Poema Hakiu

Kultura

Poema Hakiu

Nga: Baki Ymeri Më: 10 shkurt 2024 Në ora: 07:06
Mihai Prepelita

1. Në peisazhin moldav –

Mështeknë e vetmuar.

Ku gjendet Rusia?

2. Burim i përgjumur.

Peshore që fluturojnë drejt qiellit –

Pa flatra

3. Patkua kali

Nën hergjelitë e reve –

Lot i yllit

4. Një tufë lejlekësh

Dhe vetëm tre dallëndyshe –

Stinë e degdisur

5. Në një kasollë

Një fëmijë i braktisur –

Qan natyra

6. Blerimi i përbujshëm

Nuk i trembet diellit –

E thith çdo gjë

7. Urith i vdekur.

Koftor qeramike.

Truall i përpushur

8. Harabelat në hartë.

Miza përdhese e ngutur.

Vera është në kulm

9. Humbë e stërpjekur.

Krejt kaltërsia e qiellit

E gëlltitur nga shirat

10. Madje dhe në rrugëkryqe

Fontana pa kulaç.

Unë vdes nga etja

11. Kullosa e shtypur.

Një bisht shapini.

Çfarë prezenti barbar

12. Natë me Hënë.

Simfoni moderne.

Kori i breshkave

13. Merimangë e vetmuar.

Mollëkuqe me kryqe:

Shenja e gjenezës

14. Cfurku kërcet

Përmbi hijen time të trishtme –

I numëroj vitet

15. Plepi dridhet

Nga malli i takimit.

Unë rritem në tokë

16. Dy gjethe të gjalla.

Album i familjes.

Njëra është tharë

17. Jetoj në gjunjë.

Vdes vetëm në këmbë.

Rrallëherë këndoj

18. Breshëri e end

Një këngë në cambal.

Vallë pse po qaj?

19. Një qyqe e degdisur

Ndërmjet verës dhe dimrit.

Vaj për zogjtë e saj!

20. Krim nator.

Faji pa faj –

Qielli dëshmitar

21. Në zenit të verës

Kultivoj fjalë të ngrira.

Nëna ime qan

22. Dheu – një sy.

Qielli – një lule radhiqe

Unë jam i tepërt

23. Arë gruri të stërpjekur.

Këndon një thëllënxë –

Buka po pret

24. Xixëllimë yjesh

Në bebzën e të dashurës –

Muza ia kris vajit

25. Degë e breut.

Pika vese bien

Në gojë fluturash

26. Piktoj gjëmbaça.

Në sytë e qenit tim

Një gjemb i degdisur

27. Po vjen stuhia!

Një kambanë vajton –

Akordin final

28. Përmbi kujtime –

Fëshfërimë flatrash.

Ndoshta është shorti?

29. Macë e vdekur.

Një kitër e trishtme

E dridhin gardhin

30. Horizont i ndezur.

Ndoshta zambakët e fushës

I ka kapluar flaka?

31. Fusha me misër.

Vashat me bishtaleca

Vreshta prej mëndasfshi

32. Shelgjet në erë.

Nga pena e poetit

Rrjedh një poem

33. Dielli në zenit.

Zogjtë heshtin së bashku –

Dreka e natyrës

34. Blirët në lule.

Një Veronikë qan –

Mihai nuk ka ardhur

35. Barërat në vesë.

Tërfili tërheq tespihet –

Dhe asnjë kosë

36. Nën gardhin e vogël

Iriq i vdekur nga frika.

Molla e shpëtuar

37. Bishti i dhelprës

Në sytë e mi të enjtur.

Nusja e gjelit – mungon

38. Nëpër tufishte

Balluke prej argjendi të gjallë.

Gjarpëri i mbrëmjes.

39. Grumbuj trumëzash.

Në govatën e foshnjës –

Vetëm lule plastike

40. Bagremë të lulëzuar.

Bleta me thesin plotë –

Dhe asnjë fëmijë

41. Kordha e ngrehur

Ndërmjet dheut e qiejve.

Zoti hesht

42. Një shtyllë prej krype

Mes jetës e vdekjes.

Kufi lotësh

43. Një tryezë prej druri

Në mes të kodrinës.

Mungon pena

44. Degë jargavani

Në fundalin e qiellit.

Kompozicion

45. Lule molle mbretërore.

Një flutur tejet xheloze,

Pa flatra

46. Gjethe të arta.

Lisi dimëron.

Një mistrec i uritur

47. Bjeshkë mbuluar me dëborë

Madje engjëjt e kanë humbur

Thesarin e flatrave?

48. E ndez dritën.

Gjinkallat – vampirë luzmojnë

Nëpër shpirtëra

49. Një frashër i ri

Mes lisave shekullorë.

Cili cilin?

50. Pasqyra e ujit

Ngjan me zambakë uji.

Kori i hyjnive

51. Zog dreri të plagosur

Në mes të rrugës.

Fshihe armën!

52. Burim i braktisur.

Goja e ylberit

I gëlltit ngjyrat

53. Tre stinë

Gjithmonë të përmbysura.

Apokalipsi?

54. Bërthama kumbullash

Të harruara në rrugicë.

Pas Çërnobilit

55. Tre këpurdha të zeza.

Nuk i ka shkurtuar ditët

Absolutisht asnjëri

56. Pelin i lulëzuar.

Vitet e mia prore japin shenja

Të pengim/ngatërrimit

57. Çardak i hijësuar.

Urthi me jargavanë.

Asnjë fije shprese

58. Një maçok i zi

Në prehër të malit.

Rrugë për t’u kthyer prap

59. Tejmatanë murit –

Një tjetër mur, më i përkulur.

Ku kam gabuar?

60. Ngjitem prore tatëpjetë.

Dhe bie, ngrihem, përsëri bie.

Finale e mënjanuar

61. Nga balta yjore

E mbrujtur mes shuplakash –

Një okarinë

62. Vashëza të shkathta.

Një dallëndyshe dridhet –

Kush e gjykon?

63. Bre i vogël i përkulur

Mbi një kërmill të ngjitshëm.

Çfarë harmonie!

64. Moçal i palëvzishëm.

I mahnitur nga batanija e breshkës –

Një kokë peshku

65. Hija e kometës –

Jele e kalit të azdisur

Duke rendur në të katra

66. Guacë diellore.

Jehona e detit që shtrihet –

Tejmatanë kohës

67. Zambakë me brymë.

Një treckë çupit

Luleshqerra

68 Gjithnjë po mbledh

Gjethe patlixhanash –

Malli ndaj gjyshes

69. Fierri në erë.

Bisht i palloit të ri,

Në hidhërim

70. Një turrë e braktisur.

Në hi rrinë fshehur

Disa xixëllonja

71. Grimca prej xhami.

Nga portreti yt i vjel

Vetëm rrudhat

72. Shkeli mbi shkarpa.

Një nëpërkë e djallëzuar

Ma pret rrugën

73. Nën tabanin e shtëpisë –

Një çerdhe dallëndyshesh.

Maçoku hap gojën

74. Verë përvëlimtare.

Krymb i fshehur në një mollë.

Deri në vjeshtë

75. Turmë në specishte.

Dy lepuj të levarashtë.

E anashkalojnë vendin

76. Gjurma në rërë.

As shiu nuk i ka shkelur.

Mos ka qenë Muza vallë?

77. Çaji është i servuar.

Qiriu i fikur.

Në dritare vetëm - Hëna

78. Krishti i gozhduar

Mbi një kryq druri të djegur.

Dy mileniume

79. Trung i karbonizuar.

Kërcu në kullosë.

Vallë vetëtima?

80. Shtëllunga rreshë.

Tabllo e Jon Virski-t.

Shtefani me ushtrinë

81. Fushë me kërminj.

Ngjyrat e mia digjen

Nga xhelozia

82. Një shqiponjë e plagosur.

Edhe në rënie ngjitet

Në sytë e mi të fikur

83. Qukapiku

Edhe ditën e dielë

Po çukit në lëvore

84. Në agimet e ditës –

Aeroplan supersonik.

Shekulli i pamëshirës

85. Madje dhe gjatë natës

Në qiell – Rruga e Qumshtit.

Poshtë në tokë – jeta.

86. Fëmijë flokëshprishur.

Një nënë sërish e ka harruar

Rrugën për në shtëpi

87. Ndërmjet mështeknave –

Një sqenë e braktisur.

Artistët – dy garguj

88. Një stan dy dele

Mbi një ije kodrine.

Dhe asnjë bari

89. Shkëmb kokëtullac.

Portreti i poetit

Në pleqëri

90. Një gjinkallë duke kënduar

Një sonatë natore.

Melankoli

91. Uji i harresës.

Petale trëndafili.

Në fund – e dashura

92. Një maz i degdisur

Në skaj të zabelit.

Vaj, hergjelia!

93. Një vishnjë te porta.

Barbaroza në dritare.

Në shpirt – shkretëtirë

94. Burri i martuar

Në rrugën e humbjes.

Basarabia!

95. Krishti i pushkatuar.

Fije teli me gjemba –

Nëpër zemrën tënde

96. Po e shkundi acarin

Në zemër të verës.

Mos është vallë vdekja?

97. Ato dy pëllumba

Mbi çatinë e shtëpisë së lashtë.

Zemra – prej druri

98. Demonët gjith’ po bien.

Janë ndryshkur shajkat.

Të bashkuar – të pabashkuar?

99. Hije e lisit.

Në dheun e vojvodës –

Vetëm rrënja

100. Jeta në ankand.

Perëndimi është afër.

Vetëm përjetësia?

(Shqipëropi: Baki Ymeri)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat