Kujtesë e vrarë mall...

Kultura

Kujtesë e vrarë mall...

Nga: Tahir Bezhani Më: 8 janar 2024 Në ora: 10:55
Tahir Bezhani

Morën dallgë kujtimet e nxehta

Fërkimet e përmalla nuk ndalnin vrapin

Dielli përcëllonte lëkuren e hijeve

Rëra kokrrize piqte si çerep i prushtë

Valët e detit valëviteshin brenda zemrës

Koshi kraharorit përplasej dënesjeve

Si astmagji kronik i pashëruar dhimbjeve

Sytë shëtisnin syprinës pafund të detit

Atje larg shikoj aniet në hapësirë pafund

Lundronin mbi valët tërbuese

Dëgjohej piskamë sirenash n’ankorim

Përmes shkumëzimit të valëve të njelmëta

Dëgjoja frymëmarrjet e ngrira n‘parzëm

Dridhesha nga prushi nostalgjik

Lotët rrëshqisnin lëkurës së plasaritur

Sa përcëlluese kjo stinë vjeshte

Fola me vete...

Tërhoqa shikimin nga valët shushuritëse

Lodrova me pamje kërshnajës së djegur vetëtimash

Atje lartë mbi det, mes pishave

Një kulm shtëpie vezullonte me tjegulla të kuqe

Eh!

Sa më ngacmoi kujtesa e vrarë malli

Më përfytyrohej miku, Zeqir Lushaj

Në sofrën prej guri dikur mbushur plot

Si në Grinë e vetë n‘Malësi të Gjakovës

Sa pikëlluese ishte kjo stinë në Shëngjin!...

(Gjakovë, 30 dhjetor 2023)

Ngrandje festive 

(Ose, sa egoiste është kjo jetë)

Diç nga brenda furishëm ushton

Lëvizje drithëruese gjymtyrëve të trupit

Këtë ditë festive të fundvitit plak

Do zëra diktojnë bredhjen rrugëve pafund

Fushës së meditimeve të shpirtit kryeneç

Ajo kuti magjike dëshirash të vrara

Palosur mjegullnajave nëpër mote të brishta

Ku edhe vetëtimat përgjonin dhimbjet

Deri në mykje të kuptimit të fjalës...

E, kjo shëtitje rrugëve të qytetit tim

Ditën e fundit të vitit festiv

Me hedhë në lavrat e jetës së thinjur

Gëzimeve të thyera rrezeve të plasaritura

Viteve të burgosura trarëve të heshtur

Flasin pëshpërimat në gjuhën e mllefosur

Vazhdat e lotimit dëshmojnë zjarrminë

Germat përvidhen ndrydhjeve të nxira

Reflektim i fisnikërisë ngushëlluese të durimit

Kotësive deri në pafundësi...

Ngadalë eci rrugëve të qytetit tim

Të ripërtërirë moshe

Ndalem padashur te Ali Podrimja në bronz

Buzë lumit Krena që e deshi aq shumë

E shikoj mallëngjyeshëm poetin e madh

Më duket ende me etje të pashuar

Për jetën, për “Lum Lumin”!...

Kthehem me kujtime të shkrumbuara

Në strehën e vetmisë

Në mbrëmjen festive të pa festuar

Sa egoiste është kjo jetë!.....

(Gjakovë, 31 dhjetor 2023)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat