Postimet e zyrtarëve në rrjete sociale, ikje nga përballja me opinionin

Maqedonia

Postimet e zyrtarëve në rrjete sociale, ikje nga përballja me opinionin

Më: 9 mars 2021 Në ora: 15:30
Foto ilustrim

Bartësit e funksioneve publike, duhet të kuptojnë se komunikimi me opinionin është një detyrim i tyre moral, dhe këtë duhet ta bëjnë kryesisht përmes përballjes me gazetarët, sepse komunikimi me publikun përmes rrjeteve sociale, paraqet ikje nga përballja me pyetjet e sikletshme, është mendimi i kompetentëve.

Në një prononcim për Zhurnal.mk, kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) Mlladen Çadikovski, thotë se deputetët kanë kodin etik të sjelljes në kuadër të Kuvendit, në përputhje me të cilin duhet të jenë të hapur ndaj opinionit për punën që bëjnë, dhe në këtë drejtim, ata nuk guxojnë të konfrontohen me gazetarët ose ti fyejnë ata, sepse me një veprim të tillë, ata fyejnë opinionin në përgjithësi.

“Deputetët në veçanti duhet të jenë më transparentë se secili zyrtar tjetër shtetëror, dhe pikërisht nga kjo, nuk mjafton vetëm publikimi i një statusi në rrjetet sociale, dhe me këtë të kenë mbaruar detyrimin që kanë ndaj publikut, sepse deputetët janë atje të përgjigjen në pyetjet e gazetarëve, dhe jo të thonë atë që dëshirojnë vet përmes Facebook-ut apo përmes një video mesazhi në rrjetet sociale”, thotë Çadikovski, sipas të cilit deputetët duhet të jenë të qasëshëm gjatë tërë kohës, përmes pyetjeve, intervistave dhe debateve.

Gazetari Arben Zeqiri, nga ana e tij thotë se publikimet e në rrjetet sociale shpesh herë shpëqrfaqin hipokrizinë dhe mungesën e guximit të zyrtarëve të shtetit.

“Qëllimi i parë i përdorimit të rrjeteve sociale është imponimi i temave që zyrtarëve u konvenon të jenë aktuale, duke tentuar të lënë nën hije temat për të cilat shprehin interes gazetarët dhe opinioni. Arsyeja e dytë është se postimet në rrjetet sociale janë të njëanshme dhe ashtu injorojnë pyetjet shtesë të gazetarëve. Zyrtarët do të ishin të sinqertë nëse përveç postimeve në rrjetet sociale do të mbanin edhe brifingje të rregullta, konferenca për shtyp dhe do të përgjigjeshin në telefonatat e gazetarëve rregullisht”, thotë për Zhurnal gazetari Zeqiri.

Ai vë në dukje një dukuri të përdorimit të rrjeteve sociale si pretekst për të arsyetuar gabimet, pasi siç thotë, nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët japin të dhëna të gabuara në postimet e tyre, por pastaj mbrohen duke thënë se shkrimet në Facebook ose në Twiter nuk janë qëndrime zyrtare por private.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat