Dosja dokumenton përfshirjen e shtetit serb në dëbimin e kroatëve

Lajme

Dosja dokumenton përfshirjen e shtetit serb në dëbimin e kroatëve

Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 07:44
Fondi për të Drejtën Humanitare

Vesna Abjanoviç ishte 11 vjeçe kur katër burra të armatosur dhe me uniformë erdhën në shtëpinë e familjes së saj në fshatin veriperëndimor serb të Moroviçit më 23 tetor 1991.

Sipas një dosjeje të publikuar në Beograd nga Fondi për të Drejtën Humanitare, burrat e armatosur arritën në dy makina gri me targa të Ushtrisë Popullore Jugosllave për ta çuar babanë e Vesnës, Mato Abjanoviç, në një stacion lokal të policisë “për ta marrë në pyetje”. Mato dhe vëllai i tij Ivica shkuan me ta.

“Babai dhe xhaxhai nuk u kthyen më kurrë. Të gjitha gjurmët e tyre kanë humbur që atëherë,” tha Vesna Abjanoviç në një konferencë për shtyp për prezantimin e dosjes, e cila akuzon trupat serbe dhe policinë për pjesëmarrje në krimet kundër kroatëve në provincën veriore të Vojvodinës gjatë luftës.

FDH njoftoi se do të paraqesë një ankesë penale në zyrën e prokurorisë për krimet e luftës mbi zhdukjen e Mato dhe Ivica Abjanoviç.

Rrëmbimi i vëllezërve Abjanoviç është vetëm një nga 11 rastet e dokumentuara nga FDH-ja në dosje. Një total prej 17 personash u zhdukën ose u vranë në incidentet e dokumentuara.

Dosja shqyrton “fushatën e kërcënimeve dhe presionit” kundër kroatëve në Vojvodinë, të kryer me qëllim për t’i detyruar ata të largoheshin nga Serbia.

“Provat në këtë dosje tregojnë se pjesëtarët e policisë dhe ushtrisë serbe morën pjesë në akte individuale dhune kundër kroatëve,” tha autorja e raportit, Jovana Kolariç, nga FDH.

Kolariç tha se FDH-ja gjeti dy dokumente të Sigurimit Serb të Shtetit që tregonin se agjencia “kishte informacione për vrasjet e kroatëve të Vojvodinës” dhe gjithashtu luajti një rol në dëbimet e tyre të detyruara.

Dokumentet, të cilat përfshihen në raport, janë gjetur në arkivat e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Kolariç shtoi se një dëshmitar i mbrojtur i koduar me emrin C-048 dëshmoi në gjyqin e ish-presidentit jugosllav Slobodan Millosheviq se sigurimi i shtetit ndoqi dhe përgjoi kroatët nga Vojvodina, si dhe luajti një rol në sulmet ndaj tyre.

Sipas dosjes, përndjekja e kroatëve dhe jo-serbëve u krye sipas të njëjtit model ose një modeli të ngjashëm në Vojvodinë.

Persona të panjohur për vendasit shkuan në shtëpitë e kroatëve, duke i kërkuar pronarëve të tyre nëse ishin të interesuar për shkëmbimin e pronës.

Kjo do të pasohej nga kërcënimet me telefon, letra dhe fletëpalosje, grafiti kërcënuese, madje edhe vendosje e eksplozivëve dhe hedhje bombash. Pati raste dhune fizike, si dhe vrasje të kroatëve të Vojvodinës.

Në tubimet publike, të organizuara kryesisht nga Partia Radikale Serbe ultranacionaliste, kroatët u kërcënuan dhe iu dhanë ultimatume dëbimesh.

Kreu i Partisë Radikale Serbe Vojisllav Shesheli u dënua me 10 vjet burg nga gjykata e OKB-së në Hagë për fjalimet nacionaliste që ai mbajti në fshatin Vojvodinë të Hrtkovcit, por nuk u dërgua në burg për shkak të kohës që kishte kaluar në paraburgim.

Dosja e FDH-së pohon se disa figura në Partinë Progresive Serbe në pushtet, e cila u nda nga Partia Radikale në vitin 2008, gjithashtu janë lidhur me politikën anti-kroate të partisë ultranacionaliste.

Një tjetër dëshmitar i mbrojtur në Gjykatën e Hagës pretendoi se kryetarja aktuale e parlamentit serb Maja Gojkoviç, dikur zyrtare e Partisë Radikale, mori pjesë në një takim në të cilin Shesheli dhe lidershipi lokal i partisë diskutuan për dëbimin e kroatëve, thotë raporti.

Raporti gjithashtu pohon se Milan Baceviç, një ish-ministër i qeverisë, i cili tani është ambasadori serb në Kinë, mbështeti në një artikull në gazetën Vecernje novosti në vitin 1992 idenë se Serbia duhet të dëbonte po aq kroatë sa serbët që dëboi Kroacia./BIRN/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat