U dënuan për korrupsion, ish-kryetari i Klinës dhe ish-nënkryetari paguajnë gjobën

Lajme

U dënuan për korrupsion, ish-kryetari i Klinës dhe ish-nënkryetari paguajnë gjobën

Më: 16 tetor 2021 Në ora: 12:26
Sokol Bashota

Ish-kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota dhe ish-nënkryetari i kësaj komune, Enver Berisha, kanë bërë pagesën e gjobës në shumën prej 1 mijë e 200 euro secili, e cila iu ishte shqiptuar pasi ishin shpallur fajtorë për korrupsion.

Bashota dhe Berisha, më 19 shkurt 2021, janë dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë me nga 6 muaj burgim me kusht dhe me nga 1 mijë e 200 euro gjobë, për veprën penale të mosdeklarimit të pasurisë. Ky dënim më pas është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit, për të cilin vendim “Betimi për Drejtësi” ka raportuar më 3 shtator të këtij viti.

Zëdhënësja e Gjykatës së Pejës, Tringa Zhuti ka konfirmuar se dy të lartpërmendurit e kanë bërë pagesën e gjobës.

Lidhur me kërkesën tuaj për informacione, ju njoftoj se i dënuari S.B, e ka paguar dënimin me gjobë, me datë 30.09.2021 ndërsa, I dënuari E.B, e ka paguar dënimin me gjobë me datë 17.09.2021”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses Zhuti.

Ndryshe, Gjykata e Pejës fillimisht kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Sokol Bashotës dhe Enver Berishës më 29 maj 2019, por rasti i ishte kthyer në rigjykim nga gjykata e shkallës së dytë, më 6 nëntor 2019.

E dënimin e shqiptuar nga shkalla e parë pas rigjykimit, atë me nga 6 muaj burgim me kusht dhe nga 1 mijë e 200 euro gjobë, së fundmi e ka vërtetuar edhe Apeli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat