Lista Serbe reagon për herë të parë për pasurinë e konfiskuar të Radoiçiqit në Kosovë

Lajme

Lista Serbe reagon për herë të parë për pasurinë e konfiskuar të Radoiçiqit në Kosovë

Më: 4 prill 2024 Në ora: 17:21
Lista Serbe

Më 4 prill, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara konfiskoi dy prona të paluajtshme në Mitrovicën e Veriut dhe një në komunën e Zubin Potokut, të cilat janë të lidhura me sulmin e një grupi të armatosur serbësh ndaj policisë së Kosovës në Banjskë shtatorin e vitit të kaluar.

Lajmi u konfirmua nga Veton Elshani, zëvendësdrejtor i policisë për rajonin e veriut. Ai tha se policia ndihmoi këtë agjenci, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë të Kosovë.

“Ka pasur një urdhër gjykate për konfiskimin e tre pronave, vilës së Millan Radoiçiqit, restorantit Grey dhe një banese në katin e gjashtë mbi restorantin Grey”, tha Elshani.

Vila gjendet buzë liqenit të Ujmanit në komunën e Zubin Potokut në veri të Kosovës, ndërsa restoranti dhe banesa gjenden në Mitrovicë të Veriut – ky komuna të banuara me shumicë serbe.

Këto tri prona të paluajtshme ishin sekuestruar fillimisht nga Prokuroria e Kosovës në shtatorin e vitit të kaluar.

Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – ka pranuar se ka organizuar dhe udhëhequr sulmin ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator, ku mbeti i vrarë një polic, ndërsa gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.

Kosova ka akuzuar Serbinë se qëndron pas sulmit në Banjskë, por Beogradi ka thënë se nuk ka gisht në të.

Lista Serbe, partia që gëzon mbështetjen e Beogradit, deklaroi se konfiskimi i pasurisë së Millan Radoiçiqit është i paligjshëm dhe i pabazuar dhe se synon “përshkallëzimin” dhe “largimin e serbëve nga Kosova”.

Ky është reagimi i parë i Listës Serbe për ngjarjet në lidhje me Millan Radoiçiqin pas sulmit në Banjskë.

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albuljena Haxhiu, paraprakisht deklaroi se i bashkohet thirrjeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se rasti duhet të trajtohet urgjentisht nga institucionet kompetente të Banjskës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat