Filipçe: Edhe pas zbutjes së masave, gjendja epidemiologjike vazhdon të jetë stabile

Maqedonia

Filipçe: Edhe pas zbutjes së masave, gjendja epidemiologjike vazhdon të jetë stabile

Më: 14 maj 2021 Në ora: 22:05
Filipçe

Disa javë pas zbutjes së masave, gjendja epidemiologjike në vend vazhdon të jetë stabile, thotë ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe. Të hënën e javës së ardhshme do të bëhet vlerësimi i radhës, por Filipçe vlerëson se masat aktuale duhet të mbeten në fuqi të paktën edhe për një javë.

“Aktualisht nuk ka kurrfarë paralajmërimesh për përkeqësim të gjendjes epidemiologjike që prej dy javësh. Për çdo rast do ta analizojmë gjendjen epidemiologjike të hënën. Këto janë ato analizat dyjavore, e më pas sjellim vendim. Tani për tanini vlerësoj se masat aktuale duhet të mbeten në fuqi edhe për një javë.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ministri njëherit njoftoi për arritjen e rreth 40 mijë doza të vaksinës “Astra Zeneca” të siguruara përmes mekanizmit Kovax, derisa të shtunën arrin një donacion nga ushtria kineze prej 100 mijë vaksinash nga “Sinofarm”. Nga dozat e reja të “Astra Zenekas”, 24 mijë janë  të destinuara për rivaksinim, me pjesën tjetër do të vaksinohen ata qytetarë mbi 70 vjet që kanë aplikuar në mënyrë shtesë. 

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, thotë se përparësi do t’u jepet pikërisht kësaj kategorie qytetarësh dhe të rinjtë do të duhet të presin.

“Vazhdojmë të kemi prioritet qytetarët më të moshuar që janë paraqitur për vaksinim pas datës 30 prill, datë kjo në të cilën ishin paraqitur 140 mijë qytetarë. Aktualisht ka rreth 160 mijë të paraqitur. Rreth 9 mijë prej atyre që janë paraqitur në mënyrë plotësuese, janë mbi moshën 70 vjeç, e me këtë rreth 42% e popullatës mbi 70 vjeç do të vaksinohet. Në fillim të kësaj jave kemi vendosur që kufiri do të jetë 40 vjet dhe ata nën 40 do të presin pak më shumë. Po fokusohemi aktualisht te të moshuarit në mënyrë që të mbrojmë këtë kategori të qytetarëve që e vlerësojmë si më kritike.”,- theksoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Lidhur me reagimet nga qytetarët të cilët kanë aplikuar për vaksinim në fillim, por ende nuk janë thirrur edhe pse para tyre janë vaksinuar edhe qytetarë më të rinj në moshë, Filipçe sqaroi se në disa komuna u thirrën qytetarë më të rinj në moshë pasi ishte shterur lista për vaksinimin e qytetarëve të moshuar.

Deri tani në vend janë vaksinuar rreth 150 mijë qytetarë, nga të cilët 30 mijë janë rivaksinuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat