Nga 1 gushti hyn në fuqi rregullorja e re për banka, shërbimet bazike do të ofrohen pa pagesë

Lajme

Nga 1 gushti hyn në fuqi rregullorja e re për banka, shërbimet bazike do të ofrohen pa pagesë

Më: 31 korrik 2023 Në ora: 16:41
Banka Qendrore e Kosovës

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) njofton se nga data 1 gusht (e martë) do të hyjë në fuqi rregullorja e re për bankat komerciale që mundëson ofrimin e shërbimeve bazike pa pagesë.

Sipas BQK-së, rregullorja për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike ka për qëllim të përcaktojë kushtet për qasjen e konsumatorëve në llogari pagese me shërbime bazike.

“Qëllimi i BQK-së, është që përmes kësaj Rregulloreje, t’ju mundësojë të gjithë qytetarëve të marrin përfitimet që sjellë tregu financiar, të kontribuojë në rritjen e përfshirjes financiare, si dhe të nxitë pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve në sektorin financiar”, thuhet në njoftim.

Po ashtu sipas BQK-së, rregullorja u mundëson të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh rrethanat financiare të tyre, statusin e punësimit apo nivelin e të ardhurave, që të mund të kenë qasje në llogari pagese me shërbime bazike.

“Rregullorja për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike aplikohet për të gjitha bankat dhe degët e bankave të huaja të licencuara nga BQK-ja, që veprojnë në Republikën e Kosovës. Të gjitha bankat që operojnë në Kosovë do t’ju ofrojnë qasje në llogari pagese me shërbime bazike të gjithë qytetarëve të Kosovës”, njofton BQK.

Llogaria e pagesave me shërbime bazike përfshin të paktën shërbimet si në vijim:

shërbimet që mundësojnë të gjitha operacionet e kërkuara për hapjen, operimin dhe mbylljen e një llogarie pagese;

shërbimet që mundësojnë deponimin e fondeve në llogari pagese, siç është përcaktuar në shtojcën 1 të Rregullores për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike;

shërbimet që lejojnë tërheqjen e parave nga llogaria e pagesës, siç është përcaktuar në shtojcën 1 të Rregullores për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike.

Ekzekutimin e transaksioneve të mëposhtme të pagesave:

debitimin direkt;

transaksionet e pagesave përmes një kartele, përfshirë pagesat në internet;

transferet e kreditit brenda bankës, duke përfshirë urdhëresat automatike, aty ku është e mundur në bankomatë (ATM), dhe në sportelet e bankës ose përmes platformave online;

Rregullorja për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike përcakton:

- kushtet për t’u qasur në llogari pagese me shërbime bazike,

- karakteristikat e llogarive të pagesave me shërbime bazike,

- tarifat në lidhje me ofrimin e llogarisë së pagesës me shërbime bazike,

- grupin e konsumatorëve të cenueshëm e që përfitojnë shërbimet që ofron llogaria pagese me shërbime bazike pa pagesë

- obligimin e bankave për informim të klientëve në lidhje me ofrimin e llogarisë së pagesës me shërbime bazike, si dhe

- mënyrën e konvertimit të llogarive aktuale në llogari pagese me shërbime bazike.

Rregullorja gjithashtu përcakton që bankat do të ofrojnë shërbimet e përcaktuara në nenin 4, paragrafin 1, të kësaj Rregulloreje pa pagesë ose me një tarifë të arsyeshme mujore, nëse ato e parashikojnë këtë tarifë në politikat e tyre të brendshme për përcaktimin e tarifave.

Vlera e arsyeshme e kompensimit sipas paragrafit 1 të këtij neni nuk mund të jetë më e lartë se 0,12%, e vlerës së pagës mesatare neto mujore në Republikën e Kosovës (apo 0.53 €), e publikuar më së fundmi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Kjo vlerë do të ndryshojë, bazuar në të dhënat e fundit vjetore të publikuara nga ASK.

Gjithashtu, bankat ofrojnë të gjitha shërbimet e parashikuara në nenin 4, paragrafi 1 të kësaj Rregulloreje, pa pagesë, për kategoritë e konsumatorëve që i përkasin grupit të konsumatorëve të cenueshëm, që përfitojnë nga të drejtat e parashikuara me legjislacionin që rregullon pensionet dhe asistencën sociale në Republikën e Kosovës, të konfirmuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (apo ministria pasardhëse).

Sipas nenit 5 paragrafi 4, te rregullores, i cili hyn në fuqi më 1 janar 2024, grup i konsumatorëve të cenueshëm konsiderohen grupet të cilët përfitojnë: Pensione: Pensioni bazë; Pensioni kontribut pagues; Pensioni për persona me aftësi të kufizuar të rritur; Pensioni për persona me aftësi të kufizuar paraplegjik dhe tetraplegjik; Pensioni për persona me aftësi të kufizuar – fëmijë; Pensionet e parakohshme të kompleksit Trepça; Pensionet e pjesëtareve të TMK-së; Pensioni i forcës së sigurisë FSK-së;Kompensimi për të verbër; Pensioni familjar; Pensioni i invalidëve të punës; Pensioni i familjareve të dëshmorëve; Pensioni i invalidëve të luftës; Pensioni i viktimave civile; Pensioni i invalidëve civilë; Pensioni i të zhdukurve të luftës; Pensioni i veteranit luftëtar të UÇK-së;

Ndihma sociale

Grupet tjera të cenueshme që mund të parashihen me legjislacion në Republikën e Kosovës; të konfirmuara nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Po ashtu bazuar edhe në vendimin e Gjykatës Komerciale e cila në vendimin e datës 24 korrik 2023, e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e bankave për të shtyrë ekzekutimin e rregullores se re të BQK-së, e cila bankat i obligon që të hapin llogari pagese me shërbime bazike për qytetarët e Kosovës duke filluar nga data 1 gusht 2023.

“Me këtë rast Gjykata Komerciale i ka dhënë të drejtë BQK-së për Rregulloren përkatëse të aprovuar më parë e cila me hyrjen në fuqi do të jetë në funksion të rritjes së gjithpërfshirjes financiare, si dhe në dobinë e përfshirjes së vet konsumatorëve në këto shërbime me kosto më të ulëta për gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat