Recension për romanin „Lufta e Pengjeve” të autorit Gani Mehmetaj

Kultura

Recension për romanin „Lufta e Pengjeve” të autorit Gani Mehmetaj

Nga: Sherif Ramabaja Më: 20 nëntor 2023 Në ora: 17:46
Sherif Ramabaja

Të shkruash për autorin dhe Shkrimtarin tashmë të popullarizuar Gani Mehmetaj është një kënaqësi, por po ashtu është një sfidë dhe përgjegjësi në vete.

Autori vitin e kaluar me romanin “Zogjtë e Qyqes” fitoi çmimin Kadare, me të cilin bëri një depërtim të vrullshëm në literaturën shqiptare, ku i befasoi lexuesit me një temë sa të njohur, po aq emocionale dhe të ndjeshme për Dardaninë. Për lexuesit kjo ishte një surprizë sepse një vepër letrare përshkruante atë që ndodhte në truallin e Dardanisë – kolonizimin që në popullin shqiptar linte gjurmë nëpër shekuj. 

Me një befasi të këndshme autori, Gani Mehmataj edhe sivjet i gëzoi lexuesit e tij me romanin tjetër „Pengjet e Luftës”, i cili po ashtu për nga cilësia konkurron me ish romanin e tij “Zogjtë e Qyqes”.

Derisa në romanin “Zogjtë e Qyqes” preken etapat e kolonizimit të Kosovës nga kolonët serb, në romanin “Lufta e Pengjeve” ballafaqohemi me fillimin e shpërbërjes së krijesës Jugosllavi, e cila ishte një varr për shqiptarët, po në të njëjtën kohë, një shpresë se do të përfitonim edhe ne. Si me krijimin, e po ashtu edhe me shpërbërjen e kësaj krijese,”Jugoslavi” shqiptarët ishin ata që e pësonin më së shumti, kur dihej se pa dhimbje me të gjitha mjetet vepronin ndaj shqiptarëve. Këtë shqetësim e përshkruan edhe shkrimtari në veprën e tij.

Autori Gani Mehmetaj, për ta përshkruar këtë fenomen zgjedh tetë personazhe, numër që përfaqësonin tetë njësitë etnike të ish Jugosllavisë.

Me zgjedhjen e personazheve të tij, që përfaqësonin po ashtu tetë kombe, apo njësitë federale, autori me mjeshtëri ia arrin qëllimit, që përmes tyre t´i përshkruaj cilësitë e secilit popull veç e veç. Duke i përshkruar cilësitë individuale të tyre, autori në të njëjtën mënyrë përshkruan edhe karakterin e popullit të cilin e përfaqësonin.

Iliriani është personazhi i cili përpos që e përfaqëson vetveten e përfaqëson edhe Dardaninë, shqiptarët e ish Jugosllavisë, po edhe karakterin e shqiptarit në përgjithësi.

Iliriani me rrëfimin e tij nëpër episode të ndryshme i paraqet raportet me popujt tjerë e sidomos me popullin serb, prej të cilëve që nga ripushtimi pas Perandorisë Otomane, shqiptarët jetonin si në gojën e ujkut.

Në pika të shkurta ai ia përshkruan Zoranit nga Shumadia se si trajtoheshim dhe ç´kishim pësuar e ç ‘pësonim, por e vërente se sa e vlen t´ia thotë këto gjëra kur ai e ka të vërtetën e vetë të ngulitur në kokë.

Shenjat e shpërbërjes së Jugosllavisë kishin filluar më herët, në vitet e tetëdhjeta pikërisht në Kosovë, po në këtë rast ngjarja e romanit fillon në një kazermë në Slloveni, ku ngjarjet kishin marr një rrugë të pakthyeshme. Dëshmitarë të kësaj shpërbërje ishin ushtarët e kazermës, të cilët ishin të rrethuar dhe pritnin se çdo të ndodhte.

Gjatë kësaj pritje autori shpalos karakteret e popujve të ish Jugosllavisë përmes personazheve të tij. Ushtari serb Zorani dhe malazezi përpiqeshin për ruajtjen e strukturës së ish Jugosllavisë.

Boshnjaku nuk dinte se anën e cilit ta merrte, anonte ndoshta pa vetëdije, andej nga ishte forca.

Hungarezi, po ashtu edhe shqiptari Iliriani ishin pengje dhe viktima të larjes së hesapeve mes të tjerëve.

Slloveni dhe kroati kërkonin ndarje duke e gjykuar kohën e bashkëjetesës. Serbi dhe malazezi kërkonin ta ruanin Jugosllavinë si shenjë e dominimit të tyre, kurse shqiptari dhe të tjerët, viktimizoheshin dhe binin pre e ambicieve të të tjerëve.

Autori duke jetuar vetë në këtë krijesë, ku e kishte përjetuar edhe luftën e fundit me gjithë familje, i njeh rrethanat, prandaj arrin t´i përshkruaj aq bukur ngjarjet që të emocionojnë sa për krenarinë e mosnënshtrimit, po aq me dhimbjen dhe pësimin.

Vepra e autorit shquhet me rrëfimin dinamik, ku thënjet  karakteristike ia shtojnë të vërtetën e hidhur reale : „Kroati e urrente serbin, serbi e urrente kroatin, boshnjakun dhe hungarezin, slloveni nuk e donte asnjërin. Malazezi urrente të gjithë ata që i urrente serbi, ndërsa sllavi i Maqedonisë urrente vetëm shqiptarët vendas në republikën e tij”.

Me shkathtësinë e tij të stilit dhe gjuhës autori mbetet neutral duke e përshkruar secilin personazh ashtu siç është, pa e humbur tundimin që të rrëshqas në nacionalizmin e tij, që të tjerët t´i trajtoi padrejtësisht. Kjo është edhe fuqia autoriale që t´i gjykoi gjërat dhe ngjarjet ashtu siç do t´i gjykonte çdo njëri, i cili do të pranohej nga të gjithë. Asnjërit popull, i cili përfaqësohet nga personazhi i romanit të tij, nuk i përshkruan diçka të cilën nuk e ka. Kjo cilësi prandaj autorin e bënë të qëndroj ballëhapur dhe secilin lirisht mund ta shikoi drejt në sy.

Me figurën e Ilirianit shkrimtari me imagjinatën e tij hyn deri te legjendat e popullit tonë, dëshirën e vetme për t´u kthyer në gjirin familjar dhe në atdheun e tij. Pra Iliriani pasi arrin të dal nga kazerma e rrethuar në Slloveni kishte mundësinë që të largohej në perëndim, po ai me çdo kusht dëshironte të kthehej në Kosovë, edhe pse rreziku ishte që të mos kthehej kurrë i gjallë.

Peripecitë e Ilirianit vazhdojnë në Kroaci ku nëpër formacionet ushtarake takon edhe shqiptar, vazhdojnë po ashtu në Bosnje ku gjithashtu takon Besimin nga Sanxhaku i cili nuk dinte shqip dhe vazhdojnë pastaj tutje duke vazhduar në drejtim të Kosovës.

Iliriani me vendosmërinë dhe guximin e tij arrinë që të futet në Kosovë, po përjetimi edhe në atdhe është i dhimbshëm. Mezi arrinë ta shpëtoi kokën pas ekzekutimeve që bënin serbët në burgun e D. Përjetim i dhimbshëm është se pas gjithë përjetimeve të tij, i duhet t´i kërkoi tutje nënën dhe motrën, sepse ato tashmë ishin larguar nga Kosova.

Shkrimtari Gani Mehmetaj me mjeshtërinë e gjuhës së rrjedhshme dhe stilit të tij të përkryer letrar, lexuesin e bënë për vete, kurse dinamika e ngjarjeve të len pa frymë, për të mësuar se çdo të ndodhë në vijim.  

Intensiteti i rrëfimit, zgjedhja e shprehjeve që karakterizon specifikat e ish popujve të Jugosllavisë e bëjnë veprën tërheqëse dhe gjeneratave të reja ua sqaron një realitet të hidhur që mbretëronte në ish shtetin e përbashkët, i cili shkonte drejt shpërbërjes.

Për ata që e kanë përjetuar luftën, vepra është emocionale dhe e dhimbshme, sepse ka skena që përputhen shumë me ngjarjet e vërteta dhe realitetin.

Ajo që të bie në sy është se romani i shkrimtarit tashmë të shquar zotit Gani Mehmetaj, shumë lehtë me një ndërhyrje regjisoriale të shndërrohet edhe si shfaqje teatrale, apo si skenar filmi.

Njohuritë e autorit nëpër etapat e pushtimeve shekullore dhe regjimeve nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar, i japin atij brumë të mjaftueshëm për trajtimin me mjeshtëri të temave të tilla, ku lexuesit shqiptar me kërshëri i presin botimet prej tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat