Vjen mesazhi alarmues nga shteti: Mos i jep fuqi zjarrit!

Lajme

Vjen mesazhi alarmues nga shteti: Mos i jep fuqi zjarrit!

Nga: M.L. Më: 2 gusht 2021 Në ora: 16:18
Foto ilustrim

Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e vlerëson si shqetësues dukurinë e ndezjes së zjarreve me të cilën po përballet Kosova aktualisht.

“Në kohën kur vendi ynë po ballafaqohet me përballjen me temperatura të larta, për fat të keq po shfaqet edhe një dukuri shqetësuese, me rrezikimin e jetës së njerëzve, pasoja ekonomike e dëme të mjedisit. Është fjala për paraqitjen e zjarreve, që po shfaqen gjithandej në Kosovë, nga të cilat janë duke u dëmtuar pyjet, tokat pyjore, por edhe sipërfaqe tjera rurale e urbane. Pyjet përbëjnë rreth 44.7% të territorit të Republikës së Kosovës, dhe janë resurs i çmuar kombëtar. Zjarret në pyje përveç masës drunore rrezikojnë edhe florën dhe faunën e egër, sepse pyjet janë habitati – shtëpia e tyre”, thuhet në një komunikatë të kësaj ministrie të lëshuar gjatë ditë së sotme.

MPBZHR apelon për kujdes maksimal në ruajtjen e pyjeve, të natyrës dhe mjedisit.

“Apelojmë po ashtu tek të gjitha institucionet përgjegjëse duke filluar nga komunat, Njësitë Komunale të APK-së, shërbimin e zjarrfikësve dhe policinë për koordinim të veprimeve, si dhe kujdes të shtuar në parandalimin e zjarreve, dhe mobilizim në shuarjen e tyre. Apelojmë veçanërisht, për mobilizim dhe kujdes të shtuar të rojeve të pyjeve, që të përcjellin aktivisht situatën, dhe të identifikojnë keqbërësit, e të japin informata në organet e rendit, për personat qe i shkaktojnë zjarret”, theksohet në komunikatë.

Kjo ministri bën thirrje çër kujdes përkatësisht për të mos ndezur zjarre.

“Ju lutemi, kujdes dhe MOS NDIZNI ZJARRE! T’i ruajmë pyjet, sepse ato janë resurse të çmuara kombëtare, dhe nga të cilat varet jeta jonë! Bëhu pjesë e parandalimit dhe e fikjes së zjarrit në rastet e paraqitjes së zjarrit në pyje. Lajmëro organet kompetente në komunat tuaja për reagim sa më të shpejtë. Ndihmo institucionet përgjegjëse në përballjen me zjarret pyjore. Ky është obligim qytetar dhe kulturë t’i dalësh zot vendit kur ai ka nevojë për ty. KUJDES: Ndezja e zjarrit është e dënueshme me ligj!”, përfundon komunikata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat