15 vite burgim dhe 2 mijë e 500 euro gjobë ndaj të akuzuarit për vrasjen në Klinë

Lajme

15 vite burgim dhe 2 mijë e 500 euro gjobë ndaj të akuzuarit për vrasjen në Klinë

Më: 26 shtator 2023 Në ora: 14:44
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Pejë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Fatlum Deliu, për vrasjen e V.B., në qershor të 2021-ës në Klinë, duke e dënuar me 15 vite burgim dhe 2 mijë e 500 euro gjobë.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Deliu, u shpall të martën, nga kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj, raporton “Betimi për Drjetësi”.

Për veprën penale “Vrasje e rëndë”, i akuzuari u dënua me 15 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje me 2 mijë e 500 euro gjobë.

Në dënimin me 15 vite burgim, të akuzuarit Deliu do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga 16 qershori 2021.

Ndërsa, dënimet në fjalë do t’i ekzekutohen 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Në rast se i akuzuari nuk dëshiron apo nuk mund ta paguajë gjobën, gjyqtarja Kuka-Mekaj tha se dënimi me gjobë do t’i zëvendësohet me dënim me burgim, ku një ditë burgimi do t’i llogaritet 20 euro gjobë.

I akuzuari Deliu u obligua edhe për shpenzimet e procedurës penale dhe atë paushallit gjyqësor në shumën prej 200 euro, si dhe për programin për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 50 euro, 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Ky aktgjykim, u shpall në mungesë të të akuzuarit Deliu.

Të dëmtuarit për kërkesë pasurore-juridike u udhëzuan në kontest civil.Gjyqtarja gjithashtu ka urdhëruar që arma me të cilën është kryer vepra penale të konfiskohet dhe e njëjta të shkatërrohet.

Ndaj të akuzuarit- të miturit R.D., sipas dispozitave të Kodit të Drejtësisë për të Mitur, gjykata ka shqiptuar masën edukative me mbikëqyrje të shtuar nga ana e prindit në kohëzgjatje prej 1 viti.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 4 korrik 2022 nga Prokuroria Themelore në Pejë,  i pandehuri Fatlum Deliu, thuhet se më 16 qershor 2021, në Klinë ka privuar nga jeta V.B., dhe me dashje ka vënë në rrezik jetën e personave tjerë për shkak të një mosmarrëveshje të vazhdueshme përreth një javë që kishin me Valdrin Balaj, vëllain e tani të ndjerit V.B.

Sipas aktakuzës, i pandehuri kishte qenë nën shoqërimin e vëllait të tij të mitur dhe vërejnë vëllezërit V.B dhe Valdrin Balaj, ku pastaj i pandehuri nga brezi nxjerr revolen e tij të tipit “M57” dhe në distancë rreth 20 m shtie tri herë në drejtim të viktimës duke e goditur atë me një predhë në pjesën e pasme të kokës dhe duke e rrezikuar edhe jetën e V.B.

Me këtë, sipas aktakuzës, ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga 173, par.1, pika 1.5 të Kodit Penal.

Po ashtu, i pandehuri ngarkohej për armëmbajtje pa leje dhe atëpistoletë të llojit “M57”, një karikator dhe katër fishekë.

Me këtë, thuhet se ka kryer veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të KPRK-së.

Kurse, i mituri R.D., sipas Prokurorisë ngarkohet për përdorim të armës dhe armëmbajtje pa leje, pasi thuhet se kur vëllai i të ndjerit kishte filluar të ikte, kishte shtënë më armë në ajër sepse frikësohej se mund të sulmohej. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen tëpafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat