Refuzohen pesë amendamente të OBRM-PDUKM-së për ribalancin e buxhetit

Maqedonia

Refuzohen pesë amendamente të OBRM-PDUKM-së për ribalancin e buxhetit

Më: 20 qershor 2022 Në ora: 22:45
Kuvendi i Maqedonisë

Komisioni parlamentar për financim dhe buxhet pasdite ka vazhduar debatin rreth amendamenteve sa i takon rebalancit të Buxhetit për vitin 2022 në kuadër të mbledhjes së 38-të.

Shumica në Komision deri tani ka refuzuar pesë amendamente të OBRM-PDUKM-së prej mbi 170 të iniciuara nga ky grup parlamentar.

Krahas amendamenteve të kësaj partie, për ribalancin e Buxhetit janë iniciuar gjithsej 28 edhe nga Aleanca për Shqiptarët dhe dy amendamente nga shumica parlamentare, pra gjithsej janë 204 amendamente.

Më së shumti debat ka shkaktuar amendamenti i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë për rritjen lineare të pagave në sektorin publik prej 1806 denarë që u refuzua nga shumica.

Në tre ditët e kaluara të debatit të Komisionit për ribalancin deputetët e opozitës dhe pushtetit kanë pasur qëndrime kundërthënëse.

Për opozitën ribalanci është dëshmi se ekonomia është shkatërruar dhe se vazhdimisht rritet varfëria.

Deputetët e pushtetit nga ana tjetër kanë theksuar se me ribalancin kursehen mjete serioze që do të përdoren për ndihmë të drejtpërdrejtë edhe për ekonominë.

Me ribalancin e Buxhetit të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 245,8 miliardë denarë dhe janë rreth 6,9 miliardë denarë ose 2,9 për qind më të larta lidhur me projeksionet iniciale të Buxhetit.

Shuma e shpenzimeve të përgjithshme është 288,5 miliardë denarë ose për rreth 161,1 miliardë denarë (5,9 për qind) më shumë në raport me projeksionet iniciale me planin e vitit 2022.

Shpenzimet kapitale janë planifikuar në nivelin prej 32,2 miliardë denarë dhe janë rreth gjashtë miliardë denarë më të ulëta se plani për vitin 2022, por qeveria paralajmëron se do të vazhdojnë projektet për ndërtimin e rrugëve, hekurudhave, gazsjellësit.

Rritja ekonomike është planifikuar të jetë 3,2 për qind, inflacioni të arrijë 7,2 për qind, ndërsa deficiti të jetë 42,7 miliardë denarë.

Komisioni për financim dhe buxhet debatin rreth amendamenteve për Buxhetin do ta vazhdojë nesër në orën 11:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat