Ata ishin dhe mbeten Kosovë, Shqipëri!

Kultura

Ata ishin dhe mbeten Kosovë, Shqipëri!

Nga: Ramiz Lushaj Më: 9 shkurt 2024 Në ora: 10:44
Foto ilustrim

1.

Sot, Mali i Dajtit mori tjetër lartësi,

Historia i rritë Burrat dhe Malet.

Memoriali për lindtarët e UÇK-së,

I bashkoi prapë e përjetësisht:

Malin e Dajtit,

Lisat e kohërave - Çlirimtarët.

Një Memorial përgjatë rrugës së Dajtit

Sa lartësi e Gjerovicës,

Sa lartësi e Korabit…!

2.-

Ata ishin Dy Grupe Çlirimtarësh,

Si dy krena Shqiponje në fluturim.

Ata ishin kreshnikët e Kombit tim.

Ata, mbi supet e tyre, mbartnin Lirinë.

Ata na i sollën Kosovës:

Paqen, Lavdinë, Shtetësinë, Krenarinë, Lumturinë…

3.

Ishte Vjeshtë e Madhe

me degë të pafundme e pambarim

andrrash e veprash për Liri.

Ishin Shqipet e Tetor-Nëntorit 1991

të Kosovës dardane me majemale histori:

Ishin Ortek Pranvere - ishin UÇK

Ishin pasardhës të 28 Nëntorit 1443 të Krujës.

Ishin vazhdim plotërie i 28 Nëntorit 1912 të Vlorës.

Ishin 12 Qershori 1999 – ishin Liri.

Ishin 17 shkurti 2008 – ishin Pavarësi.

Ishin dhe mbeten Shtetësia e Kosovës.

Ndër Kryefjalët e refrenet në Kancelaritë e Botës.

4.

Ata ishin Adem Jashar, Sali Çekaj,

Zahir Pajaziti, Ahmet Hoxha, Ilaz Kodra,

I lindën të lavdishmet Nana,

I rriti e madhërishmja – Kosova,

I njohi krejt Bota, Qielli e Toka.

5.

Ata ishin 30…

Ata ishin 300 mijë…

Ata ishin dhe mbeten Kosovë

Ata ishin dhe mbeten Shqipëri!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat