës, Angjelo Massafra, Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, Ipeshkvi i Tivarit, Rrok Gjonlleshaj, Ipeshkvi i Lezhës, Ottavio Vitale, si dhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, klerikë, intelektualë e historianë nga Shqipëria e Kosova. Pjesëmarrësit që folën me këtë rast, me të drejtë, vlerësuan lartë punën dhe mundin e Dom Nikë Ukgjinit, jo vetëm për realizimin e këtij projekti, por edhe shumë të tjerëve, në përpjekjet e tija të vazhdueshme për të ruajtur dhe mbrojtur atë trashëgimi qindra-vjeçare fetaro-kombëtare, që ende mund të shpëtohet nga shkatërrimi prej njerëzve dhe prej natyre.

Realizimi i këtij projekti – përurimi i punimeve të shtunën i këtij monumenti të rëndësishëm për identitetin, gjuhën dhe klutuurën shqiptare – është meritë e Dom Nikë Ukgjinit me disa bahkpuntorë të tij të ngushtë e që kanë vazhduar t’a mbështesin me mundësitë e tyre, në ringritjen e këtyre objekteve kulturoro-fetare në atë zonë – të cilat janë dëshmi e gjallë e vazhdimsisë së identitetit kombëtar e fetar të shqiptarëve në ato anë, prej shekujsh.

Image
Shtatorja e Papa Klementit XI – Albani, me origjinë shqiptare, nën përkujdesjen e të cilit është mbajtur Kuvendi i Arbërit -- Janar 1703 -- Kisha e Shën Gjonit në Mërqi të Lezhës

Objekte këto, të cilat, ishin lenë pas dore nga ish-regjimi komunist – bazuar në ideolgjinë e tij anti-fetare dhe anti-kombëtare -- por edhe nga qeveritë post-komuniste të 30-viteve të fundit, objekte të harruara dhe lenë në mëshirë të fatit – një praktikë kjo anti-kombëtare që vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe që po kontribon në zhdukjen e trashëgimisë kulturore të mbi-dheshme dhe nën-dheshme, si dhe identitetit historic kombëtar të shqiptarëve në ato anë. Por falënderës Zotit për shqiptarë të mirë e të palodhun, patriotë si Dom Nikë Ukgjini me bashkpuntorët e tij, i cili po mundohet të shpëtoj atë që mund të shpëtohet me mjetet e tyre të kufizuara materiale e financiare për rehabilitimin dhe ruajtjen e këtyre vendeve të shënjta, me rëndësi për historinë e asaj zone dhe mbarë trojeve shqiptare në Ballkanin Përendimor. Duhet t’i jemi mirënjohës Dom Nikës dhe të gjithë atyre mbështetsve të tij, si Gjergj Liqejza, Viktor Jushi e të tjerë, që sipas të dhënave, i janë bashkuar Dom Nikës në këtë mision të shënjtë me vlerë historike, fetare e kombëtare.

të dhëna për të venë në njëfarë perspektivë historike rëndësinë që kishte në atë kohë mbajtja e Kuvendit të Arbërit dhe për rëndësinë e trashëgimisë identitare fetare dhe kombëtare që ka ose që duhet të ketë sot për të gjithë shqiptarët pa dallim. Në një artikull botuar nga Radio Vatikani me 14 Janar, 2019 flitet për kushtet dhe rrethanat shumë të vështira nën të cilat është mbledhur Kuvendi apo Koncili i Kishës Katolike i trojeve shqiptare në atë kohë – përball sfidave dhe problemeve të mëdha që perandoria osmane kishte imponuar mbi jetën dhe veprimtarinë e Kishës Katolike shqiptare, 320-vjetë më parë. Kuvendi Kishtar i Arbërit u mor me të gjitha ato probleme të rënda që përjetonte çdo ditë fisi i shqiptarit, e sidomos përballimi me rrezikun e humbjes së identitetit kombëtar dhe zhdukjen e gjuhës shqipe dhe të drejtave fetare. Kuvendi kishtar i Arbërit dhe mbrojtja e identitetit kombëtar e fetar të shqiptarëve - Vatican News

rrjedhim, përveç gjendjes së mjeruar fetare në viset e Arbërisë, Kuvendi Kishtar i Arbërit i vitit 1703, ka shqyrtuar, ndër të tjera, sipas atij artikulli, kufizimet e rënda të imponuara nga okupimi Osman mbi shqiptarët e që kërcënonin seriozisht identitetin kombëtar dhe fetar të shqiptarëve – dy çeshjte këto me rëndësi e që u mbrojtën si jetike për mbijetesën e shqiptarëve si Komb me identitetin e tij të veçant kombëtar e fetar. I një rëndësie të veçantë historike, sipas historianëve dhe gjuhëtarëve, është botimi në gjuhën shqpe i punimeve të Kuvendit të Arbërit – që konsiderohet si i pari botim shqip, të pakën deri tani i akteve kishtare sinodale në gjuhën shqipe nga një takim i atij niveli të lartë, 320-vjet më parë, sipas artikullit në fjalë.

Shkrimtari e studiuesi Tonin Çobani në një vlersim të librit të shkrimtarit e historianit të ndjerë nga Kosova, Engjell Sedaj: "Papa shqiptar Klementi XI-Albani & Kuvendi i Arbënit", botuar më 1998 nga Ndërmarrja botuese “Gjon Buzuku”, citon autorin Sedajn të ketë shkruar në librin e tij se Kuvendi i Arbërit është një "Kujtesë e dokumentuar dhe e pashlyeshme e historisë së popullit shqiptar në dimensionet më të gjëra të jetës së tij."

Urime Dom Nikë Ukgjinit dhe të gjithë atyre që e mbështetën atë në këtë përpjekje të suksesshme -- që me mund e mbështetje të mëdha financiare, fizike e mendore, më në fund ia dolën: që me ceremoninë e përurimit të punimeve në Kishën e Kuvendit të Arbërit, të shtunën që kaloi, Dom Nika me bashkpuntorët e vet, përjetësuan këtë, “Kujtesë të dokumentuar dhe të pashlyeshme të historisë së popullit shqiptar në dimensionet më të gjëra të jetës së tij”, duke e kthyer këtë Monument të historisë së Kombit shqiptar – Kishën e Kuvendit të Arbërit -- në identitetin e saj origjinal, duke ndriçuar kështu sadopak errësirën shekullore të historisë së kaluar të Kombit shqiptar, jo vetëm për brezat e tanishëm dhe të ardhëshm të shqiptarëve, por edhe për të huajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat