Udha e Kalvarit e banorëve të Becit të Gjakovës në vitin 1999

Kultura

Udha e Kalvarit e banorëve të Becit të Gjakovës në vitin 1999

Prend Ndoja. Nga Prend Ndoja. Më 30 mars 2024 Në ora: 12:23
Foto ilustrim

Festat na largojnë për një kohë nga jeta rutinë dhe na sjellin lumturi dhe harmoni në familje dhe shoqërinë tonë. Përmes urimeve dhe përgatitjeve shpirtërore, ne ia falim gabimet dhe zënkat njëri – tjetrit. Dashuria dhe respekti ndaj njëri - tjetrit afrohet edhe për disa hapa, sepse ato janë virtyte të larta njerëzore që e prangosin urrejtjen dhe i hapin dritaret e shpirtit për ta freskuar me dashuri jetën e tyre. Në ditët festive gëzimi dhe hareja më së shumti reflektohet në fytyrat e fëmijëve. Ata i rrëmben ndjenja e gëzimit dhe e ndjejnë më së shumti praninë e festave dhe kënaqësinë që ato sjellin.

Ata me një kënaqësi të veçantë vazhdojnë traditën vendore dhe ashtu të tubuar me plot gëzime, me të qeshurat dhe lojërat e tyre, si për Bajram dhe Pashkë, trokisnin në dyert e Markut, Ibrahimit, Pjetrit, Hajdarit...Me shportat e tyre të stolisura kërkonin vezë të ngjyrosura e dhurata tjera, ndërsa të rriturit bënin vizita nga njëra shtëpi në tjetrën, duke ia uruar festën njëri - tjetrit. Sa e bukur do të ishte jeta me ato tiparet vëllazërore, të kultivuara ndër shekuj me dashuri dhe respekt ndaj njëri - tjetrit. Çdo gjë do të rridhte këndshëm në fshatin tim, sikur Djalli mos të ekzistonte. Por fatkeqësisht, ai ekzistonte e qarkullonte me tërë dinakërinë e tij rreth popullit tim. Në çdo shteg vendoste kurthin e vdekjes. Ai kishte shumë kohë që vriste dashurinë dhe jetën e lirë të popullit tonë. Si në shumë ditë tjera të jetës sonë, ashtu edhe atë ditë prilli të vitit 1999, ai e shndërroi në ditë hidhërimi dhe zie. 4 prilli ishte dita kur festohej festa e Pashkëve. Kjo ditë nuk do të harrohet kurrë nga banorët e fshatit Bec. Toka gjëmonte nga zhurma e tankeve dhe ushtrisë serbe që kishte vërshuar nga të gjitha anët. Burrat e pushkës kishin dalur në male, ndërsa një pjesë tjetër ishin nisur drejt kishës për lutjet dhe mëshirën e Zotit. Kisha ishte mbushur përplot besimtarë, pjesa më e madhe fëmijë, gra e të moshuar.

Prifti e kishte filluar meshën dhe të gjithë së bashku i luteshin Zotit për popullin tonë që luftonte për jetë a vdekje. Papritmas u hap dera e Kishës dhe Djalli hyri brenda. Ai djall quhej Millutin Prashqeviq. Ishte i njohur për zullumin e tij në ato treva. Ishte i armatosur deri në dhëmbë dhe shoqërohej me një grumbull policësh. Në dorë e mbante një revole. Duke ecur ngadalë drejt priftit filloi të shante në gjuhën e tij të ndytë. Prifti e vazhdonte predikimin në shenjë proteste ndaj asaj që po ndodhte. Në një moment, ai e ngriti zërin duke iu drejtuar priftit: Ndale lutjen, se unë e kam fjalën! Nuk thuhet më mesha në gjuhën shqipe këtu! Nga rreziku dhe për t‘i dhënë krahë njëri – tjetrit, në ato kohëra kritike qëndronin të bashkuar nga dy e tri familje në një shtëpi, pa marrë parasysh bindjet e tyre fetare. Andaj edhe në meshë ishin të bashkuar pjesëtarët e të dy besimeve fetare. Të gjithë mendonin se gjatë kohës së lutjeve nuk do të ndodhte ndonjë e keqe. Në kishë, Millutini e shtyri priftin nga altarit dhe doli përballë fshtarëve. Duke përdorur metodën e tij, filloi të bënte ndarjen e popullit. Prifti, nga një kënd larg Altarit, tha: Zoti ju bekoftë dhe ju ndihmoftë juve dhe mua! Nuk jemi aspak gabim! Qëndroni së bashku dhe kështu së bashku e keni bekimin e Zotit! Vetëm djalli me mallkimin e tij i ndan të afërmit në mes vete. Dy policë e morën priftin, si të ishte andonjë kriminel dhe e nxorën nga Kisha. Nga hidhërimi që populli nuk ndahej nga njëri – tjetri, urdhëroi: Brenda pak orësh të gjithë duhet të largohen nga fshati. Ai që do të gjendet në fshat pas kësaj kohe, do të vritet ose do të digjet brenda shtëpisë së tij. E diela e Pashkëve u shndërrua në ditë zie. Tërë fshati ishte mbushur me ushtarë e policë. Fshatarët u organizuan që të niseshin të gjithë së bashku dhe mos të ndahen nga vargu, por të qëndrojnë së bashku kudo që të shkojnë dhe çkado që të ndodhë me ta. Ashtu, nën përcjelljen dhe torturat e ushtrisë dhe makinerisë ushtarake serbe, i morën gjërat më elementare nga shtëpitë e tyte, sepse koha nuk priste. Disa me makina, të tjerët me traktorë e disa këmbë, me dhembje të madhe e braktisën fshatin. Ajo ishte dita më e vështirë në historinë e fshatit, dita kur u renditën udhës në ikje nga fshati, i cili mbeti i braktisur. Çdonjëri me lot në sy kishte mbetur me kokën pas duke shikuar fshatin dhe shtëpitë e tyre. Ashtu të lodhur e të rraskapitur, ndaleshin maleve, gatuanin ndonjë bukë për të mbijetuar, gjersa pas shumë ditësh udhës së Kalvarit arritën në shtetin Amë, ku i priste me barëra dhe ushqime aktivisti dhe bamirësi, Zef Ndoja. Ai i strehoi të gjithë banorët në fshatin Shën Kollë. Banorët e fshatit Bec nuk do t’ua harrojnë kurrë nderën dhe mikpritjen vëllezërve të tyre nga Shqipëria.

Populli ynë përjetoi momentet më të vështira që kanë mundur të ndodhnin ndonjëherë gjatë historisë kombëtare, më flijime, tortura fizike, psikike, morale... Por edhe armikut ia dha goditjen që e meritonte. Në duelin me Millutinin doli përballë stërnipi i Lekë Dukagjinit, Kanuni. E ekzekutoi me disa plumba në ballë Djallin. Ne, sot, kemi arsye të mburremi me qëndresën, unitetin dhe solidaritetin e vëllezërve dhe motrave tona në atë kohë. Qëndrimi i popullit si një familje e përbashkët ishte arma më e fortë kundër armikut. Sot, vërtet kemi shumë arsye të gëzohemi, sepse jetojmë të lirë e celebrojmë të lirë. Ne e zotërojmë tokën tonë. Të gjejmë, pra, forcë të falim, që të çlirohemi nga urrejtja, por mos të harrojmë se, armiku kurrë nuk fle!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat