Pas formimit të ushtrisë së Kosovës, reagon Lista Serbe: Do ta dërgojmë në Kushtetuese

Lajme

Pas formimit të ushtrisë së Kosovës, reagon Lista Serbe: Do ta dërgojmë në Kushtetuese

Më: 14 dhjetor 2018 Në ora: 13:29
Lista Serbe

Anëtarë të Listës Serbe janë mbledhur sot në një konferencë të jashtëzakonshme në Mitrovicë pasi që Kuvendi i Kosovës votoi për ushtrinë e Kosovës.

Kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq tha se në Prishtinë sot në formën më të vrazhdë është sulmuar paqja dhe siguria në këto hapësira.

“Me formimin e të ashtuquajturës ushtri e Kosovës është shkelur po ashtu në formën më të vrazhdë rezoluta e Kombeve të Bashkuara,  e cila nënkupton se formacioni i vetëm i armatosur këtu është KFOR-i. Në emër të shtabit të krizës dhe në emër të katër komunave veriore ftoj të gjithë serbët që të përmbahen pavarësisht ku jetojnë në jug apo veri të Ibrit. I  ftoj të mos bien pre e provokimeve sepse provokime do të ketë ndërsa qëllimi ynë është që ta ruajmë paqen në këto hapësira”, tha Rakiq

Ndërsa deputeti  Igor Simiq tha se nuk kanë  marr pjesë sot në seancë duke shfaqur kështu kundërshtimin për thyerje të të gjitha akteve të cilat i kanë marr vet shqiptarët.

“Andaj nuk kemi dashur që me prezencën tonë ti japim legjitimitet këtij akti. Dua të potencoj se përveç të thyerjes më brutale të të gjitha akteve në fuqi me këtë është thyer secili akt i drejtësisë që është miratuar edhe nga vet shqiptarët. ajo që është më e tmerrshme në këtë moment nuk kemi asnjë koment të përfaqësuesve ndërkombëtarë në lidhje me këto shkelje të këtyre rregullave. Që në përkthim do të thotë për deputetët serbë por edhe të gjithë popullin serb se drejtësia që do të mbronte pozitën e serbëve nuk do të thotë se vlejnë nëse kështu vendosin përfaqësuesit e shumicës shqiptare. Kjo është më e rrezikshme dhe më e tmerrshme”, tha Simiq.

Ata kanë porositur popullin se do të mbesin këtu për të siç u tha ‘mbrojtur të drejtën për jetesë si dhe të drejtën që të mbetemi serbë të tillë çfarë jemi ‘

Simiq tha se nëse dikush në Prishtinë vendos që këto trupa të armatosura t’i dërgoj në veri të Kosovës, atëherë ata bashkë me popullin do të qëndrojnë ‘duarthatë para këtyre formacioneve të armatosura duke mbrojtur kështu të drejtën për jetesë’.

Nga kjo konferencë u tha se përfaqësuesit e Listës Serbe ditët në vijim do të dërgojnë ankesë në Gjykatën Kushtetuese sepse sipas tyre janë shkelur rregullat të cilat i kanë krijuar vet shqiptarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat