Babadimri

Kultura

Babadimri

Nga: Kalosh Çeliku Më: 22 dhjetor 2023 Në ora: 10:56
Kalosh Çeliku

Tungjatjeta

Male me lisa – fusha me grurë

Zogj me këngë – kulla me flamur.

Gurra me ujë – trima në çeta

Lumenj me shelgje – liqe e këneta.

Tungjatjeta!

Natë me hënë – diell me rreze

Qiell me yje – dyer me reze.

Bujq me plugje – shitëse me gazeta

Burra me armë – dasmorë me trumbeta.

Tungjatjeta!

Nëna me djepa – grigje me baresha

Shkolla me nxënës – poetë me vjersha.

Atdhe me trima – fëmijë me biçikleta

Biblioteka me libra – buste me gërsheta.

Tungjatjeta!...

Moti i keq

Era kur fryn – shahet qielli

Shiu kur pikon – qanë qielli.

Breshëri bie – top lozin yjet

Bora bie – të ftohtë kanë pyjet.

Rrufeja kur shti – zemërohen retë

Lumi vërshon – s’e tërheqin qetë...

Stërnipi i Skënderbeut

Bora bie, fryn era me shtrëngatë

Unë fletore, libra fus në çantë.

U them prindërve: lamtumirë

Udhembarë, o djalë i mirë!

Burrërisht si trim dal nga dera

Ktheu prapë, më thotë era!

Jo, oj erë s’kthehet prapë trimi

Me një vjershë më thërret xha Naimi.

Dua t’i dal zot edhe unë Atdheut

Se, jam stërnip i Skënderbeut.

Obo-booo, ç’u zemërua era e malit

Turr të egër seç i bëri djalit.

Po trimi me gjoks e grushte para

E bëri erën të ikë nëpër ara.

Shiko babi, shiko si ecë shkollari

S’e ndal shiu, era, bora, as acari.

Përpara o bir, me libra në dorë

Suksese të reja për të korrë!...

Dimri me qerre

Vargu i gjatë me çanta në dorë

Krah për krahu në erë, e dëborë.

Acari u vë pusi pas një ferre

Dimri rrugëve endet me qerre.

Armët dorëzoni, mos bëni asnjë hap

Pushka e dimrit: shkrrap – shkrrap...

Sharri plak

Sharri plak folë me lisat

Sharri plak fol me bishat.

Sharri plak folë me burimin

Sharri plak folë me trimin.

Sharri plak folë me gurin

Sharri plak folë me flamurin.

Sharri plak folë me shpezët

Sharri plak folë me rrezet.

Sharri plak folë me bariun

Sharri plak shahet me veriun...

Babadimri

Babadimri,

Natyrës ia sjell pajën

Lepujt mezi e tërheqin sajën.

Valles ia merr bashkë me fëmijë

Qielli fishekzjarre s’di sa mijë.

Fëmijëve u shpërnda dhurata

Yhahaaa – i ka duart e gjata.

Babadimër,

Lisave më pak erë veriu

Maleve gjithmonë këngë bariu!...

Dordoleci me llullë

Fëmijët dordolecit i vunë kësulë

Goni tha: jepni edhe një llullë!

Duhanin vetëm mos ia ndizni trimit

Se hutohet s’di nga t’i fryej tymit.

Kollitet, mund t’i dhëmbë barku

Fyti i bëhet më zi se oxhaku.

Karrota si bënë keq në vend të hundës

Pullat ku i latë, mbërthenja gunës!

Fshisën ia veni, mos e leni pa armë

Nata e gjatë, mund të ketë zjarmë.

Gon Hutaçi tinës me kësulë në kokë

Ndize he burrë, bëmu edhe ti shok!

Dordolecit, po sa iu tymuan flokët

Faqeve teposhtë i rrëshqitën lotët.

Lepuri që i përcillte këto veprime

Fëmijët, tha vërtetë bënë dy gabime:

Një: dordolecit i dhanë llullë duhani

Dy: Karrota i takonte këtij azgani...

Plepat në luhajë

Vu e vuuu... Unë jam era

Librat mos i lini te dera!

E nëse u mërzitën, o Nikollë

M’i jepni mua t’shkoj në shkollë!

Fiu – fiuuu, fishkëlloj me pip

Me vete barti letra e grip.

Udhëtarëve pluhur u hedh në sy

Po m’hidhërove të sulmoj edhe ty.

Kësulën ta marr vrik – shallin

Dhe shëtis me të livadhin.

Pemëve gjethet tinës ua vjedh

Edhe unë, si ju di të bredh.

Bustave u vë kurora lulesh

Fluturave, ti kur u turresh.

Kështu vrapoj vu e vu, haj – haj

Majat e plepave i hip në luhajë...

Maleve te burimi

Krah për krahu – taborre, taborre

Faq më faqe, o dorë për dore!

Urra! Do të dalim maleve te burimi

Shtrigës sulm me libra këndimi!

Ca të ndalemi me barinj n’bregore

Cung më cung si në banka shkollore.

Fytas të rrokemi sikur burrat

Hapi ynë të eci nga gurrat...

Pak nëpër verë

pak nëpër dimër

O do të turrem andej nga mali

Kodrës, majave me hapa djali.

Pak nëpër verë, pak nëpër dimër

Se, jam djalë, o me libër.

Që, s’trembet fare nga veriu

Më rritë bora, më rritë shiu.

E do të pij ujë te një burim

Ta shuaj etjen, të bëhem trim.

Sharrit plak t’i ngjitem në majë

Mes dy lisash të bëj luhajë!

Malësorçe t’ia them si bariu

Le të bie bora, fryj veriu...

Plepat lexojnë qiellin

M e madhe e shtypit, m e vogël e shypit

MJEGULLAT

Pikat e shiut lëshohen teposhtë rrypit.

Bari sytë i lanë me shtama

Shelgut në lumë i laget këmba.

Lulja derën vrik ia çelë bletës

Vjollca në ferrë u prinë çetës.

Flutura livadhit kërkon ombrellën

Zogu ngutas e vesh fanellën.

Leximi vazhdon në tjetrën faqe

Tymi ngrihet mjegull mbi oxhaqe.

Kryerresht.

Shkollari ngutet nga shkolla

Lahu e lahu lisi, ftoi, molla.

Natyra i vesh rrobat e ngushta

Lulet zgjasin duart grushta, grushta.

Plepat gjithmonë me syza të fshime

Qielli qenka plot vjersha e tregime...

Eja pas meje

Gur më gur e kaloj lumin

Gjoksin para e pres sulmin.

Dora-dorës ballë kësaj beteje

Eja pas meje!

Lule më lule eci si bletë

Vjershën time kërkoje në çetë!

Vullnetare doli pas një reje

Eja pas meje!

Mal më mal atje, te burimi

Shkollarëve t’u prij te këndimi.

Klasë më klasë me zë rrufeje

Eja pas meje!...

Të lindë dielli

Vjersha jemi, ecim librave t’këndimit

Gazetave, herë fletoreve të trimit.

Shkollave me nxënës i hapim dritaret

Marrim malet.

Verës – dimrit me shoqe e shokë

Qafë për qafe e kokë më kokë.

Armë e fortë jemi në këtë botë

Kemi të ftohtë.

Xhep më xhep e dorë më dorë

Gjoksin para në shi e dëborë.

Hapi ynë ecën nga qielli

Të lindë dielli!...

Vjershë pa një varg

Festave rri kaçaku në mes lulesh

Babi, ndal! Me këta vargje ku turresh?

Bustin dua të përqafoj fluturim

Zemër më jep, e më bënë trim!

Librave m’i zgjon vjershat kalavesh

Vocrraku një varg më tha në vesh:

Mua poetit faqja seç m’u lag

Vjershës sime i mungon një varg...

Vëllezërisht

Rrugës ma ndërsen qenin

Veten e lëvdon vazhdimisht.

Kësaj i thuakan vëllazërisht?

Fajtor më bënë para nënës

Nga unë bënë me gisht.

Kësaj i thuakan vëllazërisht?

Vjersha ime të zemron në libër

Faqeve i turresh egërsisht.

Kësaj i thuakan vëllazërisht?

Banane për vete do çdo ditë

Mua lëvoret m’thua merri lirisht!

Kësaj i thuakan vëllazërisht?

Dita - ditës në shtëpi e shkollë

Lojën time e vjedh tinëzisht.

Kësaj i thuakan vëllazërisht?!..

(Nga libri me poezi për fëmijë: Ujku e di një lojë, 1985).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat