Bërnabiq e “rezervuar” ndaj Deklaratës së Brukselit për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën

Lajme

Bërnabiq e “rezervuar” ndaj Deklaratës së Brukselit për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën

Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 08:56
Ana Bërnabiq- Vuciq

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka paraqitur rezervë në deklaratën e Bashkimit Evropian, “në mbrojtje të interesave të Serbisë”, sipas së cilës, “vijat e kuqe janë të qarta – mosnjohja dhe mospranimi i Kosovës anëtare e Kombeve të Bashkuara, si dhe anëtare e sistemit të organizatave dhe agjencive të OKB-së”, raporton gazeta serbe “Blic”.

Me këtë rezervë, Serbia “ka bërë të qartë” se “Kosova mbetet pjesë integrale e Serbisë”, pretendon kjo gazetë proqeveritare serbe.

“Republika e Serbisë, “e përkushtuar” ndaj procesit të integrimit evropian dhe negociatave, në përgjithësi rreshtohet, me rezerva, me Deklaratën e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel më 13 dhjetor 2023, “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe aneksi i saj për zbatim”, konsiderohet e pranueshme vetëm nëse nuk i referohet asnjë de facto apo de jure njohjes së “të ashtuquajturës Kosovë”. Republika e Serbisë thekson se harmonizimi në asnjë mënyrë nuk nënkupton njohjen e anëtarësimit të “të ashtuquajturës Kosovë” në OKB, sistemin e organizatave dhe agjencive të OKB-së, as “i ashtuquajturi integritet territorial i të ashtuquajturës Kosovë”. Dokumenti i lartpërmendur nuk paraqet kontratë juridikisht të detyrueshme sipas të drejtës ndërkombëtare. Për më tepër, përafrimi me këtë Deklaratë nuk ndikon në faktin se Kosova “mbetet pjesë integrale e territorin e Republikës së Serbisë”, pretendohet në deklaratën e Bërnabiqit për “rezervën e saj”.

Në samitin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, në të cilin Serbia përfaqësohet nga kryeministrja Ana Bërnabiq, është publikuar Deklarata e Brukselit, me të cilën Bashkimi Evropian bën thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë bllok dhe kërkon nga Serbia dhe Kosova përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve dhe të zbatojnë plotësisht, pa parakushte dhe vonesa të mëtejshme, marrëveshjet e arritura, përfshirë marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe aneksin e zbatimit të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat