Ta çojmë në vend amanetin e të parëve!

Kultura

Ta çojmë në vend amanetin e të parëve!

Nga: Florim Zeqa Më: 21 prill 2024 Në ora: 06:40
Florim Zeqa

Një muaj pas përfundimit të luftës, me të hyrë në oborrin e shtëpisë, e gjeta gjithçka shkrumb e hi, të tre shtëpitë që i kishim ishin djegur e rrënuar gati në themel përveq Magjes së mbushur me miell. Familjarët i gjeta nën një dhomë të vogël të mbuluar me një tendë plastike. Shtëpitë e rrënuara më dukeshin sikurse rrokaqiejt e perëndimit. Natën e parë të gjumit në dhomën e vogël me familjarët nuk do ta harrojë sa të jemë gjallë. Edhe pse gjatë natës Minjët kalonin nëpër fytyrën time, fillova t’i dua edhe ata që na shoqëronin ditën dhe natën, brenda dhe jashtë dhomës në oborr! Kështu rifillojë jeta nën gërmadha me shpresa të mëdha për ardhmëri në shtetin e lirë!

Nga shpresat në iluzione dhe zhgënjim të madh

E fillova shkrimin me këtë rrëfim të shkurtër personal, në të cilin mund ta gjejnë vetën shumica e mërgimtarëve që i kanë vizituar familjarët e tyre për herë të parë pas përfundimit të luftës.

Edhe në ato rrethana kur na mungonte gjithçka, i kishim të gjitha, pasi e kishim shpresën e madhe dhe besimin e fuqishëm për një të nesërme më të mirë në shtetin e Kosovës së lirë dhe të pavarur!

Vitet e para pas çlirimit shpresat për jetë në Kosovë ishin më të mëdha. Të gjithë sipas kushteve dhe mundësive filluan rindërtimin e shtëpive. Në zonat rurale filluan ta punojnë tokën dhe të merren me veprimtari bujqësore, blegtorale dhe afariste.

Mirëpo, pas ri-shpalljes së pavarësisë apo siq e parapelqejë ta quaj unë, të njohjes formale ndërkombëtare të Kosovës, filluan të ndryshojnë gjërat. Të parët që ndryshuan ishin politikanët, të cilët, në vend që të punonin më shumë për shtetin dhe mirëqenjen e qytetarëve e bën të kundërtën, filluan pasurimin marramendës mbi kurrizin e popullatës së varfër.

Si pasojë e mungesës së zhvillimit ekonomik filluan të veniten shpresat e qytetarëve për jetë në vendin e tyre. Pra, shpresat u kthyen në iluzione dhe besimi në zhgënim të madh.

Largimi që po e varfëron dhe shëmton Kosovën e bukur

Sot, kur në Kosovën tonë jeta është përmirësuar dhe nuk është si më parë, me shtëpi të bukura dhe luksoze, me infrastrukturë rrugore, ujësjellës dhe kanalizime, rrjet të internetit në çdo cep të Kosovës, askush më nuk dëshiron të jetojë më në zonat rurale (fshatra) dhe jo vetëm!

Si pasojë e kësaj, fshatra të tëra janë boshatisur, shkollat kanë mbetur pa nxënës, diku-diku edhe janë mbyllur tërësisht, e sa të tjera janë proces të mbylljes!

Mirëpo, i njëjti fat është duke i përcjellur edhe zonat urbane apo qytetet, ku lagje të tëra kanë mbetur pa të rinjë, pa nxënës dhe fëmijë, pasi të gjithë me prindërit e tyre kanë ikur në perëndim!

Kthimi në vendlindje domosdoshmëri e kohës

Mendoj që është i mundur dhe i domosdoshëm kthimi në vendlindje. Meqenëse klasa politike pa dallim pushtet dhe opozitë as që kanë plan dhe projekt për kthimin e të larguarve nga vendlindja, këtë barrë duhet ta marrin mbi supet e tyre intelektualët e mërgatës sonë, me organizimin e fushatave vetëdijësuese për kthimin e të rinjëve nga mërgata në vendin e tyre të lindjes.

Ashtu siq u kthye popullata pas lufte për të rifilluar jetën si feniksi mbi gërmadhat e shtëpive të djegura, tani është më i lehtë kthimi në shtëpitë e bukura dhe luksoze. Mjafton vetëm iniciativa dhe vullneti i mirë me dashuri të pastër ndaj atdheut siq e don fëmiu nënën e vet.

Të parët që duhet të kthehen janë shtresat intelektuale duke iu dhënë shembuj konkret gjeneratave të reja, por edhe duke filluar organizimin e jetës shoqërore dhe politike për ta larguar nga skena këtë klasë të dështuar kusarësh politik.

Këtë shkrim dëshirojë që ta mbylli me poezinë time të shkruar tre vite më parë, e cila thërret si kushtrim për kthim në vendlindje dhe për ta çuar në vend amanetin e të parëve tonë për t’i dalur zot tokës së lashtë Iliro-Dardane, që është edhe amanet i dëshmorëve të lirisë.

Të kroi i fshatit tim

Ç’mallje dhe nostalgji,

meditim dhe dashuri,

për kohën e kaluar,

plot ëndërra për ardhmëri.

Kur ishim të rinjë,

tek kroi i fshatit,

loznim dhe këndonim,

për ditët e mira,

që i prisnim të vijnë.

Në ditët me vapë,

me ujin e kulluar të kroit,

që buronte nga thellësia e tokës,

freskonim shpirtin e dëlirë.

Pushtimi i egër barbarë,

na i prishi ëndërrat rinore,

na ndërroi rrjedhën e jetës,

largë trungut stërgjyshor.

Edhe pse ne largë,

të tretur n’dhe të huaj,

kroi asnjëherë nuk u ndal,

vazhdoj rrjedhen e tij.

Qëndroi besnik,

në trungun e lashtë,

për t’na kujtuar,

amanetin e të parëve,

për kthim n’vendlindje.

Uji i kroit të fshatit,

më dha forcë dhe energji,

për t’u kthyer,

shpejtë në atdhe.

Për të shijuar,

më të madhen pasuri,

ujin dhe bukën e embël,

në të bukurën Dardani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat