Bexheti: Masat e qeverisë nuk garantojnë zhvillim ekonomik

Maqedonia

Bexheti: Masat e qeverisë nuk garantojnë zhvillim ekonomik

Më: 28 mars 2022 Në ora: 20:52
Abdylmenaf Bexheti

Masat që i miratoi kohë më parë qeveria që qytetarët të përballojnë krizën ekonomike nga shtrenjtimi i çmimeve, sipas ekspertëve janë masa sociale dhe nuk janë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Ekspertët vlerësojnë se këta masa janë që shtresat në nevojë të mund pak më lehtë të përballojnë këtë krizë ekonomike. Por, këta masa sipas Abdylmenaf Bexhetit nuk targetuan vetëm shtresat në nevojë por kishte të përfshirë më shumë kategori. “Mendoj se kjo ka qenë një nga dobësitë por nuk ka mundur të bëhet ndryshe në kushte të përshpejtimit, pra ka patur dy mundësi, ose të vonohen për me i kryer targetimet, ose ta bëjnë shumë shpejtë për të arritur efektin. Unë mendoj se zgjodhën këtë të fundit. Mendoj se edhe intensiteti i rritjes së çmimeve e arsyetoi këtë. Ka edhe disa masa kanë të bëjnë edhe me mbështetjen e bizneseve, por janë shumë të vogla dhe më të reduktuara, prandaj edhe mund të konstatojmë se masat ishin sociale dhe jo ekonomike”, tha Bexheti.

Sipas Bexhetit, strukturat ekonomike janë gati se 30 vite të njëjta në Maqedoninë e Veriut dhe nuk mund të ndryshojnë brenda natës. Ai thotë se nuk ka të profiluar një model të zhvillimit ekonomik që do të ishte i qëndrueshëm. Por, vitin 2021 kishte një rritje ekonomike prej 4.1 për qind. Edhe pse krahasuar me ekonomitë e vendeve tjera është pak, megjithatë është arritur që të mbulohen humbjet e vitit 2020. Se si do të arrihet rritje ekonomike këtë vit krejt kjo do të varet nga intensiteti i ngjarjeve në Ukrainë, thekson ai. “Këtë vit rritja ekonomike është projektuar për 4.5 për qind dhe sigurisht se kjo nuk do të mund të arrihet. Por fokusimi duhet që të jetë që kjo mos shkojë në negativitet, por ekonomia të jetë të paktën në stadin zero -humbje. Se si do të arrihet rritje ekonomike krejt kjo do të varet nga intensiteti i ngjarjeve në Ukrainë. Rritjen ekonomike e kemi prej muajit mars e deri në nëntor, keni parasysh industrinë ndërtimore, bujqësore që janë një e treta e ekonomisë vendore. Nëse këta ekonomi punojnë në aspektet sezonale, mendoj se nuk është një kohë e madhe e humbur, pavarësisht se zinxhiri i furnizimeve ka qenë problem, sidomos me rritjen e çmimeve të energjisë, ku këta industri janë të varura drejtpërdrejt.

Por, krejt kjo do të varet nga dinamika e ngjarjeve në Ukrainë”, pohon Bexheti. Ai shprehet se pasoja do të ketë edhe në tregun ushqimor dhe se do ta godasë shtresën e varfër të shoqërisë. ”Nëse rritet çmimi i vajit edhe 3 për qind, ose çmimi i artikujve të tjera themelore. Mirëpo, këtu shteti duhet të bëjë kujdes, t’i subvencionojë produktet e tilla për një periudhë të caktuar, sepse do të cënohet fuqia blerëse sidomos e qytetarëve të rrezikuar”, thotë akademiku Abdylmenaf Bexheti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat