Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit që u arrestua pasi iu gjetën afro 60 kg drogë në Skenderaj

Lajme

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit që u arrestua pasi iu gjetën afro 60 kg drogë në Skenderaj

Më: 17 gusht 2023 Në ora: 11:15
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit E.A., i cili u arrestua për afro 60 kilogramë drogë, në Skenderaj.

Kjo është bërë e ditur për “Betimi për Drejtësi” nga nënkryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Bekim Veliqi.

“Po, ndaj të njëjtit Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh”, tha Veliqi.

Caktimi i masës së paraburgimit ndaj E.A është bërë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, me arsyen se ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari ka kryer veprën penale.“Prokuroria Themelore në Mitrovicë  – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kërkesë për caktimin e paraburgimit  kundër të dyshuarit E.A., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar narkotikeve substancave psikotrope apo analoge“ nga neni 267 paragrafi 1 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 pika 1.9 të KPRK-së”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit E.A gjatë ditës së djeshme pas një aksioni të Policisë së Kosovës iu janë gjetur në shtëpinë e tij dhe në objekte përcjellëse rreth 60 kilogramë marihuanë.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i  dyshuari E.A., prej datës të pacaktuar e deri me datë 15.08.2023 në fshatin Vajnikë – komuna e Skenderajt,  në shtëpi dhe objektet përcjellëse, me qëllim shitje apo shpërndarje,  pa autorizim ka  poseduar substanca narkotike të llojit marihuanë, me peshë të tërësishme prej 59 kilogramë e 973 gramë”, thuhej më tej. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat