Mamitë kërkojnë të rifunksionalizohen maternitetet dhe të rritet numri i tyre

Lajme

Mamitë kërkojnë të rifunksionalizohen maternitetet dhe të rritet numri i tyre

Më: 5 maj 2022 Në ora: 14:34
foto ilustrim

Dita Ndërkombëtare e Mamive është shënuar edhe në Kosovë. Në këtë ditë mamitë kërkuan që të rritet numri i tyre në institucionet shëndetësore, si dhe ngritën nevojën për rifunksionalizimin e materniteteve në vende më të thella.

Edhe në këtë ditë të shënuar u kujtuan dhe nderuan me një minutë heshtje të gjithë profesionistët shëndetësorë që kanë humbur betejën me COVID-19.

Kryetarja e Shoqatës së Mamive të Kosovës, Magbule Elezi u shpreh se shërbimi i mamive është unik dhe shërben në mirëqenien e grave dhe fëmijëve.

Ajo shpreson që vitet e ardhshme të rritet numri i mamive në Kosovë si dhe të bëhet rifunksionalizimi i materniteteve sidomos në zonat rurale.

“Gjendja aktuale e mamive, sidomos e tyre nëpër vendet rurale dhe materniteteve në Kosovë, është shqetësim të cilin e kemi ngritur vite më parë në institucionet e larta shtetërore në mënyrë që këto maternitete të rifunksionalizohen dhe secila mami të ushtrojë profesionin e saj dhe t’ju dalë në ndihmë grave që kanë nevojë për shërbime gjinekologjike. Rikujtoj edhe njëherë që ne çdo herë kemi përmendur anën e lindjes dhe të porsalindurit por kemi harruar që kemi edhe anën patologjike të grave, dhe them lirshëm që rifunksionalizimi i materniteteve do të ndihmonte shumë në trajtimin dhe parandalimin e sëmundjeve të mundshme të grave… 04\06 Shpresoj shumë që në vitet e ardhshme do të rritet numri i mamive në vendin tonë, do të bëhet akreditimi i programit të mamive në UP dhe shpresoj shumë që të bëhet rifunksionalizimi i materniteteve në Kosovë“, theksoi Elezi.

Kryetarja e SHMAK-ut u shpreh se kjo shoqatë promovon rolin e mamive në mirëqenien e nënës dhe fëmijëve dhe shëndetin riprodhues.

“SHMAK-si në anën tjetër bën promovimin e rolit të mamisë për rolin në mirëqenien e nënës dhe fëmijës dhe shëndetit riprodhues dhe synon vazhdimin e edukimit të vazhdueshëm profesional të mamive e cila konsiderohet si hallka e parë në shëndetësi e sidomos për gratë dhe familjet e tyre. Është nder që profesioni ynë lidhet drejtpërdrejtë me fillimin e jetës, mirëqenien e gruas të familjes dhe shoqërisë në tërësi. Sot sa jemi krenare jemi edhe të përgjegjshme për ushtrimin e profesionit tonë të cilën e bëjmë pa hezitim për të ndihmuar dhe ofruar shërbime grave që kanë nevojë“, tha ajo.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku u shpreh se Dita Ndërkombëtare e Mamive dëshmon rolin e tyre në sistemin shëndetësor.

Ajo tha se kjo ditë është moment për të promovuar dhe avancuar të drejtat e mamive.

“Dita Ndërkombëtare e Mamisë dëshmon për rolin e madh që kanë mamitë në sistemin shëndetësor me faktin se përmes duarve të tyre sillen në jetë shumë foshnje, përtej kësaj shërbimet profesionale që ofrojnë mamitë kanë të bëjnë edhe me këshillat që japin për gratë shtatzëna pas lindjes dhe më tej për zhvillimin e fëmijërisë së hershme. Dita Ndërkombëtare e Mamive është një moment për të promovuar dhe avancuar të drejtat e mamive, mbrojtjen dhe përkrahjen e tyre për fuqizim profesional, fuqizim të pjesëmarrjes së tyre në politikat shëndetësore, ngritje të kapaciteteve të punës brenda të cilave secila mami do të ndihet e plotësuar profesionalisht por edhe në rrafshin e mirëqenies së saj”, tha zëvendësministrja e Shëndetësisë.

Sipas saj, Ministria e Shëndetësisë rolin e mamive e sheh si kritik në përparimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës.

Ajo tha se në këtë drejtim përmes vizitave familjare po mundohen të identifikojnë në fazë të hershme problemet shëndetësore dhe adresimin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat