“Pyeti politikani qytetarin” dhe “Përralla e premtimeve”

Kultura

“Pyeti politikani qytetarin” dhe “Përralla e premtimeve”

Nga: Viron Kona Më: 24 dhjetor 2023 Në ora: 13:32
Viron Kona

Ndryshe s`korrigjohesh!

Po gabove, e pësove,

kujt t`i ankohesh?

Vetëm vetes tënde,

ndryshe s`korrigjohesh!

 

Përsosmëri

 

“Po vodhi mbreti një vezë,

ministrat pulat shfarosin”,

thoshte Saadiu 1. dikur.

 

Këtë mësim nga bota,

ne sot po e përsosim,

më shumë se kurrë!

.................

Saadi Shirazi (1200-1291)poet i madh persian, lindi në qytetin e Shirazit në jug të Iranit, i njohur në Shqipëri veçanërisht me veprën “Gjylistani dhe bostani”.

 

Dhimbje poetike !

 

Tani bota s`ka më porta,

mbathjani e mos ngurroni,

s`janë kurrkush para nesh,

Magelani dhe Kolombi...!

Ferdinand Magelani (1480-1521), eksplorues detar portugez, që shërbente në Mbretërinë spanjolle. Flota prej 5 anijesh e drejtuar nga Magelani arriti të lundronte rreth gjithë tokës. Ky lundrim nisi më 10 gusht 1519 dhe përfundoi më 6 shtator 1522. Magelani ishte i pari që u nis nga Evropa kah Perëndimi në drejtim të Azisë dhe i pari evropian që lundroi në Oqeanin Paqësor.

Kristofor Kolombi (1451–1506), hulumtues dhe tregtar, i cili kaloi i pari Oqeanin Atlantik dhe zbuloi Amerikën në vitin 1492 nën flamurin e Kastiljes, Spanjë. Kolombi vdiq duke menduar se ka zbuluar rrugën për në Indi dhe jo kontinentin e ri, Amerikën, kur më vonë e vërtetoi Ameriko Vespuçi, sipas të cilit edhe e mori emrin ky kontinent.

Grabitësit

Punën dhe arritjet e njerëzve të ditur,

mundin e tyre intelektual shumëvjeçar,

e grabitin dinakët që u vijnë rrotull,

si minjtë e drithit në një hambar!

 

Pyeti politikani qytetarin

-E di ti çfarë është politika?

-E di or, si nuk e di,

politika është një pyll,

me dhelpra e me ujqër si ti...!

Përralla e premtimeve

 

Premtojnë zhvillime të papara dhe ndryshime,

sa herë që bëhen zgjedhje sot e tridhjetë vjet,

të njëjtat fytyra shfaqen e rishfaqen në ekrane,

herë si Tomi dhe Xherri dhe herë veç e veç.1.

 

Flasin me oratori, radhë njëri më bukur se tjetri,

“histori” malësie, labe dhe myzeqare na tregojnë,

përrallën e premtimeve e kanë shumë për zemër,

me atë përrallë na magjepsin dhe na sundojnë.

1.Tomi dhe Xherri-seri te shkurtra filmash të animuar, të krijuar nga karikaturistët amerikan: Bill Hanna (1910-2001) dhe Josef Barbera (1911-2006). Aty tregohen aventurat midis dy rivaleve, Tom, një maçok shtëpie dhe miut të murrme Xherri, të cilët zihen, ndeshen, por dhe pajtohen me situata shumë komike. Historia mbaron ashtu siç nis pothuajse gjithmonë: me macen duke vrapuar pas miut, që kurrë nuk arriti ta kapte. Është një ndër filmat më të famshëm për fëmijë, por që nuk njeh moshë.

Ftesë për “kafe”!

Kur bëni ftesë për kafe ju që mendoni ndryshe,

ende pa u ulur në tavolinë, grindjet do të nisni,

kuptohet lehtë, në vend të qerasjeve me  kafe,

njëri-tjetrin me britma e sharje do të “gostitni”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat