Pahor në vend të Lajçakut? Kjo është deklarata që jep BE-ja

Lajme

Pahor në vend të Lajçakut? Kjo është deklarata që jep BE-ja

Më: 10 prill 2024 Në ora: 15:35
Borut Pahor

Bashkimi Evropian nuk ka konfirmuar nëse ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor do të jetë pasardhës i Miroslav Lajçakut në pozitën e të dërguarit special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Një zëdhënës brenda Bashkimit Evropian, tha se po presin verën për të folur për diçka të tillë, atëherë kur edhe votohet nga shtetet anëtare.

“Në fakt, aktualisht është i angazhuar një përfaqësues special, dhe ai është Miroslav Lajçak. Mandati i tij aktual vazhdon ende dhe pritet të ndryshojë në verë nga shtetet anëtare. Tani nuk duam të përfshihemi në spekulime se çfarë mund të ndodhë më pas”, u shpreh një zëdhënës nga BE-ja për reporterin

Gazeta sllovene “Delo” ka raportuar të martën se Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë është duke ndihmuar në lobim me qëllim që Pahor të emërohet në pozitën e të dërguarit special të BE-së për dialogun.

Sipas gazetës, është Pahor, ai i cili duhet të bëjë kërkesë personale në Shërbimin Evropian për Çështjet e Jashtme.

Bashkimi Evropian ka hyrë në fazën e procesit zgjedhor, në të cilën marrin pjesë aktive edhe disa nga figurat kryesore të institucioneve të BE-së. Më 24 prill, Parlamenti Evropian do ta mbajë seancën e fundit plenare në këtë përbërje, ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen nga 6 deri më 9 qershor. Dhe pas këtyre zgjedhjeve do të formohet edhe Parlamenti i ri, pastaj do të zgjidhet shefi apo shefja e Komisionit Evropian, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe, po ashtu, edhe një varg krerësh tjerë institucionalë në BE.

Lajçakut i përfundon mandati në muajin gusht.

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialog Mirosllav Lajçak tashmë është përzgjedhur të jetë ambasador i BE-së në Zvicër nga 1 shtatori i këtij viti.

Para se të caktohet se kush do ta zëvendësojë Lajçakun, BE-ja duhet të vendosë se si e sheh atë proces dhe rolin e saj në të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat