Në Serbi sot shpallet ekipi kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE, i prijnë Daçiq dhe Petkoviq

Lajme

Në Serbi sot shpallet ekipi kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE, i prijnë Daçiq dhe Petkoviq

Më: 5 prill 2024 Në ora: 14:13
Ivica Daçiq

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se sot në orën 10:00 ka caktuar mbledhjen e Qeverisë së Serbisë, ku do të formohet një ekip që “do të luftojë” kundër pranimit të Kosovës në Këshill të Europës.

Daçiq e bëri të ditur këtë në një paraqitje në RTS ku tha ai do ta udhëheqë atë ekip së bashku me drejtorin e të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, shkruan Tanjug.

“Formimin urgjent” të këtij ekipi e ka kërkuar dje presidenti serb Aleksandar Vuçiq në një seancë të jashtëzakonshme të Qeverisë së Serbisë, duke e pranuar që shanset për ta bërë këtë i kanë të vogla.

“Unë kërkoj që urgjentisht të formoni një ekip, i cili do të merret me të dhe do të fillojë të luftojë. Shanset tona janë të vogla, minimale, por kjo nuk do të thotë që ne duhet të ngremë duart lart, të ankohemi e të qajmë. Si një ekip që u formua për Kombet e Bashkuara dhe Srebrenicën. Dhe unë do të jem gati, nëse do të jetë e nevojshme, të shkoj të kaloj shtatë ditë atje, nuk ka rëndësi edhe sa kohë, dhe të luftoj për vendin tonë dhe interesat e popullit tonë në tërësi. Për këtë arsye po i kërkoj qeverisë që urgjentisht të formojë ekipin e saj dhe njerëzit nga kabineti im mund të jenë aty për të ndihmuar në çdo mënyrë”, kishte thënë dje Vuçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat