Ish-ambasadori amerikan: Muajt e ardhshëm Serbia do të përballet me presion konstant për ta njohur Kosovën

Lajme

Ish-ambasadori amerikan: Muajt e ardhshëm Serbia do të përballet me presion konstant për ta njohur Kosovën

Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 17:55
Joe Biden

Ish-ambasadori amerikan në Serbi, William Montgomery thotë se nuk duhet të jetë befasi që presidenti amerikan Joseph Biden ia dërgoi një mesazh presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke e uruar atë për ditën e shtetit të Serbisë dhe duke dëshiruar, ndër të tjera, arritjen e një marrëveshjeje me Kosovën për njohjen reciproke.

Mbi të gjitha, Montgomery tha për mediumin serb, Tanjug se Shtetet e Bashkuara mbështetën fuqimisht pavarësinë e Kosovës, kështu që, thotë ai, ky është një mesazh i qartë që tregon se çfarë lloj politike do të ndjekë administrata e Biden, e cila “do ta harmonizojë politikën e saj ndaj Kosovës me qasjen e Bashkimit Evropian”.

“Prandaj, qeveria serbe do të përballet me presion të vazhdueshëm në muajt e ardhshëm”, thotë Montgomery, duke shtuar se kjo do të thotë se Vuçiq do ta gjejë veten “duke u përballur me një zgjedhje të vështirë”.

Image
William Montgomery

Të premten, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, vendosi t’ia shkruante një letër urimi presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit, me rastin e 15 shkurtit, ditës së shtetësisë së Serbisë. Kjo letër që mbërriti dje në Presidencën serbe, ndonëse kishte brenda urime të përzemërta të presidentit të shtetit më të fuqishëm në botë, përmbante edhe një fjali, e cila ia prishi ditën kreut të Serbisë.

Në një mënyrë aspak të zakontë në diplomaci, me anë të një letre urimi, që ishte e para e tij si president, drejtuar Serbisë, Joe Biden i kërkoi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat