Piktura origjinale, shumëdimensionale dhe me gjasa të pavdekshme e Refki Gallapenit

Kultura

Piktura origjinale, shumëdimensionale dhe me gjasa të pavdekshme e Refki Gallapenit

Nga: Gjon Marku Më: 31 janar 2024 Në ora: 20:36
Gjon Marku

Për të lexuar dhe ndjerë figurat e artit e aq më tepër për të gjykuar rreth tyre kam mendimin se duhet tejkaluar hap pas hapi në kohën e jetës së tij krijuese dhe njerëzore, ku duket se qëllimi i piktorit Refki Gallapeni dhe ndërgjegjja e tij janë vënë në funksion të shpirtit të tij krijues, i cili vjen gjithnjë original dhe autentik në artin që ai pasqyron apo hedh në telajo. Ai e ruan individualiteitn e vet përkundrejt çdo imponimi mjeshtëror duke i dhënë kohës dhe njerëzve hapsirë, duke mos lutur askënd të ndalet dhe ta vlerësojë.

E në këtë plan, në ditët e sotme, pa frikë mund të thuhet se emri i artistit Refki Gallapeni e aq më tepër veprat e tij në artin pamor janë një fenomen artistik i përveçëm edhe pse krijimtaria e tij artistike është një tribunë e prezantimit të ndryshimit të thelbit krijues gjatë jetës së tij artistike ku me shumë finesë, delikatesë dhe në mënyrë magjepsëse fikson në telajo dhe shquan njerëz dhe ngjarje të shumta duke i pikasur dhe përsosur ato në mënyrën e transmetimit të mesazhit në një stil tepër origjinal. Ai këmbëngul që të përsosë gjithçka e aq më tepër elementë të hollë dhe detaje që të fusin në mendim.

I ndalur para pikturës së tij, kur e vështron dhe gjykon mbi të, të krijohet përshtypja se je duke hyrë në një tjetër univers të krijimtarisë së tij, të duket sikur ajri që të rrethon ka tjetër tejdukshmëri, se zhurmat për gjëra të kota pushojnë, se jeta ka aso përmasash që herë-herë kërkojnë përqëndrim të thellë. Ato mbi të gjitha të kujtojnë se dashuria për njerëzit ishte gdhendur fort në mendjen dhe shpirtin e tij. Ai gërsheton dhe pasqyron figura të tilla ku elementët e veçantë apo tërësorë të të shprehurit janë zbuluar thellë brenda karaktereve apo thelbit të tyre, e ku autori di të vendosë raporte të drejta krahasimi dhe kundërshtimi ndërmjet përfaqësimit të tij sa në realen dhe irealen që na rrethon. 

Piktura e këtij piktori është sa dekorative aq dhe potente. Ngjyra përftohet me një forcë të tillë sa të bën që natyrshëm edhe brenda vetes të ndjesh të të shpërthejë diçka e gëzueshme. Ndjen ikjen nga e përditshmja lodhëse ku jeton, të bën të ndjehesh i qetë, harmonik me natyrën që shijon në tablotë e tij sa të duket se realisht i jeton.

Arti i tij ka një fillesë që i përket një realizmi të butë, por shumë delikat e më pas arti i tij zhytet sa në pikturë dhe në hapësirën e grafikës bardh e zi, të cilën e skalit me një mënyrë krejt drithëruese, me një vizatim të stilizuar vetjak. Shpeshherë duket si një artist misterioz, që vjen nga një realitet apo iralitet që më së shumti është shpirtëror sesa real ku ndeshemi me asi rrënjësh të thella e të përbashkëta njerëzore, të cilat bëhen zanafilla e rritjes së një personaliteti krijues dhe krijimit të individualitetit unik.

 Arti i të pikturuarit dhe të realizuarit të veprave artistike të autorit Refki Gallapeni nuk ka qenë një proces i thjeshtë krijues e as një proces i mësuar prej shkollimit apo mirëshkollimit për më së shumti një proces i ndryshueshëm i brendshëm dhe njerëzor falë talentit, punës dhe përjetimit të gjatë artistik, të cilin ai e realizon dhe e pasqyron me sukses duke na dhënë ne ndjesi të papërsëritshme sepse ai arrin të fusë në karakterin e personazhit të tij, të shprehë identitetin dhe të transmetojë te shikuesi apo vëzhguesi i veprës artistike të cilësive të spikatura të qënies njerëzore apo botës që e rrethon atë.

E gjithë krijimtaria e tij shfaqet nga realja te fantastikja, nga realistja te modernia, nga ajo që jeton në atë që ndjen dhe deri në atë që kujton... Ndaj me të drejtë mund të thuhet: “Në pikturën shqiptare Refki Gallapeni veçohet dhe vlerësohet si një kolorist i njollave me ngjyra potente, të ngrohta e plot dritë...” Gjithashtu me të drejtë mund të thuhet: “Një penel që diti të zgjonte në çdo stinë e në çdo trajtesë, kumtimin e epshit të ngjyrave dhe të mëkonte me një muzikalitet dehës poetikën shprehëse të subjektit. Kohështrirja në veprimtarinë krijuese dëshmon tek ai një pikë të rëndësishme në aritn visual shqiptar. Shumëllojshmëria e punëve të realizuar por mbi të gjitha vlerat artistike që ai transmeton e pozicionon në një kreshtë të lartë, të mahnitshme e të epërme për sa i pëktet shpirtërores që ai transmeton në punimet e veta që i skalit”.

Loja e dritëhijeve vjen hovshëm sidomos në veprat që kanë të bëjnë me pranverën, vijnë hovshëm e të ftojnë në një kurreshtje e ngasje që të grish në mallin dhe ëndrrat të kahershëme, që vijnë në tablo me gjithë ashpërsinë dhe adhurimin. Duke parë shumë tablo të tij, më bëhet të them se pa diskutim ai është një emër i spikatur e zë vend meritueshëm në arin e pikturën kombëtare.

Në veprën e spikatur dhe të gjerë të këtij autori spikat më së shumti, forca, zgjuarsia, dashuria për jetën, për natyrën, për dije, për të bukurën dhe të veçantën e këtij realiteit të dukshëm dhe të padukshëm rreth nesh.

Portreti është një kërkim i brendshëm, një frymë lirie për të ndërtuar një hapësirë të kulluar, një humanizëm për të cilin sot kemi nevojë më shumë se kurrë. E ai ndalet në figura të spikatura kombëtare si Gjergj Kastrioti apo Nënë Tereza që vijnë në madhështinë e tyre që vetëm artistë të vërtetë mund t’i realizojnë me një magji sublime që e rrethon krijimtarinë e tij tepër origjinale.

Natyrshëm të bije në sy stili i pikturave, modelimi i fytyrave të njerëzve, koloriti i fortë dhe kontrastet mes ngjyrave të forta dhe të ngrohta krejt tjetër në jetën individuale ku mbizotëron modestia dhe nuk vuan nga pragmatizmi në shoqëri edhe pse në substacë është një artist potent në të shprehur, i ndjeshëm dhe me emocione të mëdha e i spikatur në pikturën që realizon. Piktura e tij ka nerv dhe dritë, forcë dhe thellësi, harmonizim të ngjyrave që rrisin magjinë përjetuese. Piktura shquhet për freskinë e gjithëhershme e kjo duket se buron edhe nga kontaktet e artistit me natyrën si dhe nga ndikimi i artit popullor të trevave veriore, gjë që vihet re veçanërisht në koloritin e ndezur dhe në dekorativitetin e veprave të tij.

Krijimtaria artistike e Refki Gallapenit është mjaft e pasur. Kur je në një ekspozitë ose në galerinë e tij e ke të veshtirë të dalësh lehtë. E kur nuk je aty imazhet dhe pamjet sikur të ndjekin nga mbrapa ato të mbesin gjatë në kujtesë, natyrisht nuk mund të jesh indiferent e është e pamundur të mos rikthehesh për të vëzhguar dhe përjetuar ndjesitë që të jep ajo botë e pasur e krijimtarisë së tij artistike që ngulet thellë brenda teje për t’u bërë pjesë e jotja në çdo hap duke u bërë një burim ku vetëdija dhe ndërgjegjja krijuese të shpien në një qetësi të shqetësuar. Megjithatë në veprat e tij, magjia ndërthuret me misterin, drita e natyrës me dritën e shpirtit. Veprimtaria krijuese e Refki Gallapenit shtrihet në mjedise të ndryshme shoqërore.

Pamje në telajo, harmonizimi i ngjyrave dhe ndërthurja e tyre e së fundmi realizimi përfundimtar i veprës, vjen si rezultat i forcës dhe i ndërthurjes me talentin dhe formimin e autorit. Shpesh dominimi i fortë i ngjyrës riti i kontrastit midis ngjyrave, është i lidhur në mënyrë të mrekullueshme, bën të mundur evidentimin e formës e më së shumti kjo bie në sy në ciklin e pikturave të demit si symbol i forces, por mbi të gjitha të forcës ndjesore që ndodh hap pas hapi duke u bërë një burim vlerash artistike që autori mrekullisht i përcjell për vëzhguesin, duke ecur me hap të sigurtë në një krijimtari të suksesëshme, të këndshme dhe të pëlqyer dhe preferuar dhe për njerëzit që gjenden përpara pikturës së tij. Autori ecën me hapa të sigurta duke ngjitur shkallët e krijimtarisë së tij gjithnjë më të gjerë, të pasur dhe mjaft artistike e duke e bërë atë gjithnjë e më të preferuar dhe mjaft cilësore.  

Refki Gallapeni kohën dhe hapësirën e vet artistike e përdori me shumë profesionalizëm dhe me shumë sukses arrin të japë vepra të vlerave të mëdha artistike që shijohet teksa vëzhgohet qoftë për idenë por dhe harmonizimin e ngjyrave dhe figurave.

Ai është i detyruar të asimilojë, të edukohet e të rritet duke i pasur përballë të mirën dhe të keqen, në një mjedis multikulturor të një shteti multietnik siç ishte ish Jugosllavia e ku bënte pjesë dhe Kosova si territor në të cilin vepronte më së shumti një shtypje dhe një trysni e pazakontë. Por kjo nuk do të thotë se vepra e tij artistike lind në një territor të shkretë por u formua dhe u realizua e mbështetur dhe me ndikime të forta në elementët e vendlindjes, në rrënjët e hershme të një tradite kulturore të trashëguar, në traditën e familjes e kjo e realizuar në përpuethshmëri me hapësirën socialestetike. Ai mundi t’i besojë talentit të vet formimit e mbi të gjitha personalitetit të tij që është bërë pjesë e strukturës së mirëfilltë e të qartë të artit të tij pamor. Shumë prej veprave të realizuara prej Refki Gallapenit duket se janë realizuar me një frymë por e lidhur fort me një rrahje zemre si rezultat i asimilimit dhe mbajtjes gjatë të lidhjes kronologjike të ngjarjes dhe zgjidhjes së konfliktit derisa ai hidhet në telajo. 

Materiali artistik në disa raste jo rastësisht sugjeron se nuk kemi të bejmë me ndonjë mëdyshje rastësore, apo me mëdyshje dosido, por është një thirrje dhe klithmë ekzistenciale e qënies që vjen e përplotësuar në zërin e brendshëm të piktorit.

Ai mbeti në panteonin e vlertë të traditës sonë një piktor me individualitet të veçantë në artin e tij, thurur prej një mishërimi thelbësisht tradicional dhe ndjesi të spikatura të ngjyrës dhe linjës, dritëhijes dhe shkujdesjes së lodrimit të penelit mbi tablo. Ai krijoi kohën e vet në pikturë dhe vetë koha la tek ai gjurmë drite që pluskojon yjshëm në natën e nevojës për dehje ngjyrash dhe trajtash shprehëse estetike.

Gjithnjë kur je para veprës së këtij autori mund të thuhet pa drojë se është udha e mbarë, e do shumë dhe e di mirë gjuhën e komunikimit të ngjyrave dhe konturet e telajos, ku me zell e me aftësi të jashtëzakonshme të të pasqyruarit na shpreh stilin e hijshëm e individualitetin e tij krijues, të zhveshur nga mashtrimet, që të shpien në një realitet që nuk e fshehim dot, po se prishet e shkërmoqet magjia artistike ku shënohet makthi dhe tmerri i qënies a mosqënies. Kështu ai e ruan fort individualitetin e vet përballë hapësirës së gjerë dhe të pafundme të këtij zhanri aq të hershëm e të lashtë ndërnjerëzor.

Piktura e Refki Gallapenit zgjon interes edhe për lëndën e pasur apo punën skrupuloze të këtij autori që gjithësesi dhe gjithëherë është vetvetja dhe i papërsëritshëm edhe pse ka rrugëtuar që në mugëtira arbërore apo në periudhën e pushtimit turk, në dramën shpirtërore të njeriut arbër e dardan, ka trajtuar tema  universale të së mirës dhe së keqes ose siç mund të thuhet edhe engjëllin edhe dajllin që në fakt janë brenda tek i gjalli në kontekstin religjioz e filozofik, në luftë të vazhdueshme midis të mirës dhe së keqes si dy të kundërta që janë pjesë e qënies njerëzore që nga zanafilla e tij që shfaqen sipas rrethanave ku herë triumfon njëra e herë triumfon tjetra. 

Piktura në tërësi sjell një serë risish duke e bërë atë të vçantë, postmoderne dhe të pangjashme me krijimtaritë e tjera të së njejtës gjini.  

Refki Gallapeni ka arritur të krijojë botën e vet origjinale, shumëdimensionale dhe me gjasa të pavdekshme.

Ai ishte një piktor shumë aktiv në kijmtarin e tij, eksploroi me mjeshtri në të gjitha gjinit e pikturës, si kompozim, pejsazh, portret, natura të qeta, etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat