Edhe njëherë për juritë letrare

Kultura

Edhe njëherë për juritë letrare

Më: 6 janar 2024 Në ora: 21:33
Rudolf Marku

1. Gjatë vitit që sapo kaloi, bota jonë letrare u ballafaqua përsëri me këmbënguljen arrogante të vendimeve të dy jurive kombëtare për botimet letrare – atë të jurisë për veprat më të mira të Panairit Vjetor të Libri, dhe të jurisë për çmimet letrare për veprat e botuara gjatë vitit 2023. Le ta fillojmë me një fakt që tingëllon si një anekdotë, por që është e vërtetë, sepse të vërtetat tek ne janë, për fat të keq, gjithnjë anekdotike. Një personalitet shtetëror, por që është njëkohësisht romancier dhe poet i talentuar, shkruan kështu në murin e ‘FB’ të tij (për etikë, nuk po ia përmend emrin, por lexuesi kureshtar mund të njihet me identitetet përkatëse përmes murit të ‘FB’ tim): DIALOG BIO E solli fati të pyes një anëtar jurie të këtij viti: – E lexove këtë vepër, po këtë tjetrën, po këtë, po …? – Jo, nuk i lexova, – ma ktheu me sytë e skuqur prej shqarthi. -Po kryetari i jurisë deklaroi se juria bëri punë titanike, lexoi, analizoi e ballafaqoi estetikisht qindra vepra, më duket 850 me ISBN.-Pallavra. Turpërim pleqërie…! – Po ti firmose… si firmose ti? -Firmosa vetëm për 5 veprat finaliste. Dhe që këto i solli një anëtare e jurisë. -Po nga ato lexove ndonjërën? – Jo, – ma ktheu i bezdisur nga pyetjet. – Unë merrem me shkencë, jo me letërsi. Ky është dialogu i shkruar me një stil telegrafik, reportues, pa komente dhe qëndrime emocionale. Shkruar me një stil kafkianesk, leximi i të cilit duhej të na sillte rrënqethje. Por jo lexuesit tonë, i cili në fund të fundit ka qenë i përgatitur për këtë standard dialogu. Dhe këtu qëndron edhe tragjedia e vërtetë. Që juritë tona në fakt do të sillnin një të papritur vetëm nëse do të kishin funksionuar normalisht! Sharlatanizmi i jurive për krijimtarinë letrare vazhdon më me këmbëngulje se kurrë, tashmë në nivelet e Ministrisë së Kulturës! Personi që ia bënë këtë rrëfim shkruesit është njëri ndër anëtarët e jurisë më të fundit të Ministrisë së Kulturës, që përcaktoi veprat fituese të letërsisë për vitin 2023- një militant haxhi-qemalist i LSI, një mësues i gjuhësisë (gjuetisë- do qe më e saktë) në Fakultetin Filologjik, një njëri i purifikuar dhe i virgjër nga mosleximi i librave, një dinak skrapali që shtiret kompetent, në kuptimin vlonjat të fjalës, pra një tip tepër i përshtatshëm për të qenë anëtar jurie i veprave letrare dhe artistike! Asnjëherë tjetër nuk ka ndodhur te ne që mediokriteti dhe injoranca shtirake të kenë qenë në pozita më triumfuese dhe agresive, se sa në ditët e sotme! 2. Shumica e veprave që marrin çmime nga juritë e Ministrisë së Kulturës janë edhe veprat më mediokre të botuara tek ne. Jo se nuk ekzistojnë veprat mediokre në botë, por në botë mediokriteti botohet veç me kontributet financiare të vetë autorëve, kurse tek ne janë botuar me sponsorizimet e Ministrisë së Kulturës! Nuk është fjala te dëmi financiar, se sa në momentin kur botime të tilla vlerësohen nga institucioni më i lartë i shtetit për kulturën, këto krijime të japin përshtypjen se kanë marrë një farë statusi shtetëror, sepse janë përzgjedhur zyrtarisht si librat më të mirë. Të vjen keq kur sheh ndonjëherë, se edhe vetë Qendra e Kulturës së Librit dhe Leximit – me gjithë kontributin e vet të pamohueshëm që nga krijimi i saj – nën njëjtin e mirë të inkurajimit të disa shkrimtarëve ka kohë, që u jep një vend disproporcionalisht më të gjerë poetëve dhe shkrimtarëve fillestarë amatoresk të soc-medias nga vetë krijimtaria e autorëve të konsoliduar. Është e njëjta mendësi dhe taktikë e taboreve të kritikës keqdashëse dhe sterilizuese snobe: lavdëro mediokritetin dhe nuk ke nevojë të sulmosh vlerat! Ajo që i mungon jurive tona është mungesa e shijeve estetike të përzgjedhjeve të vlerave të vërteta. Por dhe një keqkuptim i vetë letërsisë nga ana e tyre. Për të mos thënë atë banalitetin alla shqiptar, mosleximin e librave për të cilët gjykojnë. Vlerësimi me çmime i veprave mediokre sjell automatikisht përçmimin e veprave të mira, të cilat nuk i mungojnë as botimeve të letërsisë shqipe. Është për të ardhur keq kur ndjen një agresivitet të heshtur ndaj librave të mirë të letërsisë sonë, të cilat sapo botohen, rrethohen me një izolim hermetik. Aq sa të mos shqyrtohen hiç në librat e botuar të vitit, duke supozuar se nuk janë botuar! Dhe po qe se kërkon llogari, përse aksh libër nuk është marrë në shqyrtim a konsideratë, organizatorët e jurive të japin ca përgjigje burokratike, kinse botuesi nuk e ka paraqitur librin e munguar në konkurs (ndonëse nuk behet fjalë për asnjë konkurs!) ose vepra nuk është paraqitur në kohë! Mediokrit e shtetit shqiptar, nën mburojën patriotike, thërrasin në ndihmë mediokrit e shtetit kosovar, sipas parimit ndër kombëtar “Birds of a feather flock together”! Ajo që është e pabesueshme në standardin e botimeve në vendet e tjera të botës së qytetëruar, është se armiqësia ndaj librave të mirë të botuar, fillon nga Ministria e Kulturës. Vetëm në një vend si Shqipëria mund të dëgjosh ministrin/ ministreshen e Kulturës, tek thotë më një ndjesi shfajësimi “…mos prisni që të jap gjykim për librat, sepse libri nuk është fusha ime”. Nëse ministrja e ka fjalën për faktin se profesioni i saj është arkitekte, a mund t’ia kujtojmë asaj se Çehovi, William Carlos Williams, Bulgakovi kanë qenë mjek dhe se Dostojevskin, Tolstojn, Shekspirin, Naim Frashërin, Asdrenin, De Raden, Kadarenë nuk i lexojnë vetëm mësuesit e letërsisë? Dhe janë po anëtarët e jurive po këta “kritikë”, që ekzaltohen nga leximi i një poezie mesatare a nën mesatare të përkthyer keq, mjafton që autori i saj të mos jetë shqiptar. Po t’u besosh vlerësimeve të tyre për veprat më të mira të letërsisë Shqipe, vlerësime pretencioze akademikisht, letërsia shqipe do të dilte një peizazh i varfër botanik veç me dy a tri pemë dhe ca shkurre përreth. Letërsia shqipe prej këtyre lloj jurive jo vetëm zvogëlohet, por sakatohet dhe falsifikohet në mënyrë të turpshme. Aq sa, asnjë dashakeq i vlerave të letërsisë shqipe nuk do t’u bënte një shërbim më të mirë dhe më efektshëm cinikëve dhe të liqve që duan denigrimin e kulturës sonë, sa ç’u bëjnë vetë të përzgjedhurit e jurive, ngritur nga Ministria e Kulturës të shtetit shqiptar dhe nga sejmenët e saj

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat