Dhunimet gjatë luftës, fëmijët e lindur nuk njihen dhe nuk trajtohen me asnjë ligj

Lajme

Dhunimet gjatë luftës, fëmijët e lindur nuk njihen dhe nuk trajtohen me asnjë ligj

Më: 4 maj 2021 Në ora: 22:27
Foto ilustrim

Fëmijët e lindur si pasojë e dhunimit seksual gjatë luftës së fundit në Kosovë, nuk njihen dhe nuk trajtohen me asnjë ligj apo akt normativ, e as në diskursin publik ata nuk janë të përfshirë.

Kështu ka thënë në një intervistë, Drejtoresha e Qendrës së Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti.

“Fëmijët e lindur si pasojë e dhunimit nuk njihen dhe nuk trajtohen me asnjë ligj apo akt normativ, e as në diskursin publik ata nuk janë të përfshirë. Kjo duhet të ndryshojë.   Fuqizimi socio-ekonomik i të mbijetuarve është një tjetër sfidë pa të cilën nuk mund të konsiderojmë që të mbijetuarit janë rehabilituar. Si pasojë e dhunës së ushtruar mbi ta, të mbijetuarit janë përballur edhe dukuri të tjera negative si varfëria, izolimi shoqëror, dhuna në familje etj. andaj mbështetja e kulifikimit dhe punësimit të të mbijetuarve është e domosdoshme, jo vetëm për mirëqenien ekonomike të tyre dhe të familjeve të tyre, por edhe për rimëkëmbjen psikologjike si anëtarë të barabartë në shoqëri”, ka thënë Rushiti.

Sipas saj, përkundër ndikimit që kanë pasur fushatat vetëdijësuese kundër stigmës, shumica e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës ende vuajnë në vetmi, siç shprehet ajo, duke mos përfituar nga shërbimet që ofrojnë organizatat dhe pa realizuar të drejtat e tyre të garantuara me ligj

“Përkundër ndikimit që kanë pasur fushatat vetëdijësuese kundër stigmës, shumica e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës ende vuajnë në vetmi, duke mos përfituar nga shërbimet që ofrojnë organizatat dhe pa realizuar të drejtat e tyre të garantuara me ligj. Qasja tek të mbijetuarit për t’ju ofruar shërbimet e rehabilitimit dhe ato të ndihmës juridike mbetet prioritet i kahershëm i punës sonë, andaj përpjekjet tona për të krijuar kanale të reja të komunikimit me të mbijetuarit vazhdojnë.  Përtej rritjes së numrit të përfituesve të shërbimeve tona, për ne është shumë me rëndësi që ata të kenë besim në procesin e njohjes dhe verifikimit. Për këtë arsye rritja e efikasitetit së punës së komisionit qeveritar është një tjetër sfidë me të cilën përballemi”, ka thënë Rushiti në një intervistë për media

Ajo po ashtu thotë se propozojnë që të krijohet një mekanizëm e veçantë i cili do të trajtonte ankesat ndaj vendimeve të Komisionit ndryshe nga situata aktuale kur ankesat trajtohen nga i njëjti trup vendimmarrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat