Lekë Pervizi - një zë prej andej

Kultura

Lekë Pervizi - një zë prej andej

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli Më 1 prill 2024 Në ora: 14:31
Lekë Pervizi

Lekë Pervizi, autor, piktor shkrimtar, publicist, poet, ish i përndjekur politik – mbi të gjitha, dëshmitar i krimeve dhe i vuajtjeve të mijëra shqiptarëve anti-komunistë, në burgjet dhe kampet e përqendrimit të  regjimit komunist të Enver Hoxhës – ndër më çnjerëzorët në Evropë e në botë, ç’prej Luftës II Botërore – festoi në fillim të Marsit që posa kaloi, 95-vjetorin e lindjes – larg vendlindjes, atje në Belgjikë, ku ;sht; vendosur me familjen e tij pas shembjes së Murit të Berlinit ku edhe sot jeton e ku, edhe në këtë moshë, vazhdon të merret me shkrime, boton libra dhe revistën Kuq e Zi, në vazhdimsi, për 30-vjetë tani.  Nr 180 Jus (Récupéré).pdf 

Në librat dhe në revistën Kuq e Zi, por edhe me vizatimet unike (për botën ish-komuniste) nga jeta e përditshme në kampet e përqendrimit dhe në burgjet komuniste të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, Pervizi ka përshkruar sistemin çnjerëzor komunist të regjimit kom8nist në Shqipëri. Ai ka informuar botën në shqip dhe gjuhë të tjera, mbi mizoritë që ndodhnin në burgjet dhe kampet e përqendrimit të Shqipërisë staliniste, por tërthorazi ishte një testament edhe mbi krimet staliniste.  Janë vepra që përshkruajnë krimet kundër njer[zimit në kampet staliniste të punës, por në të njëjtën kohë, veprat e Lekë Pervizit, vazhdojnë të jenë një testament i shpirtit dhe i fuqisë dhe vullnetit të njeriut për të mbijetuar edhe në rrethanat më çnjerëzore. Është vështirë të besohet sot, ndoshta, se ishte një triumf 

të mbijetoje kampet dhe burgjet e komunizmit në Shqipëri. Veprat e Lekës janë dokumente reale me të cilat autori përshkruan vuajtjet e pabesueshme dhe krimet e errëta që njeriu është i aftë të bëjë kundër njeriut dhe të afërmëve të vet, por janë gjithashtu dëshmi se njeriu dhe popujt e shtypur nga regjimet diktatoriale komuniste, naziste dhe ideologji të tjera shtypëse gjatë historisë, nuk pranojnë të dorëzohen as të kapitullojnë përballë të keqes. Lekë Pervizi është një ndër ata shqiptarë të kampeve të përqendrimit të Enver Hoxhës që nuk u dorëzua, as nuk pranon të kapitullojë as sot para së keqës – ndonëse në moshën 95-vjeçare! Z. Pervizi mbetet ende njëri prej atyre shquptarëve që vazhdon të punojë dhe të flasë me drejtësi dhe me përgjegjësi morale – madje edhe në moshën 95-vjeçare. Ai ishte dhe mbetet një prej zërave që gjithnjë vjen prej andej – prej kampeve të përqëndrimit dhe burgjeve të diktatorit Enver Hoxha. Kur ai flet, ne dëgjojmë zërin e mijëra shqiptarëve kundërshtarë të komunizmit që u zhdukën atje e shumë prej të cilëve – ndër më të mirët e Kombit – që as varri nuk u dihet. 

Shqiptarët patriotë të vërtetë si Lekë Pervizi janë kontribuesit e vërtetë të lirisë. Ai është monument dhe dëshmitar i gjallë i aq shumë vdekjeve martire dhe të pa zë, as atëherë as sot. Lekë Pervizi edhe moshën 95 - vjeçare, vazhdon të jetë zëri që vjen prej “andej”, prej andej dhe përtej kampeve të përqendrimit dhe të burgjeve vrasëse të komunizmit enverist, ku mbijetesa ishte një triumf.  

Ndërsa falënderojmë Zotin që ai “triumfoi” kundër komunizmit, duke mbijetuar në kampet e përqendrimit dhe burgjet e komunizmit shqiptar, ndër më të tmershmet e ish-kampit komunist-stalinist në botë, Z. Lekë i urojmë, në këtë 95-vjetor të lindjes, jetë të gjatë e shëndet në vazhdimësi, ashtuqë të vazhdojë të dëshmojë për brezat, krimet më të ligshta çnjerëzore të diktaturës prej pothuaj gjysëm shekulli të komunizmit në Shqipëri.   

Le t’a dëgjojmë zërin e Lekë Pervizit, në këtë editorial që ai ndanë me ne në numrin më të fundit të revistës së tij, Kuq e Zi! – me rastin e 95-vjetorit të lindjes së tij --Nr 180 Jus (Récupéré).pdf 

Editorial 180 nga Lekë Pervizi, botuar në revistën më të fundit, “Kuq e Zi”, në Bruksel: 

“Muej Mars nis me 95-vjetorin e ditëlindjës së nënshkruarit e drejtorit të revistës Kuq e Zi. Një dhuratë e çmueshme e të Madhit Zot, i qofshim falë. Kjo jetë e gjatë, nuk asht se ka kalue fjoll, e gjithësesisht normale dhe e bukur. Si shëmbëll i ngan asaj barkës ose anijës që niset me detë të qetë, vaj, dhe papritur e zenë stuhëtë qiellore e tallazore në rrëzuik të përbyset. Por ja, që qiell e det rikthehen normalë e të qetë, dhe arrijnë në bregun e shpëtimit për ku ishin nisur. Stuhiët e tallazët harrohen, e jeta vazhdon të lulëzojë përsëri mes miradinave që njerëzimi ka krijuar për mirëqenjë e begati tonë. Ky përshkrim alegorik, i përshtatet fort bukur jetës reale të njeriut, e në mënyrë më të vërtetë të jetës sonë. Në kuptimin e vetvetës ku sigurisht përfshihet familja, të afërmit e shoqëria. Eh, të dashur lexues, alegoria u kthye në ngjarje reale faktike. Ndërsa jeta kishte filluar e mbarë, me perspektiva të kënaqëshme, si për vetveten, familjën e shoqërinë, erdhi kataklizma, përmbysja. Luftë botërore, përfshiu njerëzimin, duke mbjellur armiqësi midis tyre. Bota u nda në të mirë e të këqij. Në Kainë e Abelë. Në këtë rast Kaini mori emrin Komunizëm revolucionar, e Abeli demokrat paqësor, ku ishim të përfshirë. Ne nuk po merremi me botën, por me vetvetën si shqiptarë që jemi. Komunizmi në Shqipëri mori tiparet e dinozaurve, të përbindëshve gllabërues. Dhe i nënshkruari bashkë me mijra të tjerë u përfshinë në kthetrat e monstrave me tipare njerëzore e huqe kafshore. Kemi tregue mjaft se si shkuen punët në Shqipëri. Por mëqë asht fjala për të nënshkruarin, edhe ai u katandis si mos më keq, duke e kalue atë lloj jete skitërrore, në burgje e kampe internimi, ku mund të kishte lanë jetën, si baskëvujtës të tjerë që e pësuan dhe e humbën atë jetë që Zoti u kishte falë, por robi ua grabiti me dhunë. Ne vërtetë që ia dolëm më anë asaj stuhije mortore, po ama lamë pas një ushtri të tanë nën dhe me varre e pa varre. Nuk po hyjmë në detaje, se lëxuesi i ka të qarta ato situata të rënqethëshme, ku të gjallë e të vdekur ecnin së bashku, alegorikisht e dhe përfundimi, përsëri alegoria. Ne arritëm në brigjet e shpëtimit e i shpëtuam stuhisë tallazore. E tashti në moshën shekullore i themi vetës, a jemi a s’jemi. Si u bë që u munduam kaq vjet dhe me një trishtim të madh.  Thuej si të thuej, po kjo ashtë jeta me të mirat e të këqijat e saj. Shikojmë si bashkëvuejtësit më të cilët ndamë vuejtjet e mundimet, nuk janë më. Ia bana jetëshkrimin vetës, si alegorikisht ashtu faktikisht.  

Tashti, vazhdojmë me revistën Kuq e Zi, me kalue dhe këto vjetët që na mbetën, për të përmbushë një si detyrië që ia kemi ngarkue vetës, me qëllim të rikambjës nga shkatërrimi që komunizmi i shkaktojë Shqipërisë e gjithë shoqërisë së zgjedhur bashkë me popullin. 

Me rastin e 95-vjetorit më erdhën këto mendime, të pëlqyeshme apo të papëlqyeshme. Njerëz jemi, dhe bashkë me të mirat mbajmë dhe të metat. Errare humanum est, thotë latini, dhe ne e mbështesim këtë thënje, që pak a shumë na shoqëron si justifikues i veprimeve tona, ku edhe mund të gabojmë. 

E mbyllim këtë shënim për të iu kushtue realitetit që jetojmë. Për ne, ky realitet, reflektohet në jetën që kemi rifituar në Belgjikë, me liri e demokraci, shoqëruar me respektin e njohjën e të drejtave themelore të njeriut, që komunizmi nuk i njihte, mohonte e shtypte, mizorisht, me terror, dhunë e krime të shëmtuara. Me kaq vazhdojmë të merremi me materialet e tjera për revistën Kuq e Zi.  

Parqitëm një si hyrje për këtë numër të revistës. Dhe thamë se duhëshin nja dy fjalë për të përndjekurit politikë, që janë stumbullari i revistës Kuq e Zi. Përveç faktit se ata e fituan lirinë, pas shumë vjet vuajtjësh. Vjen pyetja, a i fituen të drejtat e tyre themelore? E, mjerisht, rezulton se jo. Si është e mundur? Në ç’kuptim, thuhet, a nuk u mjafton fakti që ata u shpëtuen burgjëve e kampëve të përqëndrimit, dhe gëzojnë lirinë e pakufizuar, sa që nga qelitë e burgjëve bredhin nëpër botë sipas qejfit. Po, kjo është e vërtetë. Por, me një kleqkë. E drejta është se ata, që meritonin të merrnin frenat e shtetit në dorë për drejtimin e vendit tashmë i lirë e demokrat u qitën jashtë loje. Mbetën si peshku pa ujë ose në zall. Ishin po ujqërit qimekuqë, që morën shtetin në dorë e duke ndërrue qimën e kuqe në blu ose rosë, (pa ndërrue vesin). 

 Ju të përdjekurit rrini rehat e mos pretendoni sepse jemi ne që ju përfaqësojmë veç na jepni votat. E kështu si ajo që thuhet se vathit iu vu roje ose bari ujku qime kuq. Kështu që të përndjekurve, duke ua fërkuar shpinën, e marrë me të mira, nuk iu mbeti tjetër veçse të njihen moralisht e t’u qahet halli për vuejtjet që pësuan. Ndërsa, ujqërit, po ujqër mbetën, pa çka që e kthyen qimen në blu e rozë. Lene pastaj që përveç anës morale, ata mbetën me gisht në gojë nga ana materiale, as ua kthyen pronat dhe as i morën shpërblimin e plotë të vitëve të burgjeve e kampëve. Ndërsa pjesë e tyre vdiqën pa marrë asgjë. Fati, por drejtë të thuhet, Zoti, i mëshirojë duke i ndihmuar ata të marrin vetën me forcat e tyre, moralisht, siç është dhe puna jonë me revistë, e mundësinë e shkrimit e botimit të librave, kushtur asaj jete të humbur, por edhe asaj të fituar pas një gjysmë shekulli, shumë të gjatë. Qoftë lëvdue e nderue i Madhi Zot.”  

Editoriali i nënshkruar nga Lekë Pervizi --(Editorial nga Lekë Pervizi, #180, numri më i fundit i revistës “Kuq e Zi”. Nr 180 Jus (Récupéré).pdf --)     

KUSH ËSHTË LEKË PERVIZI: Piktor, përkthyes, publicist, botues, i biri i gjeneral Prenk Pervizit. Lindi më 26 qershor të vitit 1929, në fshatin Skuraj të Kurbinit. Shkollën fillore dhe një të mesme tre vjeçare i kreu në Institutin «Santa Maria», në Romë. U kthye në Shqipëri më 1944. Nën diktaturën komuniste, familja Pervizi u persekutua për shkak të Gjeneral Prenk Pervizit, në burgje e kampe internimi; ai shpëtoi pranë librarisë së familjes Pepo në Tiranë. Më 1949 arriti të fillojë Liceun Artistik në Tiranë, por në maj të vitit 1950 u arrestua bashkë me të vëllanë, Valentin Pervizin. U internua në Porto Palermo. Një vit më vonë u transferua në kampin e Tepelenës, ku u takua me të ëmën (gjyshja ndërkaq kishte vdekur). Aty arriti të vizatojë skena e portrete nga jeta e kampit, si dhe të krijojë disa poezi, një pjesë e të cilave shpëtuan dhe u botuan pas rënies së diktaturës. Pas mbylljes së kampit më 1954, u transferua në Plug të Lushnjës. Një vit më vonë, u dërgua në Shtyllas të Fierit e prej këtu në Kuç të Kurveleshit. Më 1958 u kthye në Plug (deri më 1990). Pas rënies së komunizmit, u vendos familjarisht në Belgjikë, ku jeton edhe sot. Atje merret me shkrime dhe boton e drejton revistën «Kuq e Zi». 

Vepra: Në vorbullën e Skëterrës, «Dorian», Bruksel 2014; Në rrathët e Ferrit (album), ISKK, Tiranë 2014; Tingllime të vona, «Dorian», Bruksel 2016; Lek Pervizi, Odiseja e pafajsisë, «Dorian», Bruksel 2017; Gjenerali, «Gjergj Fishta», Lezhë 2017. Përkthime: Dhimitër Frangu, Historia e Gjergj Kastriotit   Skënderbeut, «Arbëria», Tiranë 2005.kthye në Shqipëri më 1944. Nën diktaturën komuniste, familja Pervizi u persekutua për shkak të Gjeneral Prenk Pervizit, në burgje e kampe internimi; ai shpëtoi pranë librarisë së familjes Pepo në Tiranë. Më 1949 arriti të fillojë Liceun Artistik në Tiranë, por në maj të vitit 1950 u arrestua bashkë me të vëllanë, Valentin Pervizin. U internua në Porto Palermo. Një vit më vonë u transferua në kampin e Tepelenës, ku u takua me të ëmën (gjyshja ndërkaq kishte vdekur). Aty arriti të vizatojë skena e portrete nga jeta e kampit, si dhe të krijojë disa poezi, një pjesë e të cilave shpëtuan dhe u botuan pas rënies së diktaturës. Pas mbylljes së kampit më 1954, u transferua në Plug të Lushnjës. Një vit më vonë, u dërgua në Shtyllas të Fierit e prej këtu në Kuç të Kurveleshit. Më 1958 u kthye në Plug (deri më 1990). Pas rënies së komunizmit, u vendos familjarisht në Belgjikë, ku jeton edhe sot. Atje merret me shkrime dhe boton e drejton revistën «Kuq e Zi». 

Burimi: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist VI (Tiranë: ISKK, 2017), 260.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat