Një kg domate, gati 2 euro

Lajme

Një kg domate, gati 2 euro

Më: 11 prill 2023 Në ora: 12:54
Foto ilustrim

Çmimet e perimeve vazhdojnë të jenë të larta në tregjet e Kosovës. Derisa qytetarët ankohen për një gjë të tillë, janë tregtarët që arsyetojnë çmimet e produkteve që shesin. Ata thonë se për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve të tjera, detyrohen të rrisin edhe çmimin e produkteve në treg.

Të papërballueshme këto çmime mbesin për qytetarët, të cilët detyrohen të blejnë çdo ditë gjëra ushqimore, derisa theksojnë se me koston e çmimeve që paguajnë sot për shumë pak produkte, para disa vitesh kanë blerë shumë gjëra.

Ndonëse mundohen të arsyetojnë tregtarët, banorët e kryeqytetit i konsiderojnë të tejet të larta çmimet e pemëve dhe të perimeve, sikurse edhe shumë produkte tjera në vend.

Kryefamiljari, Afrim Namani, frekuentues i Tregut të Gjelbër në Prishtinë, thotë se jetesa me gjashtë anëtarë të familjes, në kushtet aktuale, nuk është aspak e lehtë.

“As një çmim këtu në treg nuk është i përballueshëm për ne”, thotë Namani.

I të njëjtit mendim ishte edhe qytetari, Musli Xhemajli, i cili thotë se këto produkte në përditshmëri janë të nevojshme por çmimet e tyre nuk janë aspak të përballueshme.

“Çmimet aktuale në treg janë të pa përballueshme dhe shihet se në çfarë gjendje jemi ne në Kosovë sidomos në treg që tashmë është përditshmëri se të ishte që të blejmë më rrallë në treg si shembull rrobat do të ishte ndryshe, gjërat e tregut janë të përditshme”, thotë ai.

Se çmimet janë të larta thotë edhe një qytetare tjetër nga Prishtina. Ajo thotë se në të kaluarën produktet i blinte më lirë.

Por ndryshe mendon Bekim Hajdini. Sipas tij, çmimet në treg janë të arsyeshme dhe nuk të përballueshme.

E që çmimet janë të larta pohojnë edhe tregtarët.

Sipas Rrahim Govorit, i cili punon në Tregun e Gjelbër, çmimet janë të larta edhe për vetë tregtarët.

Nga ajo që ka parë ekipi i KosovaPress-it në teren, 1 kilogram domate kushton 1 euro e 70 centë, 1 kg qepë 1 euro e 50 centë, 1 kg spinaq nga 1 euro deri në 1 euro e 50 centë dhe speci djegës 2 euro e 50 centë. Po ashtu, kilogrami i trangujve kushton 1 euro e 50 centë.

Rënie e çmimit është vërejtur tek bananet dhe dredhëzat. Derisa ditë më parë bananet shiteshin për rreth 2 euro për 1 kilogramë, çmimi i tyre ka rënë në 1.50 euro. Ndërsa një kilogramë dredhëza tash kushton 1.30 euro, ndërkohë që me herët kjo sasi tregtohej për 2 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat