​334 vjet nga vdekja e Pjetër Bogdanit, mjeshtrit të gjuhës shqipe

Kultura

​334 vjet nga vdekja e Pjetër Bogdanit, mjeshtrit të gjuhës shqipe

Më: 6 dhjetor 2023 Në ora: 07:49
​334 vjet nga vdekja e Pjetër Bogdanit, mjeshtrit të gjuhës shqipe

Figura e papërsëritshme e Pjetër Bogdanit përbën një nga stadet më të mëdha dritëdhënëse të kulturës shqiptare ndër shekuj.

Pjetër Bogdani nuk është vetëm një kryemjeshtër mrekullibërës i gjuhës shqipe, por ai është dhe ka mbetur teologu më i madh i krishterë në gjuhën shqipe që reflekton një humanizëm të pashoq në letrat evropiane si dhe një nga poetët më të përndritur të poezisë së stilit barok në Shqipëri dhe në Evropë në shekullin 17.

Pjetër Bogdani prift, ipeshkëv, kryeipeshkëv, teolog dhe filozof, u lind në Gur të Hasit afër Prizrenit. Mësimet e para i bëri në Ciprovac - Bullgari. Më 1651 ushtron detyrën e meshtarit në Pult e në fshatrat e Prizrenit, në anët e vendlindjes.

Në vitin 1656 thirret në Romë për të vazhduar studimet e larta teologjike. Aty mëson gjuhët e Lindjes. Më 1658 kreu studimet e larta të teologjisë e filozofisë në Romë dhe mori titullin doktor.

Më pas emërtohet ipeshkëv i Shkodrës dhe administrator i Tivarit 1663–1664.

Më 1675 shkruan librin “Çeta e profetëve” dhe ia paraqet Kongregatës së Vatikanit “Propagandës së Fidesë” për botim. Rekomandimi i Propagandës ishte të përkthejë librin. Fillon përkthimin e librit. Në 1685 shkon në Venedik e në Padovë. E merr me vete librin e përgatitur për botim.

Vepra e ipeshkvit Pjetër Bogdani “Cuenus Prothetarum de Christo Salvatore Mundi” e njohur me titullin shqip “Çeta e Profetëve” shkruar në gjuhën shqipe dhe italiane u rishtyp më 1691 dhe 1702 në Venedik me titull ndryshe.

Libri “Cuneus Prophetarum” apo sipas përkthimit të Justin Rrotës “Çeta e profetëve”, është një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë të vjetër letrare.

Pjetër Bogdani ndërroi jetë më 6 dhjetor 1689, në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat