Ansambli me kalendar më vete, Tahiri: Po punojmë për një festival të ngjashëm me atë të Gjirokastrës

Kultura

Ansambli me kalendar më vete, Tahiri: Po punojmë për një festival të ngjashëm me atë të Gjirokastrës

Më: 10 janar 2024 Në ora: 14:57
Ansambli me kalendar më vete, Tahiri: Po punojmë për një festival të ngjashëm me atë të Gjirokastrës

Ansambli Popullor i Këngëve dhe Valleve, i cili shpesh është cilësuar si pasaportë për Shqipërinë po i rikthehet identitetit  të tij, ku për herë të parë vjen më një kalendar artistik të shkëputur nga ai i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Sipari i shfaqjeve do të çelet me koncertin “Jehona jonë” për të vijuar më pas me një program të ngjeshur artistik.

Janë 5 premiera, kemi të parën “Ballkan bazar”, kemi një koncert për kompozitorin tiranas Muharrem Gurra për të vijuar me një koncert të Valbona Memës e për të kulmuar me një koncert të Merita Halilit”, thotë Alban Tahiri, drejtor artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve.

Lënia në hije e ansamblit për një kohë të gjatë ka ndikuar shumë në mungesën e krijimtarisë së valleve dhe muzikës popullore gjatë viteve të fundit.

Ndaj Ansambli është i hapur për të pritur të rinjtë, të cilët sjellin këngë apo valle burimore, por pa lënë jashtë vëmendjes emra të që kanë qenë gur themeli i muzikës tradicionale popullore.

Ky vend nuk shteron kurrë, ne e kemi lënë që secili nga koreografët apo valltarët tanë të rinj të dalë në vendet më burimore dhe të sjellin krijime të reja”, thotë Tahiri.

Po ashtu Ansambli synon nisjen e një “Festivali me këngë popullore” në disa qytete të vendit, për t’u kthyer pse jo edhe në një traditë të ngjashme më festivalin e Gjirokastrës.

“Pse mos ta bëjmë një festival të këngës popullore dhe ta marri përsipër Ansambli. Dmth me krijime të reja dhe me krijime të vjetra por që të kishim ne patentën e kësaj gjëje sepse dhe na takon”, shprehet ai.

Ansambli i Këngëve e Valleve është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Në harkun kohor prej 60 vjetësh, ka numëruar rreth 10,000 shfaqje të dhëna në të gjitha skenat e Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat