Tomislav Perusic, serbi që e dashuron Kosovën

Lajme

Tomislav Perusic, serbi që e dashuron Kosovën

Më: 7 qershor 2019 Në ora: 11:03
Tomislav Perusic

Serbi që dashuron Kosovën dhe popullin shqiptar. Kjo është fjalia që në dëgjim të parë mund t’i vërë në dyshim një numër të madh të shqiptarëve, për shkak të raporteve të tensionuara me dekada në mes këtyre dy popujve.

Por, këto tensione dhe raportet politike nuk vijnë në konsideratë kur bëhet fjalë për Tomislav Perusic, një i ri nga Beogradi i cili ka disa vite që jetën e tij e ndan mes kryeqytetit serb dhe atij kosovar.

 “Shqiptarët në përgjithësi nuk janë të këqij dhe nuk e kanë për traditë t’i bo dëm dikujt”, është shprehur ai për emisionin #gjesi.

Për më tepër Perusic, studion gjuhën shqipe në Beograd. Thotë se gjuhën shqipe e ka mësuar me qëllim që t’i njohë më mirë shqiptarët.

Për këtë vendim, ai është paragjykuar nga shokët, derisa familjarët e tij e kanë mbështetur deri diku.

Perusic, ose siç njihet ndryshe në Kosovë, si Lulëzim, vjen nga një familje e përzier, nënën serbe, ndërkaq babanë kroato-hungarez.

“Unë vij nga Vojvodina-Subotica dhe atje është krejt rrafsh, nuk ka male edhe për këtë më tërheqin malet e lumenjtë, që ka në Kosovë dhe Serbi, sidomos malet e Sharrit, e Bjeshkët e Nemuna”, ka thënë ai.

Perusic, përveç gjuhës shqipe, nuk e ka problem as bartjen e simboleve të Shqipërisë dhe Kosovës kudo që ai shkon. Në dhomën e tij e ka të vendosur flamurin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë.

Djaloshi që tani jeton në Beograd ka komentuar edhe deklaratën e kryeministres së tij, Ana Brnabic, e cila i ka quajtur shqiptarët e Kosovës,  “njerëz të zbritur nga mali”.

“Kjo është një fyerje shumë e rënde, kjo nuk ka lidhje me malet, nuk ka lidhje me pyll siç tha në serbisht. Ajo ka dashtë me tregu që shqiptarë janë primitiv, është gabim, normal tek çdo popull, shqiptarët në përgjithësi nuk janë të këqij, edhe nuk e kanë për traditë me i bë dëm dikujt, me pas konflikt. Çka kam vërejtur unë janë shumë të qet, kanë durim, edhe nëse tregon respekt, ki me marrë respekt prej tyre”.

Perusic, i cili i do shkrimet e Ali Podrimes, befason me një deklaratë tjetër.

“Duhet të pranojmë që shteti i Serbisë ka bo krime në Kosovë, që shteti i Serbisë ka pas një regjim, si të them një sistem i cili ishte i dëmshëm, i cili ishte për luftë e që ka shkaktuar luftë jo vetëm në Kosovë, Kroaci, Bosnjë, duhet t’i respektojmë viktimat e të tjerëve. Unë besoj që shteti i Serbisë i ka borgj viktimave dhe familjeve, duhet me kërku falje, pa këto nuk ka paqe”, përfundin ai.

Tomislavi tha në fund se shumë shpejt do të vijë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat