Një natë e madhe e librit në dritën e veprimtarisë kombëtare të Qemal Musliu

Kultura

Një natë e madhe e librit në dritën e veprimtarisë kombëtare të Qemal Musliu

Nga: Dashnim Hebibi Më: 2 shkurt 2024 Në ora: 18:23
Kopertina e librit

Njoftohen dhe ftohen të gjithë bashkatdhetarët e të gjitha trevave shqiptare, që jetojnë e veprojnë në Zvicër e më larg, që ta nderojmë veprimtarin e dalluar të kauzës sonë kombëtare, z. Qemal Musliu edhe në promovimin e librit të tij të ri me titull: „Në kohë për kohën“, që do të mbahet nesër me datë 03.02.24 nga ora 21.00 në Shoqatën „Atdheu“ në Bad Ragaz. 

Këtë promovim e përkrahu edhe Instituti Shkencorë Helvetikë i Evropës Juglindore me

Seli në Cyrih. Autorin e njohin thuajse të gjithë mërgimtarët, që jetojnë në gjithë diasporën tonë, që kurrë nuk u ndal për të mirën e  kombit. Ishte edhe kryetar i Shoqatës ndër më të njohurat jo vetëm në Zvicër „Atdheu“, ku puna e kësaj shoqate është e pasqyruar edhe në Monografinë e shkruar nga z. Qemal Musliu dhe z. Halit Naxhaku. Libri më i ri i autorit „Në kohë për kohën“ është botuar në Kumanovë në vitin 2023 dhe ka 215 faqe. 

Autori me pedantërinë e tij, ka përfshirë gjëra interesante si publicistikë, reagime, kumtesa, thirrje, telegrame, personalitete të shquara, tinguj poetik dhe disa faqe gazetash, fotografi e mirënjohje. Libri lexohet me një frymë dhe do të mbetet pasuri e shtuar e diasporës sonë, sidomos për brezin e ri, që po rritet e edukohet larg vendit të të parëve dhe do të jetë një referencë e pasur. Duke e njohur edhe personalisht autorin, mes rreshtash të librit e sheh edhe modestinë e tij, që ka punuar shumë, punon vazhdimisht dhe fol pak. Sa të duash trim, i sypatrembur. Musafirët, dashamirët e librit, do të kenë mundësi, që nesër të bashkëbisedojnë me autorin. Për librin në fjalë, do të flasin edhe disa krijues që jetojnë e veprojnë në Zvicër. Në mes programit do të ketë edhe program modest artistikë. Sa për njoftim, autori ka zgjedhur selinë e shoqatës në fjalë të promovoj librin, sepse po aty, ka bërthamën e miqësisë dhe veprimtarëve ku ka vepruar me vite e vite. Shoqata „Atdheu“, po nesër, aty nga ora 18.00 ka edhe kuvendin, por pas kuvendit do të mbahet promovimi. Mos e lëshoni këtë ngjarje të mirë të librit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat