Populli jeton tek gjuha

Kultura

Populli jeton tek gjuha

Nga: Atdhe Geci Më: 12 janar 2024 Në ora: 22:52
Atdhe Geci

Që nga njohja me tokën, qiellin, dhe njeriun

unë përpiqem që poezia ime t´i ngjaj kohës

figurës së Zeusit, Dhemetrës, Ilirit e Pirros

gjithë të mëdhejve: Gjergjit e Adem Jasharit.

Ky çast me atdhe më shpie në Iliadën time

aty ku liria jonë dëgjon çdo pëshpërimë, që

heshtja e gjatë për origjinën pellazgë-ilire

të mos bëhet kërkesë e harruar dhe pa vlerë.

Fol populli im i lavdëruar, fol shqiptari im

populli jeton tek gjuha, shkrimi dhe flamuri

heshtja kur bëhet e gjatë dhe e neveritshme

ca pjesë humbasin, si Iliria nën emrin Itali.

Çamëria e di udhën e Kadmit dhe të Ilirit

i thoshte sot Janina, Tiranës dhe Prishtinës

bashkimi ynë do ndodhë atë çast, kur kombi

ynë ia kthen Atdheut emrin e vetë në Iliri.

Lavdi rilindësve për idetë e dhëna atdheut

lavdi të rënëve të kombit për këtë kauzë

është koha që tua thyejmë drynin arkivave

se ky çast me atdhe është Iliada shqiptare!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat