Bujar Osmani njofton se së shpejti do të dihet përmbajtja e ndryshimeve kushtetuese

Maqedonia

Bujar Osmani njofton se së shpejti do të dihet përmbajtja e ndryshimeve kushtetuese

Më: 4 maj 2023 Në ora: 21:18
Bujar Osmani

Në kuadër të vizitës së tij në Nju Jork, Kryesuesi i OSBE-së, njëherit Ministër i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, mbajti brifing me gazetarë, ku e prezantoi agjendën e tij në SHBA dhe mesazhet kryesore që do të dërgohen në takimet me liderët botërorë.

“Po punojmë në dy trajektore në politikën tonë të jashtme. Njëra është Maqedonia e Veriut si Kryesuese e OSBE-së, përmes së cilës dërgojmë mesazhin tonë se si demokraci funksionale multietnike mund të ofrojmë mbështetje për proceset rajonale dhe globale të pajtimit dhe dialogut, dhe dëshmi për këtë është dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që u mbajt së fundmi në Ohër, por edhe vizitat e mia në cilësinë e Kryesuesit në rajonet tjera të OSBE-së në të cilat është i domosdoshëm forcimi i sigurisë dhe ruajtja e paqes stabile”.

“E dyta është Maqedonia e Veriut dhe BE-ja dhe aktiviteti ynë në lidhje me procesin e skriningut si dhe me procesin e ndryshimeve kushtetuese që vendi duhet t’i zbatojë”, tha Osmani në brifing.

Sa i përket obligimeve të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE, Osmani theksoi se e gjithë energjia e shtetit dhe e institucioneve të tij synon përfundimin me sukses të këtij procesi.

Osmani tha se Ministria e Punëve të Jashtme është e përfshirë në procesin e përgatitjes së tekstit të ndryshimeve kushtetuese përmes përfaqësuesit të saj në grupin punues dhe ai personalisht në kërkimin e mbështetjes për këtë proces nga miqtë e Maqedonisë së Veriut nga skena ndërkombëtare.

“Skenari i zhvillimit të këtij procesi është përcaktuar sipas kornizës negociuese, por ju e dini thënien “Djalli është në detaje”. Ne duam të marrim parasysh mendimin e të gjitha vendeve anëtare, të menduarit e Republikës së Bullgarisë dhe dinamikën e procesit në mënyrë që t’i kemi të gjitha kombinimet para nesh. Nuk ka asnjë devijim nga ajo që është përcaktuar në kornizën negociuese, gjegjësisht me përfundimin e ndryshimeve kushtetuese duhet të hapet Kapitulli i Parë”, tha Osmani duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me procesin e ndryshimeve kushtetuese.

Formulimi i tekstit të ndryshimeve kushtetuese është duke vazhduar si aktivitet i grupit punues, pastaj pason debati publik në të cilin do të përfshihen të gjithë akterët shoqërorë dhe kjo do të jetë pjesa më thelbësore e debatit, tha Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat