Pashk Përvathi - njeriu i kohëve të fituara

Kultura

Pashk Përvathi - njeriu i kohëve të fituara

Nga: Martin Dedaj Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 17:12
Foto ilustrim

Përmes librit: “Rrugëtimi im”, që u promovua ditën e mërkure, më 13.12.2023, në Qendrën Kulturore të Fëmijëve “Gjergj Lacaj” Lezhë, piktori i talentuar “Mjeshtër i Madh”, Pashk Përvathi, vjen me një udhëtim interesant personal dhe zhbirilues përtej vetes së tij, por që shpalos eksperiencat personale të përcaktuara nga sfidat, sukseset dhe mësimet e përjetuara gjatë këtij rrugëtimi të bukur, ku piktori tashmë dhe shkrimtar ka specifikat e veta.

Se ai është ndër të parët, ndoshta i pari nga lëvruesit e arteve figurative, që guxon dhe thyen një tabu, teksa shkruan për veten e tij një libër që i kalon caqet e një autobiografie personale, duke shkuar ndoshta drejt një romani me stil të veçantë, ku përpos tij si personazh kryesor janë shumë e shumë personazhe të tjera të takuara gjatë rrugëtimit të tij dhe që janë përshkruar në detaje në këtë libër. Duke dëshmuar kështu se Pashk Përvathi përpos talentit si piktor, prezantohet edhe si një shkrimtar befasues, por ai është edhe një historian dhe gjeograf i pasionuar për tu patur zili, pasi frymëzimin e tij e merr tek studimi që i bën gjithçkaje, përpara se ra hedh në pikturë. Në krijimtarinë e tij figurative dhe në të shkruar para së gjithash familja dhe vendlindja janë të shenjta për piktorin shkrimtar, i cili u ka dedikuar shumë e shumë portrete e peizazhe, dhe po aq radhë të shkruara në këtë libër.

Piktori i talentuar “Mjeshtri i Madh” Pashk Përvathi, lëvron me kompetencë profesionale të gjitha gjinitë e pikturës, por veçanarisht spikat me peizazhet e tij brilante dhe “portretet binjake” të origjinalit, duke studiuar në detaje të gjithë elementët artistik, që ndihmojnë në krijimin e një imazhi të përfunduar dhe të përmbajtur, si lënda, forma,ngjyra, dritaria, kompozita etj.

Në udhëtimin e Pashk Përvathit, çdo element dhe detaj ka rëndësinë e vet, por unë po shkëpus dhjetorët, që në mënyrë krejt të rastësishme më rezultojnë të jenë katër; Dhjetori i parë, ai i vitit 1990 pagëzuar ndryshe si Dhjetori i Lëvizjes Studentore, që njëherësh është edhe dhjetori i gjithë shqiptarëve, teksa përpëliten prej mëse tri dekadave në ëndrrën e tyre të kahershme “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”; Dhjetori i Dytë, i vitit 2006, ku është dekuruar me urdhërin “Naim Frashëri i Artë”; Dhjetori i tretë, kur është dekuruar me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, dhe Dhejtori i katërt i këtij viti (2023), teksa promovon në Lezhë librin e tij të parë “Rrugëtimi im”. Në korelacion me katër dhjetorët më vjen në mend një shprehje e artë për kohën e cila thotë se; “Koha fitohet në katër mënyra: Të dish të bësh diçka; Të bësh atë që duhet; Në kohën dhe vendin e duhur; Dhe ashtu siç duhet”. Bazuar në këtë thënie, teksa e analizoj me detaje rrugëtimin e tij jetësor dhe artistik them me bindje të plotë e them se; Pashk Përvathi është “NJERIU I KOHËVE TË FITUARA”.

Promovimi i librit “Rrugëtimi im”, ka qenë një promovim tepër mbresëlënës gjë të cilën e dëshmuan mësëmiri: organizimi dhe moderacioni për tu marrë shembull, pjesëmarrja e madhe cilësore dhe intelektuale e të pranishmëve nga fusha kryesisht të artit dhe jo vetëm, por dhe qytetarë dashamirës të letërsisë dhe artit, diskutimet nga personalitete të njohura dhe elitare të fushave të tyre, filluar nga kryetari i bashkisë Pjerin Ndreu, e vijuar me Fatmir Toçin, Rudolf Markun, Preç Zogajn, Ndue Dedajn, Martin Lekën, Tom Therçajn, Frano Kullin, si dhe vetë autorin e librit Pashk Përvathi, të cilët folën seicili në stilin dhe formën e vet, për librin që promovohej, duke evidentuar vlerat dhe veçantinë e këtij libri të arrirë dhe të vlerësuar nga kritika letrare..

… për ti mbyllur këto radhë modeste me një thënje brilante të një bashkëkohësi të autorit të librit, pikërisht “Piktori i Bregut” siç e kam quajtur unë z. Leonard Bixhili, i cili ndër të tjera ka shkruar se: “Rrugëtimi i Pashkut është një rrugëtim madhështor hapash viganë nga rrugicat e Manatisë, në bulevardet dhe sallonet e metrove evropiane dhe botërore”.

Urime të mëtejshme miku im! Njëherësh adresoj një vlerësim publik për Bashkinë Lezhë dhe veçanarisht kryetarin e saj z. Pjerin Ndreu, për organizimin model të promovimit të këtij libri dhe suportin ndaj artit, letërsisë dhe zhvillimeve kulturore-artistike etj, që kanë marrë dimension tjetër këto kohët e fundit në Lezhë, duke i tejkaluar kufinjtë lokal, rajonalë dhe kombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat