Kovaçevski: Bullgaria duhet të tregojë në të gjitha nivelet e veprimit politik se angazhohet për integrimin e rajonit në BE

Maqedonia

Kovaçevski: Bullgaria duhet të tregojë në të gjitha nivelet e veprimit politik se angazhohet për integrimin e rajonit në BE

Më: 29 qershor 2023 Në ora: 15:59
Dimitar Kovaçevski

Bullgaria duhet të tregojë në të gjitha nivelet e veprimit të saj politik se angazhohet për integrimin e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Besoj se për këtë angazhohen edhe të gjitha partitë të cilat janë në qeverinë e koalicionit në Bullgari, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Kovaçevski theksoi se pret që bashkëpunimi të vazhdojë në drejtim të asaj që e tregoi qeveria e Kiril Petkovit gjatë ditëve të fundit me votimin e Rezolutës në Kuvendin bullgar, duke theksuar se në praktikë ato parti tani janë pjesë e qeverisë së koalicionit në Bullgari, e cila tani ka kryeministër në rotacion në nëntë muaj.

“Vlerësoj se bashkëpunimi duhet të vazhdojë në atë drejtim”, deklaroi Kovaçevski.

Kiril Petkovi, nënvizoi Kovaçevski, është njeri me të cilin gjetëm gjuhë të përbashkët vitin e kaluar për zhbllokimin e rrugës së vendit në integrimet në BE.

“Ai është kryetari i partisë PP në Bullgari. Bëhet fjalë për politikan avangard, i cili dëshiron të flasë për të ardhmen, teknologjitë e reja, avancimin e transportit dhe bashkëpunimit mes vendeve dhe ato janë temat në të cilat duhet të ndërtojmë bashkëpunimin tonë si vende fqinje”, deklaroi Kovaçevski.

I pyetur se çka pret dhe nëse janë planifikuar takime me qeverinë e re në Bullgari, Kovaçevski tha se ka pasur bisedë telefonike me kryeministrin e ri bullgar, Nikollaj Denkov dhe se pret që të takohet me të në Samitin e NATO-s.

“Në Samitin e NATO-s në Uilnius, ndoshta do të takohemi me kryeministrin bullgar, pasi unë do të kryesoj delegacionin tonë. Nuk e di saktësisht se kush do ta kryesojë ekipin bullgar. Por sigurisht që do të shihemi”, deklaroi Kovaçevski.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat