Ti, njeri latues i lumturisë...

Kultura

Ti, njeri latues i lumturisë...

Nga: Neki Lulaj Më: 18 dhjetor 2023 Në ora: 18:56
Neki Lulaj

Përmbi vargje përtërijnë fjalët
Mbi alpet e librave plotë jetë
Përtej amaneteve të prindërve 

Edhe e të parëve përtej
Përtej kufijve të mendimeve tuaja yjore
Lëviz me shkathtësi harta e shpirtit tënd

Përtej…
Përtej vargjeve tuaja lirike
Idhnaku i vargut modern
Fjala jote 

Zemër e shpërndarë cep më cep

Ti, Xeherore e mendimit të thellë
Burrë urtak e shumë fisnik
Me zemër sa e tërë Dardania
Miku i madh me shumë miq

Fjala jote prej mendimtari
Që shndritë natën me skuta
Shpirti yt i derdhur në shkronja
Ar e farë mbjellë në shkolla

Për miqtë e fjalës 
Ti hap vatra diturie
Bukur shkruani dhe vulosni epoka
Me motive të zjarrta dashurie

Vargu i juaj si i Naimit
Që natën e gjatë e bëri dritë
Muza e jote Hartë shqiptarie
Në Luginë, n’Preshevë

Në Çamëri dhe në Iliridë

Zografove mijëra vargje e fletë
Që bartin dhembje halle derte e luftëra
Duke e gavruar shpirtin e çiltër
Me frymëzimet 

Që nga Njeriu pa shtëpi 

Nga Prapaqani dhe Lëbusha

Mendimi i juaj kullon veç njerëzi
Bash si uji që rrjedhë nga gurra
Kuvendon edhe me baballarët e kombit
Heronjve u gritë lapidare 

Në kala në sheshe dhe në kulla

Proza e jote dhe poezia
Gurgullojnë si valët e Lumëbardhit
Ato duhet të kthehen në skenar filmi
Janë plotë mesazhe lumturie
Shpresash dhe madhështie 

Mes lulesh përrallore 
Me plotë drita dashurie

Fjala jote është vetë simfonia
Që në shpirt gjithmonë drithëron
Me tanë atë hartën e gjeografisë shqiptare
Shkreptimë drite në errësirë lëshon

Në mes rimash kur era frynë
Ligjërojnë shkronjat e shqipes 
Abetare nëpër shkolla
Temë studimesh në universitet
Lahutë Malësie në oda miqsh

Vargu yt yjor gjethon si prilli
Thinjat në kokë si bora në Sharr
Shtati yt si qetinë mali
Buzagazi behar maji
Qëndrimi yt burrëror 

Edhe me shpirt të madh
Fjalëngrohtë që zgjedhë çdo nyje jete
Ti njeri latues i lumturisë...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat