​Festivali folklorik në Libohovë, grupet folklorike paraqesin kostumet dhe traditën

Kultura

​Festivali folklorik në Libohovë, grupet folklorike paraqesin kostumet dhe traditën

Më: 6 dhjetor 2023 Në ora: 15:57
Foto ilustrim

Festivali Tipologjik Folklorik Kombëtar po mbahet aktualisht në Libohovë nën autoritetin e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale.

Eventi folklorik që vjen në edicionin e tij të 15-të këtë vit sjell bashkë grupe nga shumë treva me qëllim evidentimin edhe të qyteteve më vegjël, krahinave me karakteristika të veçanta etnografike kostumeve, riteve tradicionale dhe pasurinë e botës materiale që i shoqëron ato.

“Ne jemi përpjekur që pjesë e festivalit të jenë të gjitha trevat, të gjitha zonat që e interpretojnë polifoninë kështu që në këtë skenë do kemi të përfaqësuar jo vetëm zonën e Labërisë por edhe qyteza e fshatra më të vegjël e kultivojnë shumëzërëshin. Jemi përpjekur që të sjellim një program që nuk është i ezauzuar dhe i njohur nga publiku dhe siç u pa kemi prurje shumë të mira”, tha Niko Kotherja, kreu i Qendrës së Veprimtarive Tradicionale.

Grupet pjesëmarrëse po prezantohen me disa prej aseteve të folklorit dhe isopolifonisë së Jugut që nga polifonia e bregut e këngët e Neço Mukës deri tek vajet e rralla të korit të grave të moshuara të Selosë.

Guri Rokaj dhe grupi i tij nga Mallakastra sollën në festival motive të restauruara të kostumeve dhe një grup më të kompletuar në numër artisësh si dhe prurje të dedikuara folklorike.

“Sot për Libohovën e Avni Rustemit do të sjellim dy këngë epike dhe një këngë humoristike. Përveç këngëve ne sjellim kostumet që janë pasqyra dhe karakteri i çdo grupi si pjesë e identitetit të kombit shqiptar,” tha Guri Rokaj nga grupi i Mallakastrës.

Grupi i Himarës prej 40 vjetësh përcjell traditën e folklorit qindravjeçar të bregdetit. Katina Beleri marrëse e grupit flet për emocionet që përcjell shumëzërëshi i Himarës.

“Jemi grupi polifonik i Himarës që e përfaqëson këtë zonë prej 40 vjetësh. Në këtë festival sjellim tri këngë, njëra e Neço Mukës, një tjetër këngë të vjetër “Erdhi prilli shkriu bora” dhe këngën e Amazonës që na i kërkojnë përherë,” u shpreh Katina Beleri nga grupi i Himarës.

Festivali që zhvillohet çdo dy vjet evidenton edhe larminë me karakter etnik të prurjeve folklorike.

Përzgjedhja e Libohovës për mbajtjen e eventit të këtij viti ishte në funksion të njohjes të qendrave në dukje të vogla administrative por që janë bartëse burimore të folklorit. Eventi i këtij viti po dallohet për numrin e madh të të rinjve dhe për risjelljen e disa prej motiveve të përcjella që prej mesjetës së vonë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat