Përrallë e re, e vërtetë, për “Ali Senjefin”

Kultura

Përrallë e re, e vërtetë, për “Ali Senjefin”

Nga: Ramdan.M.PAsmaciu Më: 4 shkurt 2024 Në ora: 19:49
Ramdan.M. PAsmaciu

Futa në gojë i kënaqur copëzën e fundit të pastiços dhe fshiva buzët me pecetë, ndonëse vazhdoja të përtypesha ende.

E shoqja e dajës gatuante shumë mirë. Zakonisht, ajo na shtronte për të ngrënë qofte të rrumbullakta me mish derri, hudhra e vezë, që kundërmonin erëza tërheqëse prej atje tutje. Edhe sikur posa të ishe ngritur nga tryeza, të shtynin të uleshe përsëri dhe të haje me oreks. Kur mungonin qoftet, shihje nëpër pjatat e thella prej porcelani makarona të përvëluara me gjalpë të tretur, me nga një copë kaçkavalli anës pjatës, ose me salcë të kuqe në të errët, të sajuar me qepë, spec e mish të grirë.

Atëherë sapo kisha mbaruar shkollën e lartë dhe banoja te daja, në pritje të rregullohesha me shtëpi. Fshija buzët me pecetë të bardhë çdo drekë dhe ndizja cigaren me qejf të madh. Por... s’paskësh qenë e thënë që edhe atë mesditë punët të ecnin mbarë dhe që unë t’i shijoja edhe më pas gjellët aq të shijshme!

Daja im, që kishte ngrënë me kohë, rrinte e vështronte kalimtarët nga dritarja. Njërën dorë e mbante mbi ballë si strehë dhe bërrylin të mbështetur në parvaz.

Vërejta se papritur atij i shkrepi një e qeshur e shpejtë. S’erdhi nevoja ta pyesja si e qysh qe puna.

- Kaloi Selmani! - më tha sakaq. - Ti nuk e njeh, po s’ka gjë! Dëgjo, të marrësh vesh si e pësoi njëherë!

Kryqëzova krahët dhe i ngula sytë. Po të mos bëje kështu, merrte kot dhe të thumbonte për të shfryrë inatin, se i thosh mendja që s’po e respektoje. Në fillim përdorte ironinë si armë të ftohtë, duke të thirrur zotëri a efendëm. Dhe po të vërente që ti ende nuk e dëgjoje me interes, nxehej dhe të përplaste në fytyrë ç’fjalë i vinin për goje. Ç’është e vërteta, mua s’më kishte ndodhur ndonjëherë kështu me të, se s’shkelja lehtë në dërrasë të kalbur, duke qenë se ia njihja mirë huqet. Por, e kisha parë se si kish bërë me të tjerët.

- Jemi në vitin pesëdhjetë e gjashtë, kupton? - ia nisi vetullngrysur, për të më tërhequr vëmendjen.

- Kuptoj! - ia ktheva me ngut.

- Moti është me diell! - vazhdoi. - Në qiell nuk lëvizin as re të zeza e as të bardha...

- Sa mirë i bën përshkrimet ti, dajë! - i thashë si padashur.

Por, u duk se i lëndova një plagë të vjetër, që i digjte prej vitesh. Psherëtiu thellë.

- Eh, mor djalë! Të kisha bërë dot një çikë më tepër shkollë, e të mos më kishin tërhequr në punëra finance qysh në gjashtëmbëdhjetë vjeç, do të qeshë sot shkrimtar, posi! - Kapërceu pështymën dhe vazhdoi: - E, ku e lamë… Hë, po! As re të zeza e as të bardha nuk lëvizin nëpër qiell. Në sheshin e Pazarit të Vjetër të Tiranës është qetësi e madhe. Ece - jake ka pak. Një plak me qeleshe, hundëhollë e vetullstrehë, ka lidhur gomarin te këmba e vet e mëngjër, është shtrirë sa gjatë - gjerë dhe ia ka marrë me gjumë rrëzë një shtylle elektrike. Gomari i bën hije dhe ai fle rehat - rehat, duke gërhitur me sa i ha gurmazi.

Daja tregonte tërë qejf e herë - herë duke rrudhur sytë, si për të ndjellë kujtimet e përfytyrimet. Ndërsa unë qëndroja përkundruall tij me krahët e kryqëzuar e pa lëvizur as qerpikët, për ta bindur qindpërqind se po e ndiqja me shumë kureshtje.

Nga ç’u kuptua më vonë, tregimi kish për hero kryesor jo plakun me qeleshe, hundëhollë e vetullstrehë, por Selmanin, të cilin, siç u muar vesh më vonë, dreqi e shtyti të kalonte atë mesditë nën dritaret e dajës tim. Ky, njeri kot më kot, që e kalonte kohën duke u sjellë lart - poshtë, na e paskësh tërhequr gomarin e plakut pa u ndjerë paksa më të djathtë, që të shtrihej të pushonte edhe vetë nën hijen e tij, se ish vapë e madhe! Plaste edhe derri. Këtu ngjarja mpleksej me rojtësin e rendit. Ai paskësh pikasur një gomar të mbajtur kundër çdo rregulli në shesh të Pazarit të Vjetër. Qe afruar te plaku dhe i paskësh kërkuar gjobën! Po ku kishte burrë t’ia hidhte atij, ndonëse dukej se s’ta mbushte syrin! Pati dhënë e pati marrë dhe, në krye, kishte arritur të bënte ortak në gjobë edhe kokërrotën Selman, se demek edhe ai qenkësh shtrirë nën hijen e gomarit të vet!

Kjo është e gjithë, e thënë thatë dhe me dy fjalë, se nuk kam forcë të tregoj ashtu siç tregonte daja im, me tërë atë frazeologji të pasur e notë të theksuar humori. Kështu që, juve ndoshta nuk ju bëri përshtypje tregimi, kurse mua më la gojëhapur, ma treti pastiçon si kàfe turke me grykë dhe më hapi oreksin të shtrohesha rishtas për drekë, sepse gjithçka e dëgjova nga vetë goja e dajës. Lëshova një “ah!” fishkëllyese dhe thirra:

- Ngjarje e mrekullueshme! I shqyen njerëzit së qeshuri! S’ka si gjendet tjetër më e bukur!

Daja buzëqeshi si ai që ndjen triumfin pas një stërmundimi të gjatë, u mbush me frymë dhe ma ktheu ëmbël:

- Domethënë, u kënaqe?

- Si jo! Bilé, po deshe ti, dajë, unë edhe e shkruaj.

- Qysh, e shkruan!? S’po të marr vesh!

- Po ja, për ta botuar në ndonjë gazetë, ose revistë.

- Ashtu!?

- Posi!

Ai qëlloi kupën e gjurit me pëllëmbë dhe u ngrit më këmbë me rrëmbim. Pastaj shtriu përpara krahët dhe foli i entusiazmuar:

- Unë ngjarje si këto, mor nip, mund të të tregoj me qindra. Ti veç qejf të kesh për t’i shkruar.

- Vërtet!? - ia ktheva me gëzim.

- Ua! Vërtet, thotë! Si guxon e habitesh!? Mua, të më shtrydhësh, veç ngjarje nxjerr. S’do mend! Janë tërë ata vite që mbaj mbi supe. Ç’nuk kam parë e dëgjuar! Ja, dëgjo një tjetër!

“Jemi para luftës, në nëntëqind e tridhjetë e shtatën. Përsëri në një cep, te Pazari i Vjetër i Tiranës, kupton?... Rrëzë një muri, ulur mbi ca gurë, rrinë për t’u ngrohur në diell njëzet, dyzet... pesëdhjetë qyqarë. Fukarenj, dua të them. Hallexhinj sa s’ka ku të vejë më! Rrobat recka - recka dhe këmbët - zëre se zbathur! Të palarë e mjekrat - pa rruar që prej dhjetë ditësh! Bëj e ç’bëj, kruhen e vrasin morrat, duke pritur se mos vjen ndonjëri e i kërkon për të punuar në ndonjë vend, sa për një copëz bukë. Rri e rri ata, shpreso tani e shpreso pastaj, kur... ia behin nja dy vetë me kamion. Të kuqe - faqet e atyre dyve, të qeshur - sytë. Gushat - të dhjamura. Qafat - të trashura. Thërresin qenat: “Ej, kush do punë, kush do punë për një muaj e ca, të hipi lart shpejt! Shpejt, se s’duam të vonohemi!” Turren hallemëdhenjtë me një frymë. Oburra, kush e kush më parë mbi karrocerinë e kamionit!… - U mbush me frymë daja. - Po më ndjek? - më pyeti si me kast.

- Qysh jo! Unë po lë mendjen! - i thashë. Vazhdoi:

- Të mbushet karroceria fytas! Ndezin kamionin ata qerratenjtë dhe ec e ec! Futet kamioni te Rruga e Durrësit. Ec e ec! Dalin nga qyteti. Prapë ec e ec! “Or po, ku na çojnë!?” - pyet njëri nga ata lart. “Nuk i thua shyqyr Zotit, që na dha punën, por bëke edhe llafe!” - ia kthen një tjetër. Hë e hë, arrijnë në Vorë, te një fushë. Ndalon kamioni. “Zbrisni! - thërresin nga kabina. - Këtu është vendi! Uluni dhe prisni, se po vemi t’ju sjellim kazmat e lopatat!” Dhe më pas, kur të papunët e shkretë zbresin, e kthejnë kamionin ata dy firaunët, dhe duke i dhënë gaz drejt Tiranës, nxjerrin kokat nga dritaret e kabinës dhe zënë e tallen më zë të lartë: “E hëngrët, or qypa, or budallenj!” Dhe largohen duke u shqyer së qeshuri…” Kështu, or nipçe, ky ishte një dëfrim i tyre! Ku ta gjenin fuqinë të ngratët fukarenj, që të ktheheshin në Tiranë më këmbë në tërë atë rrugë! Të pangrënë, zorrëtharë, pa pikë gjaku në trup!

- Dajë, kjo që më tregove është e jashtëzakonshme! Dridhëse sa s’ka! - ia prita vërtet i prekur. - Ti qenke thesar! Njeh humorin, po edhe të trishtueshmen. Unë, me ndihmën tënde, paskam mundësi të shkruaj edhe një vëllim të tërë me tregime!

- Qysh jo! Tani e merr vesh!?

- Sa mirë!

Vazhdova t’i thoshja, duke luajtur këmbë e duar, nga besimi që më përfshiu në çast, se isha gati t’i përvishesha punës menjëherë. Madjé, edhe e sigurova se tregimet do t’i mahnisnin lexuesit, pasi do të kishin në themel material të pasur jetësor. E kësisoj, s’ishte aspak çudi, të fitoja me vëllimin edhe ndonjë çmim të parë në konkurset kombëtare. Dhe çmimi, shtova nxitueshëm, do të ishte nder e lavd jo vetëm për mua, po edhe për familjen time, për dajën, gruan e tij, hallën, tezen e xhaxhanë… Shkurt, për të gjithë farefisin. I theksova tërë këto me zë ca më të kumbueshëm, si duke dashur t’i jepja më tepër rëndësi vetes, pa e marrë aspak me mend se asisoj po i thyeja vezët me këmbët e mia!

- E qartë, e qartë! - ma ktheu ftohtë. Pastaj, pak e nga pak, qielli i mendimeve të tij erdhi e u err. Mori pamjen e një njeriu, që ka një hall të madh në kokë, e që jep e stërjep, po nuk ia gjen dot rrugën zgjidhjes. E ndjeva se diç do të kish ndodhur me të. Patjetër që diku e kisha shkelur, se me çfarë ia kisha vrarë veshin e ia kisha thyer zemrën! Megjithatë, heshta që të mos e thelloja më tej të çarën.

- Mbase e kam edhe gabim, - më tha, - nuk i dihet. Sidoqoftë, burri që është burrë, e thotë copë ç’i zien përbrenda. Sikur të mos të t’i jap unë ngjarjet, ti asgjë nuk bën dot. E, prapëseprapë, dashke ta fitosh vetëm për vete tërë atë nam! Dhe mua të më lësh me gisht në gojë! Bukur, besa! Fort bukur! Qysh nuk të thotë goja që ai vëllim tregimesh do të jetë më tepër meritë e dajës tënd! Po, nejse, nejse!…

- Dale, se unë... - guxova ta ndërprisja në vrullin që kishte marrë.

- Lëri ato! Më mirë, bjeri shkurt e thuamë troç: Veç me emrin e zotërisë sate e ke ndër mend ta paraqisësh vëllimin?

“Ama këtu e paska ngrënë grerëza!” - thashë me vete dhe nxitova t’i përgjigjesha:

- Si të duash ti! Vëmë në kapak të dy emrat tanë.

Lëpiu buzët i kënaqur, fshiu djersët në zverk me shaminë e zhubrosur, mbushi gjoksin me frymë tri - katër herë rresht dhe vazhdoi me ton më të butë:

- Se mos ma ha fjalën, se s’shihe më me mua pastaj!

- Jo! - ia ktheva i vrarë në shpirt. Solla ndër mend përrallën e Ali Senjefit të nënës dhe u ngrita të mbushja një gotë ujë të freskët. Vëreja me bisht të syrit se nuk po ma shqiste vështrimin. E ndjeja se diç matej të më thoshte. Dhe s’kisha dyshuar më kot.

- Një gjë nuk kuptova mirë unë! - foli si nëpër dhëmbë. - Cili do të jetë në krye, emri yt apo imi? Se, që të flasim hapur, po të vësh ti emrin tënd sipër, “ia paska hipur nipçja dajës kaluar!” do të thonë bota. Pa lëre, që jam më i madh edhe nga jot’ ëmë! E kam fjalën te respekti, de! Më merr vesh, besoj. Ja, për shëmbull, në rrugë a nuk më vë ti mua në krah të djathtë? Domosdo. Kur kemi një derë përpara, a nuk më liron udhën të hyj? Sigurisht. Pra, edhe në libër duhet të më lirosh kreun, apo jo? Fol, po të jem në gabim, se s’më ngelet hatri, ta dish!

- Ka marrë fund! - iu përgjigja. - Emri i dajës do të jetë sipër, kurse i nipit - poshtë.

- Qerrata! - më tha me përkëdhelje. - Dukesh që më do me shpirt.

Kujtova se me kaq marrëveshja u vendos, por jo! Kaloi kurrizin e dorës së majtë mbi buzë dhe m’u kthye:

- More, mirë që ty të njohin lexuesit, se helbeté, e ke ca zë tani, ke shkruar ca libra, po halli im si do të bëhet? Mua s’më njeh asnjë për shkrimtar. Si do ta kuptojnë njerëzia, që do të më shohin udhës, a në dyqane nëpër radhë, në sinema, te stacioni i autobusit e kudo gjetkë, se jam pikërisht unë ai, që kam tërë ato merita për vëllimin?

Ngrita supet.

- A nuk ka mundësi, dreqi e mori, që pas kapakut të më botohet një foto, domosdo edhe me nja dy fjalë të thata nga biografia?

Qesha dhe e vështrova në bebëza me dyshim. Mos ndoshta po tallej e unë po e haja sapunin për djathë?

- Se, ç’është e vërteta, - vazhdoi daja, - kam parë një sërë librash me fotografi të autorëve.

Si t’i përgjigjesha? Thyeva një fije shkrepëse, për të fituar kohë të mendohesha.

- Do të na prishet moti, me ç’duket! - thashë.

- Unë në Fushë të Peqinit e ti në Qafë të Buallit! - ma ktheu i ngrysur. - Ç’na e sjell muhabetin kodra pas bregut! Lidhu pas një huri, kur kullot, e mos livadhis nga të hedhin këmbët, si kalë azat! Se s’është që mund të më tjekësh për kapistre nga të të teket! Qëndromë në fjalë e më thuaj: a je në gjendje ta rregullosh që të më botojnë edhe fotografinë?

Pra, e kishte me gjithë mend!

- Ta bisedoj një herë me botuesit. Mbase edhe s’do të kenë kundërshtim. Ku ta dish! - ia prita, i shtytur më tepër nga njëfarë frike, se mos më përvishej ashtu si dinte. Dhe m’u kujtua përralla e Ali Senjefit të nënës, sepse gruaja që dogji linjën m’u duk pak tok me tiganin në zjarr e peshkun në det.

- Ashtu, ashtu, bisedoje! - vazhdoi. - Ana morale ka rëndësi të madhe. S’blihet me parà. Ma merr mendja se do të dish t’u shpjegohesh. Le që ç’e zgjas! Mjaft të të them, sa për ta ditur qysh tani, se po nuk pranuan, në dorë e kam, s’e botoj fare vëllimin. Jo se jam njeri vetëm për vete, por se nuk mund të lejoj të më hyjnë në hak, duke mos m’i dhënë një për një të gjitha të drejtat.

Si e pashë se ishte me rrezik të më ngecte sharra në gozhdë, u ngrita më këmbë, i rraha supet dhe iu zotova se edhe atë punë, qeni qepën të hante, po e merrja vetë përsipër për ta çuar gjer në fund. Sapo më dëgjoi që thashë kështu, i ndriti sytë në një mënyrë fort të çuditshme, shtriu paksa buzët dhe u mbështet pas karriges me krahët hapur, si i çliruar prej një peshe mjaft të rëndë, që qenkësh qenë i detyruar ta mbante jo mbi shpatulla, por mbi kokën plot leshra të përhimtë. M’u duk tepër i largët, sidomos kur filloi të qeshte lehtas si me vete.

- Në rregull!… - belbëzoi. Pastaj e forcoi zërin: - Gjë e bukur, për nder! - tha dhe i qeshi fytyra. U ngrit, hodhi disa hapa dhe u vu përballë pasqyrës. Nisi të kundronte veten, herë duke u fryrë, e herë duke u shfryrë. S’po merrja vesh ç’po ndodhte. Aq shumë, vallë, ta kishin dehur gëzimi e kënaqësia që po i jepte përfytyrimi i librit të përfunduar me emrin e tij sipër, shkruar me gërma të mëdha, me fotografinë pas kapakut e me ca fjalë të thata nga biografia, saqë të luante mendsh papritur e pakujtuar!? Më erdhi t’i afrohesha e ta largoja nga ajo e mallkuar pasqyrë. Kur ja, e tundi kokën me shpejtësi sa majtas - djathtas, u shkund i tëri, siç shkunden pulat kur lagen nga shiu, dhe turfulloi:

- Ç’e do, - pëshpëriti, - është edhe fundi i pesëmbëdhjetëditëshit, dreqi e mori, pa s’e lija pa e festuar këtë çast! Pa e festuar ashtu vendçe, me raki e ku di unë!

Pastaj ofshau dhe lëpiu buzët, duke marrë në dorë shishen e zbrazur të rakisë, e duke e qëlluar si me inat me të djathtën.

- Festën e bëjmë kollaj, - i thashë, - kam unë lekë, po sikur është ca si herët për...

- Aspak! - ma priti. - Çasti më i rëndësishëm nga të gjithë ata që do të vijnë më pas, sado të gëzuar e të lumtur të jenë, do të mbetet pikërisht ky! Kupton? Ky, kur po vendosim për të shkruar librin e parë të përbashkët, të cilin do ta ndjekin nga pas, ehuuu, sa e sa të tjerë! Si dashin përçorës - dhjetra e qindra dele syska e plleja!

“Bubu! - fola me vete. - Kujtoka se mund t’u shkruakan vëllimet fët - fët, si duke ngrënë hallvë me gjalpë!”

- Hë, de, çohu! - vazhdoi ai. - Merre atë shishe aty dhe zbrit, na e mbush poshtë në klub, se sa për mezé, në shtëpi jemi e rregullohemi!

Ia mbërtheva sytë duke qeshur si përgjysmë, pa lëvizur vendit, sikur të doja ta pyesja: “Me gjithë mend e ke, dajë, apo...”

Ai u ngrys disi dhe tha me ngadalë:

- Hajt, hajt, mos të të dridhet dora për sa do të harxhosh, se t’i kthej unë, porsa që të marrim pàret e librit! Bilé, jam gati të ta shtroj edhe një herë në ndonjë restorant me emër, po deshe, ashtu si di vetë, me të gjitha të mirat deri në brez, që të mos ngelesh pishmënt.

E ndjeva se ishte e kotë ta zgjasja. Ndeza një cigare, e thitha thellë, u çova dhe me shishen në dorë zbrita tatëpjetë shkallët... Kur u ktheva, e gjeta të ulur pranë tryezës. Kishte vënë përpara, në dy pjata, djathë të bardhë, qepë, domate dhe nga një kremviçe të frigoriferit. Kujtova se do t’i çelte fytyra, sa të më shikonte me rakinë, por, për çudi, s’ndodhi aspak ashtu. I mbushi gotat i heshtur e fytyrëvrenjtur dhe nisi të luante buzët, sikur diç desh të thoshte. Bëra ta pyesja, por ndërrova mendje.

- Kemi lënë ende një pikë pa zgjidhur, - foli si nëpër dhëmbë, - bilé, atë më kryesoren, dreqi ta hajë! Po, nejse! Kur s’është mendja në vend... Hajde, gëzuar! Na shkoftë vaj çdo gjë!

“Çak - çuk!” - tingëlluan gotat. “Dang - dung!” m’u bë se më qëlluan papritur në tëmtha. Ç’qe ajo pikë kryesore!? Për herë të parë gjer atë minutë e ndjeva veten të shqetësuar. Ende pika të tjera paskësh daja!? Mos, vallë, donte të më bindte që ta hiqja emrin tim vullnetarisht nga libri e që të mbetej vetëm emri i tij, se demek ai ishte më i rëndësishmi!? Apo mos do të ngulte këmbë që ta shtypnim librin edhe në gjuhë të huaja? Çfarë s’po më shkonte nëpër mend! Por, dajës, me ç’u duk, i ra në sy shqetësimi im, ndaj nuk më la të mundohesha gjatë.

- Ja, këtë gjë desha të shkoqisja me ty, or nip! - tha duke ma mbajtur njërën dorë mbi sup e vështrimin të ngulur në bebëza. - Pàret, që do të marrim, si do t’i ndajmë ne? Se, helbeté, edhe populli thotë: “Xhan e shpirt jemi, po qesénë në mest’ e kemi!”

S’u përmbajta dot pa e lëshuar një fërshëllimë. Sa larg paskësh shkuar daja! Këtu s’pinte ujë më as përralla e Ali Senjefit të nënës, tek e cila nëna, duke fluturuar me fantazinë e saj të shthurur, qau me “oi” Aliun e shkretë, djalin që do të lindte, kur të martohej e bija, që s’i kishte mbushur ende nëntë vjeç, atë të gjorë Ali, që do të gjente vdekjen duke rënë befas nga çatia e shtëpisë në kalldrëmin rrotull pusit! Palé pastaj të pinin ujë historia e gruas që dogji linjën e vjetër, duke e pandehur për linjë të re patën e bardhë, që i shoqi po sillte nga pazari, hedhur mbi samar të gomarit, si edhe peshku në det e tigani në zjarr! Po, po, s’kish asnjë dyshim se më tepër livadhiste fantazia e dajës tim nga ajo fantazi e gjerë popullore, e cila vinte në lojë njerëzit që i bënin petullat me ujë. I ngritkësh kullat jo me gjizë e kalatë jo pe djathi, siç thonë korçarët, po prej dhalle fare! M’u mbush mendja top në çast se në tërë atë meselé me dajën më kishte ngrënë qerja më keq se qerosit dhe kisha hyrë kot më kot në qorrsokak! Qortova veten: “U krodhe në pellg të turbullt si peshk i verbër, or djalë!” Hall i madh më ra vërtet mbi krye. Si t’ia bëja? M’u duk se as Krishti e as Muhameti, të paskësh mundësi të më shfaqeshin të dy së bashku, s’do të mundnin të më ndihmonin.

- Hajde, gëzuar! - i thashë.

- Nuk më dhe përgjigje! - ma ktheu me një buzëqeshje të hidhur, duke m’u afruar, si të donte të më prekte me hundë, e pa e çuar gotën nga vendi.

- Qysh!? - ia prita i habitur.

- Pàret, de, pàret, si do t’i ndajmë?

Ç’t’i thoshja! Mblodha buzët i menduar dhe vështrova fundin e gotës së zbrazur, sikur pikërisht atje të qenkej fshehur shpëtimi im!

- Për çfarë pàresh flet, or dajë!? - iu përgjigja gojëhapur.

Ai shqeu sytë.

- Kaq shpejt të turbulloi rakia!? S’po më marrke vesh përse të flas!?

Pra, u duk se në atë rrugë s’ecej.

- Kollaj ajo punë! - ia ktheva. - Si të duash ti ia bëjmë!

- Ashtu, de, se ma çove gjakun në fund të këmbëve! - tha duke gulçuar.

Qesha.

- Je i drejtë ti, je i zgjuar! - shtoi daja. - Ke ngjarë nga jot’ ëmë, nga raca ime! E kupton që unë… Po, nejse! Hajde, ngrije gotën! Ç’pret!? Dhe merr mezé, merr! Mos më pi ashtu thatë! Edhe muri që është mur, pa brez rrëzohet, e jo më njeriu! Ua, ua! Ç’bën, moré!? Ç’i zë me dorë domatet! Hidhu këtej nga kremviçja!

Ai fliste, kurse mua më vinte të ngrihesha e jo më të fusja gjë në gojë!

Si më pa që s’kisha ndër mend t’u kthehesha mézeve, kapi pirunin tim, mbërtheu me të gjysmë kremviçe dhe thirri, duke u përtypur:

- Hape gojën, hajt, hape shpejt!

- Jam i ngopur! Sapo mbarova së ngrëni drekën!

- Ç’thua! Ajo shkoi! Kanë rrjedhur dy orë që atëherë! Jepi, të them! Sa të marrim ato pàret, pa ta dëftej unë ty atje ku të thashë, te restoranti më i mirë!

Unë s’flisja.

Ai filloi të merrte frymë me zor. Sytë sa s’po i dilnin. Kapërceu nja dy herë pështymën, rrëkëlleu me fund një gotë raki, pas saj edhe një tjetër, dhe duke shtrirë gishtin tregues drejt hundës sime, foli si i vrarë në shpirt:

- U ftohe, se të dola në shtegun e parave, hë? Kujtoje se mund të ma hidhje mua! Po a nuk e ke dëgjuar se di nëna të bëjë byrek, po kur s’ka miell e vaj... Kësisoj edhe puna jonë. Mielli e vaji janë të mitë. Le të të vijë ty ndoresh sa të duash për të tëhollur, s’bën dot gjë. Prandaj... e kupton ti, e kupton...

Si heshta pak, nuk durova e i thashë:

- Ky muhabet u bë çorbë e thartë!

- Ashtu mendoni ju, zotëri!? - më pyeti ironik. Pra, stuhia po jepte shenjat e para.

- Po, ashtu! - i thashë serioz, duke e ndjerë se po hidhja benzinë në flakë.

- Nuk lejoni ju që ta shtroj këtë problem, por e lejon e drejta ime, mor efendëm! E lejon ligja, mor... mor... - vazhdoi daja me nënqeshje të hidhur, e i kënaqur si ai që e zë kundërshtarin mat.

Unë nuk u tunda nga serioziteti im.

- Më mirë të mos ia hyjmë fare kësaj valleje! - i thashë.

Nuk u përmbajt. Kërceu e hipi mbi karrige.

- Ç’thua! - bërtiti. - Mor... mor... mor...

U ngrita. S’mbante më ujë pilafi. Ndjeja nevojë për ajër të pastër. Hapa derën i heshtur dhe dola. Tek zbrisja shkallët, ai ma godiste kurrizin me të shara si me shuka letrash!

E shoqja e dajës, e mirëza, gojëmbla, zemërbardha, që më donte aq shumë, u zgjua e trembur nga gjumi i shkurtër i pasditës, e u përpoq ta qetësonte, duke e tërhequr pas e duke i folur me zë të ulët:

- Uh, na, na, kujt i flet ashtu!? Tët nipi!? Turp, turp! Mos, të thashë, se na nxive faqen! Po dëgjojnë bota!

Ai tanimë ishte i dehur. S’fliste mendja e tij, po rakia e përzjerë me ëndrrat në diell, si te Ali Senjefi i nënës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat